Pandemia e COVID-19 ka sjellë ndryshime në mbarë botën, duke prekur të gjithë sektorët e jetës. Arti dhe kultura sigurisht janë ndër më të prekurit.
Në pamundësi për të realizuar programet e planifikuara për 2020, institucionet u detyruan të riprogramojnë repertorin duke iu përshtatur kushteve pas përhapjes së pandemisë.
Si rrjedhojë e masave në faza të ndryshme të pandemisë, artistët punuan në heshtje, duke e mbajtur aktiv publikun në rrjetet sociale, pasi raporti me publikun nuk duhej të ndërpritej. Kjo ndryshoi totalisht edhe qasjen e publikut ndaj artit.
Shfaqje cirku, përralla për fëmijë, pjesë teatrale, filma të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, pjesë muzikore, ture virtuale nëpër muze e parqe arkeologjike, konkurse, etj., të gjitha këto erdhën në një formë të re, e cila shpejt u shndërrua në modelin më të ri të komunikimit.
Galeritë, teatrot, festivalet e filmave filluan të përqafojnë “digjitalizimin”. Kudo filluan të funksionojnë platformat “online”. Ndërsa arti humbi një audiencë, atë të sallës, fitoi një audiencë tjetër më të re, që është në fakt publiku i së ardhmes.
Si të tilla duhen permendur aktivitet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku përmes një angazhimi maksimal të trupës, u bë e mundur realizimi i një programi online, ku artistët performonin nga shtëpia. I gjithë ky projekt artistik u titullua “Opera me Pizhama”.
Gjithashtu, në vend u organizuan edhe disa festivale të përvitshëm të filmit, me ceremoni të vogla dhe diskutime të kritikës online, por mungoi publiku.
Kjo kohë i shërbeu Galerisë Kombëtare të Arteve që të nxirrte nga arkivat dhe të ekspozonte veprat më të mira në pikturë, skulpturë e vizatime, në ekspozitën "Arkivi i hapur". Galeria më e rëndësishme e Arteve Figurative në vend, pas një mbyllje të gjatë, e cila u shfrytëzua për të riorganizuar edhe një herë ambientet e saj, tashmë është e hapur dhe pret publikun edhe në sallë, mjafton të zbatohen masat e duhura.
Edhe Biblioteka Kombëtare u ndëshkua nga mbyllja. Sallat e saj u zbrazën nga lexuesit, por falë punës përgjatë muajve të izolimit u digjitalizuan mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh, të cilat sot mund të shfrytëzohen lirisht nga lexuesit.
Kohë të vështira krijojnë artin më të mirë. Duke iu referuar të shkuarës ku disa shkrimtarë si Shekspiri, Çehovi, apo Pushkini, në kohë izolimi i dhuruan lexuesit kryevepra të letërsisë botërore, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë organizoi konkursin për krijimtarinë më të mirë nën titullin “Libri i karantinës”. Konkursi për “Librin e karantinës” ishte gjetja e duhur për një kohë të pazakontë dhe tashmë publiku njeh edhe tre fituesit e tij, si dhe ka në duar tre libra me vlerë që “ngjizi” pandemia.
As “Panairi i Librit” nuk mungoi këtë vit. Panairi i 23 i librit si një traditë e bukur e nëntorit, megjithëse në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë, përfundoi me sukses, duke shpallur edhe fituesit e tij.
Periudha e pandemisë i mbylli njerëzit brenda katër mureve të shtëpisë dhe një ndër gjërat më me vlerë që bënë ata për t’i dhënë kuptim kohës së tyre, ishin të uleshin dhe të lexonin libra. Kjo u shoqërua me rritje drastike të punës së platformave. Edhe pas panairit, libri ndodhet i pasqyruar në të gjitha platformat on line, të cilat janë aktive dhe lexuesit mund të drejtohen për të bërë prorositë e tyre.
Edhe Teatri në këtë periudhë, u mundua të përshtatej me forma të reja. Ndërkohë që teatër në formën klasike nuk bëhej dot, Teatri rievidentoi “poezinë e xhiruar”, një iniciativë kjo që krijoi ndjekësit e vet.
Sigurisht që këto forma të reja digjitale kanë kohë që kërkohen në vendin tonë, por tanimë ky aplikim i formave “eksperimentale” është shumë më funksional. Lindi nga nevoja, por që do të jenë edhe format alternative të së ardhmes, kur pandemia të ketë marrë fund dhe arti të rikthehet në normalitet.
Pandemia solli problem si kudo në botë për artistët dhe kulturën në përgjithësi. Mungesë premierash dhe shfaqjesh. Por ky problem u shndërrua edhe në problem ekonomik për artistët e pavaruar, ku shumë prej tyre sigurojnë jetesën përmes artit. Ata që preken më së shumti nga kjo situatë janë sidomos këngëtarët, për shkak të mbylljes së lokaleve, apo skenave ku ato performojnë.
Janë rreth 30 për qind prej tyre që operojnë në tregun e rregullt të këtij biznesi dhe janë ndihmuar nga qeveria, ndërsa rreth 70 për qind operojnë pa kontrata të rregullta pune, gjë që i ka përjashtuar nga skema e ndihmës.
Kantautori i njohur Elton Deda, një artist shumë i njohur, thotë se megjithë ndihmën, ajo ngelet e papërfillshme pasi artistët e pavaruar që prej marsit ndihen në vështirësi. Gjithsesi ai mendon se duhet parë me optimizëm përpara:
“Eshtë një pandemi botërore, është një situatë e keqe në të gjithë botën dhe ne duhet të përshtatemi me këtë gjë. Si do të përshtatemi? Ne nuk do të përshtatemi duke u rialokuar, pra një artist nuk do të bëjë muratorin ose këto gjëra…Do të përshtatemi me disa platforma të cilat fatkeqësisht do të fillojnë ta zvogëlojnë pak publikun. Deri sa kjo flamë të marrë fund ne do të përfundojmë që njerëzit do na ndjekin nëpërmjet “real time”, ne duke luajtur në një studio, ata duke na ndjekur….
Ne jetojmë në një kohë shumë të çuditshme, por bota nuk është hera e parë që jeton në një kohë pandemie. Ka pasur edhe herë të tjera. Ne jemi qënie të përshtatshme si qënie njerëzore, ama anën njerëzore dhe anën sociale ne nuk mund ta bëjmë dot robotike, të paktën edhe për disa vjet. Kështu që në momentin që bota është gjunjëzuar, është një fat i mirë ky lloj globalizmi, sepse filluan kërkimet për vaksinën. Në momentin që fillon vaksina, ana psikologjike e njerëzve rritet, avash avash do të hapen bizneset dhe unë jam i bindur se nga prilli apo nga maji, ne do të kemi edhe koncerte, do kemi “club”, do të kemi shumë gjëra, pra do t’i kthehemi një jete, ashtu siç e kemi pasur”.
Në kushtet e pandemisë Ministria e Kulturës është e angazhuar në krijimin e një klime të shëndoshë për nxitjen e atyre aktiviteteve kulturore me qëllimin kryesor, të mbajtjes gjallë të komunikimit me publikun. Së fundmi kjo ministri, ka hapur thirrjen për projekte me vlerë 3.000.000 lekë dhe sipas ministres Elva Margariti, përmes tij synohet mbështetje konkrete për artin dhe kulturën për vitin 2021:
“Fondi do të mbështesë organizatat jofitimprurëse të artit dhe kulturës, artistët, individët, të cilëve u është dashur të përshtaten me kushtet e pazakonta në këtë situatë të krijuar nga pandemia. Ministra e Kulturës synon që të promovojë teknologjinë digjitale në kulturë si dhe edukimin nëpërmjet kulturës, të mbështesë sektorët kulturorë dhe veprimtaritë artistike, qofshin këto individuale ose kolektive, festivale, arte pamore dhe ato skenike.”
Pavarësisht situatës së vështirë, artistët po përpiqen që të shohin dritë në fund të tunelit. Ata mbajtën gjallë shpresën e njerëzve në kohën e izolimit total dhe po përpiqen edhe tani të rezistojnë fort. Në fund të fundit, ata do të thonë: kaluam një vit të vështirë, por ia dolëm!
NERITANA KRAJA