Me rastin e 13 dhjetorit të këtij viti, Ditës së 7-të Kombëtare Përkujtimore të Kinës për Masakrën e Nankinit, i riu Zhu Yan dhe grupi i tij i vizatimeve “Chan Shi Guan” (Dashamirësit e zbulimit të historisë) publikuan përsëri vizatimin e tyre. Ky është viti i 5-të me radhë që Zhu Yan publikon vizatime të tilla.

Vizatimi i sivjetshëm kallëzon historinë e japonezit Seitaro Yamaguchi dhe barit "Zijin".

Në pranverën e vitit 1939, kur qyteti Nankin vuante nga plagët e luftës së rezistencës kundër agresorëve japonezë, lulet ngjyrëvjollcë të orikofragmës kishin çelur andej-këndej nëpër rrënoja. Një mjek ushtarak japonez me emrin Seitaro Yamaguchi, që u hidhërua nga tragjedia në Nankin, u detyrua nga ushtria të kthehej në Japoni për shkak të thënieve të tij kundër luftës. Para largimit nga Nankini, ai shkoi në malin Zijin në periferinë e qytetit dhe hasi rastësisht një vajzë të vogël që gërmonte barishte atje. Kur shikoi befasisht një ushtarak japonez, vajza u tmerrua. Por pak më vonë, ajo zbuloi se ai nuk kishte qëllime të këqija. Kur atmosfera u zbut, vajza kineze i dhuroi japonezit një tufë orikofragmash. Veprimi i vajzës e preku thellësisht Seitaro Yamaguchi-n. Në syrin e tij, ajo tufë orikofragmash kishte rëndësi të veçantë. Ai mblodhi farëra orikofragme në malin Zijin dhe i mori me vete kur u kthye në Japoni.

Në pranverën e vitit 1940, në oborrin e shtëpisë së Yamaguchi-t kishin çelur lulet e orikofragmës dhe ai e quajti bari “Zijin”, në shenjë përkujtimi të malit Zijin të Nankinit. Më vonë, ai u dhuroi farëra të barit “Zijin” miqve e të afërmve dhe promovoi dëshirën për paqe në parqe dhe lagje. Kështu, bari “Zijin” quhet dhe “lulja e paqes”. Gjatë mbi 20 vjetëve të mëvonshëm, çdo vit Yamaguchi udhëton me tren duke marrë me vete një thes të madh të mbushur plot me farëra të barit “Zijin”, dhe i hedh ato jashtë dritares përgjatë hekurudhës. Bari “Zijin” e duron ftohtësinë e thatësinë dhe mund të rritet edhe në tokë të varfër. Shumë shpejt, lulet “Zijin” çelën kudo në Japoni. Para vdekjes në vitin 1966, Yamaguchi e porositi të birin të trashëgonte kauzën e nxitjes së paqes.

Në vitin 2009, personalitete mike japoneze i dhuruan Kinës statujën e “Vajzës së lules 'Zijin'”, që u vendos në Parkun e Paqes në Muzeun Përkujtimor për Masakrën e Nankinit. Qysh nga viti 2014, çdo 13 dhjetor, qytetarët e Nankinit, duke mbajtur stemën e barit “Zijin”, marrin pjesë në veprimtaritë me rastin e Ditës Kombëtare Përkujtimore për Masakrën e Nankinit.

Një nga autorët e vizatimit të sivjetshëm, Zhu Yan, kreu studimet e larta në Nankin për katër vjet. Ndjenjat e tij të posaçme për këtë qytet e nxitën të krijonte vizatimet me rastin e Ditës Kombëtare Përkujtimore. Ai tha: “Duhet të mos harrojmë historinë, sepse harrimi është vdekja e vërtetë.”

Në vitin 2016, ai krijoi vizatimin e parë me këtë rast, ku dy vajza të vogla, që gjenden ballë përballë, dialogojnë duke kapërcyer historinë. Ato duan të kapin dorën e njëra-tjetrës. Midis tyre shkruhet një fjali: “Ajo kohë ishte e trazuar, shpresoj të kini të ardhme të bukur.”

Në vitin 2017, Zhu Yan dhe grupi i tij publikuan një version të ri të vizatimit, ku dy vajzat e vogla u zëvendësuan nga dy të rinj. Në sfondin e vizatimit, prapa ushtarit të ri në anën e majtë, ishte pamja e betejës së Nankinit, ndërsa në anën e djathtë, prapa një të riu të sotëm, ishte fotografia e Muzeut Përkujtimor për Masakrën e Nankinit. Midis tyre shkruhej një fjali: “Nëse takohemi ndonjë ditë, dua të të them se malet e lumenjtë janë të sigurt, vendi është i lulëzuar dhe populli është në paqe.”

Në vitin 2018, tema e vizatimit me rastin e 13 dhjetorit ishte mosharrimi i atyre miqve të huaj që mbrojtën kinezët në katastrofë: John Rabe, Minnie Vautrin, John Magee etj. Në vizatim shkruhej: “Edhe pse errësira duket e pakufi, ti i ktheve dritën përsëri botës.”

Qysh nga viti 2017, emrat e gdhendur në Murin e Listës së Viktimave të Masakrës së Nankinit përforcohen çdo vit nga vullnetarët. Tema e vizatimit të vitit 2019 kishte të bënte pikërisht me këtë pamje: “Me lapsin tim, shkruaj emrin tënd. Kujtimet dhe malli nuk zbehen me kalimin e kohës.”

Zhu Yan tha se edhe vizatimi i sivjetshëm ka rëndësi të veçantë: “Në vitin 2020 bota gjendet në vështirësi të madhe. Pandemia dhe konfliktet ndërkombëtare na kanë bërë të aspirojmë edhe më shumë për paqe dhe qetësi. Prandaj, vendosëm paqen si temën e sivjetshme.”

Në vizatimin e sivjetshëm përdoret për herë të parë ngjyra, që simbolizon shpresën e jetës, shpjegoi autori i vizatimit. (Wang Lei/ Artani)