Padyshim, që një nga gjërat më të bukura që ka Shqipëria, janë fshatrat e vegjël, që duket sikur fshihen në brendësi të natyrës, por në fakt, ashtu si thesaret, duhet t’u afrohesh, që të mahnitesh prej tyre.

Në Shqipëri ka shumë të tillë, por sot ne kemi zgjedhur tre fshatra turistikë, pjesë e projektit 100 fshatrat, të cilët i bashkon fakti se janë ndër fshatrat më piktoreskë në vend.

Të duket se një piktor ka vënë dorën e tij mbi telajo dhe me ngjyra mahnitëse ka pikturuar Linin në juglindje, Vunoin në bregdetin e jugut dhe Lëpushën mes Alpeve të Veriut.

Lini

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit. Ai ndodhet 110 km larg Tiranës dhe 20 km larg Pogradecit, një fshat interesant dhe ndër më piktoreskët në Shqipëri.

I vendosur në një kodër të bukur buzë liqenit të Pogradecit, Lini zgjon kuriozitetin e çdo udhëtari apo turisti që udhëton në rrugën Qafë Thanë – Pogradec, e cila kalon fare pranë fshatit.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tullash, në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Ka gojëdhëna qe dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar. Banorët e hershëm thonë se fshati më parë, shumë vjet të shkuara, shtrihej deri në mesin e liqenit, por më vonë u mblodh këtu ku gjendet sot.

Në Lin, pastërtia e natyrës, mikpritja e vendasve dhe harmonia fetare e kishave dhe xhamive vihen re sapo shkel në këtë fshat.

Turistët vendas dhe të huaj që mbërrijnë për të shijuar bukuritë e Linit janë pothuajse nga të gjitha vendet e Evropës.

Pozita gjeografike, ndërtesat karakteristike, monumentet e shumta kulturore, mikpritjan dhe kulinaria e pasur me gatime tradicionale e bëjnë fshatin Lin një vend shumë interesant për turizëm.

Pjesë e trashëgimisë kulturore të fshatit është Bazilika paleokristiane dhe mozaikët e Linit, të cilët ndodhen në majë të kodrës së Shën Thanasit

Mozaikët kanë disa figura të bukura si peshq, zogj, të cilësuar si trashëgimi kulturore dhe është më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.

Në Lin ka disa plazhe të këndshëm me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël. Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur "Mulliri i Vjetër", me burime gurgulluese dhe hije të freskëta pemësh.

Plazhet me ujë të kristaltë janë dhuratë për banorët gjatë verës dhe luks për turistët.

Turizmi është i bazuar në bizneset familjare, me guesthouse, me bare dhe restorante piktoreske. Ndër ushqimet e spikatuar në këtë zonë janë peshku, perimet dhe ushqimet e konservuara për konsum në dimër. Këtu mund të kënaqesh me levrek, belushkë, lakror, verë, raki të prodhuara të gjitha nga banorët e zonës.

Ndër aktivitetet dhe zbavitjet që mund të bëni në fshatin Lin, përveç peizazhit dhe gatimeve tipike, janë ecja me biçikletë, shëtitje me kuaj dhe peshkimi.

Fshati Lëpushë

Lëpusha, ndodhet rreth 90km larg qytetit të Shkodrës dhe 190 km larg Tiranës, në lartësinë mbi 1260 m mbi nivelin e detit.

Lëpusha është një fshat i vogël malor në Kelmend dhe vlerësohet si kryevepra e natyrës së Kelmendit dhe si perlë e Alpeve Shqiptare. Bien në sy pyjet e ahut, që shkojnë deri në 30 metra lartësi, të ruajtura mirë nga banorët.

Lugina e Lëpushës shtrihet buzë një përroi, anës të cilit radhiten arat e lëndinat. Shtëpitë e fshatit me çatitë e kuqe, të kujtojnë ngjyrat në paletën e një piktori.

Lëpusha të parën gjë që ofron është natyra e saj e virgjër.

Askund si këtu kalendari nuk ndahet në “dy” stinë të gjata, verën dhe dimrin, që e kontrastojnë aq fort peizazhin dhe kushtëzojnë jetesën.

Klima në Lëpushë gjatë dimrit është shumë e ashpër, bora zgjat deri në tre stinë. Trashësia e borës ka arritur deri në 425 cm.

Lëpusha është kthyer tashmë në një destinacion turistik, duke pritur çdo vit turistë të shumtë. Fshati Lëpushë nuk numëron më shumë se 10 bujtina, ndërsa këtu me një çmim prej 28 eurosh mund të flesh e të konsumosh 3 vakte, ku shërbehen gatimet tradicionale të zonës, byrekët me barishte, mishi i pjekur i kecit, djathi etj.

Lëpusha është me potenciale për zhvillimin e turizmit malor për alpinizëm, rrëshqitje mbi borë, për njohjen e florës, gjuetinë e kafshëve të egra etj.

Në Lepushë turistët mund të vizitojnë disa bukuri natyrore si: Ujëvarën e Lepushës, majën e Vajushës, majën e Trojanit, Bjeshkët e Namuna, majën e Berishdolit, majën e Gerbenit si dhe shëtitje brenda fshatit. Vendasit e cilësojnë Lëpushën si “Zvicra e Shqipërisë”, ndërsa turistët mbesin gjithnjë të kënaqur me ajrin e pastër, bukuritë natyrore të zonës dhe ushqimet tradicionale bio.

Fshati Vuno

Fshati historik i Vunoit, pozicionohet rreth 400 m mbi nivelin e detit, me pamje panoramike që shikon detin e Jonit dhe zbret në plazhin e Jalit.

Vuoni ndodhet 216 km larg Tiranës, rrugë të cilën mund ta bësh për rreth 4 orë e 30 minuta, nëse nuk ka trafik.

Vunoi vlerësohet si vendbanim i vjetër, ndoshta që në shek. VIII-VI para Krishtit. Në të ka shumë shembuj të mirë të arkitekturës tipike të zonës të shekullit XVIII, si tek banesat, ashtu edhe tek kishat.

Ekzistojnë një numër i madh banesash karakteristike, arkitekturë, mënyrë e traditës së ndërtimt. Përveç këtyre theksojmë objektet e tipit kullë, kishat e veçanta, shkollën dhe pemën e qiparisit (monument natyror). Karakteristikë tjetër është dhe kënga polifonike.

Vunoi është një fshat krejt veçantë krahasuar me të tjerët në jug, sepse ndodhet përafërisht në mes të kodrës dhe ndërpritet prej rrugës nacionale.

Disa nga zbavitjet që mund të bëni në Vuno, janë degustimi i ushqimeve tradicionale lokale, vrojtimi i kafshëve, shpendëve dhe zogjve, shëtitje me kalë, ecje, ngjitje, çiklizëm malor, kajak, rafting, kalime në kanione, etj.