Durrësi, qytet 3000-vjecar në zëmër të Evropës, me një trashëgimi arkeologjike e bën atë që çdo durrsak të ndjehet krenar për qytetin e tij. Nëse do ti referohemi shprehjes së vjetër që në kohën e perandorisë Romake se “Të gjitha rrugët të cojnë në Romë, në Shqipëri do të ishte”Të gjitha rrugët të çojnë në Durrës”.

Qyteti i Durrësit me një nga portet më të vjetra në Evropë në detin Adriaik , është një nga kryeurat ballkanike të komunikimit të Perëndimit me Lindjen dhe anasjelltas. I cilësuar dhe si Taverna e Adriatikut, qyteti i Durrësit mirëpret në kohët modernë, turistë dhe vizitorë nga e gjithë bota.

Historia

I krahasuar me një nga qytetet më të mëdhenj të Mesdheut antik dhe Mesdhetar, Durrësi i njohur si qyteti Epidamn, Dyrach u ndërtua nga Ilirët, Taulantët dallëndyshës në shekujt XIII-XIp.e.s. Banorët e parë të Durrahut, para ilirëve të quajtur protoiler, pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para prehistorike. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire të quajtur Dyrah dhe Epidamn. Mbreti Epidamn, ndërtoi pjesën e fortifikuar të qytetit në juglindje të Malit të Durrësit, kurse nipi i tij Dyrrah, ndërtoi Portin që për shumë e shumë shekuj mban emrin e tij. Nga këto dy emra mbijetoi deri në ditët tona, emri Dyrrah- Durrës, për vet rolin e tij si liman-Port.

Gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine, Dyrrahu ( Durrësi ) vazhdoi të mbetej qyteti më i rëndësishëm në brigjet perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Ai ishte kryeqendra e provincës "Epiri i Ri", ku përfshiheshin krahinat nga lumi Mat deri tek lumi Vjosa. Në kohën e Perandorit të Anastasit I (491-519) dhe Justiananit të I (527-565), qyteti pësoi transformime të ndjeshme në strukturën urbane, duke marrë tiparet e një qyteti tipik bizantino-kristian.

Në shekullin e VIII u formua në Durrës, Njësia Administrativë "Ahrondia e Dyrrahut", formë vetëqeverisjeje e qytetit me krahinat përreth. Në vitet e para të shek. IX u themelua "Thema e Dyrrahut", që kishte për qëllim mbrojtjen nga rreziku i sulmeve të Arabëve dhe Frëngeve si dhe për të përballuar presionet tregtare të Venedikut. Me Durrësin, si kryeqendër të saj, u krijua dhe u përhap qytetërimi mesjetar, kultura arbnore u kalua në sistemin feudal dhe në krijimin gradual të një shtresë fisnikësh të rinj.

Sipas kronikanëve osmanë të shekullit XVI, Durrësi apo siç e cilësojnë ata "Konstandinopoja e Dytë", u pushtua nga turqit më 13 gusht vitit 1501. Ndërkohë pas pushtimit Osman, u shndërrua në një qytezë me 100-120 shtëpi, dukë mbetur i tillë për një periudhë relativisht të gjatë. Vetëm në shekullin XVII, qyteti filloi të rimarrë veten duke u bërë qendër e tregtisë tranzite dhe skela kryesorë e Shqipërisë së Mesme. Në fillim të vitit 1912 qyteti më rreth 4700 banorë, ishte nyjë kryesore ndërlidhjeje midis qendrave të lëvizjes kombëtare. Pas shpalljes së Pavarisë së Shqipërisë, sundimit turk i vjen fundi.

Gjatë viteve të monarkisë shqiptare (1924-1939) Durrësi fitoi një frymëmarrje të re dhe qytetaria fisnike durrsake e bëri qytetin e vet model të zhvillimit ekonomik kapitalist. Më 7 prill 1939 qyteti dhe rrethinat e tij u pushtuan nga trupat e ushtrisë italiane dhe gjermane dhe më 14 nëntor 1944, Durrësi u çlirua.

Kulturë dhe traditë

Durrësi është një qytet me kulturë të hershme, për vetë origjinën e tij të lashtë. Ai ka trashëguar mjaft vlera të së kaluarës, qendra historike dhe arkeologjike si Amfiteatri, Rrethoja Bizantine, Torra Veneciane, Muri rrethues i Kalasë, por edhe qendra kulturore e fetare si rrënojat e Bazilikës në Arapaj, Kështjella e Rodonit etj.

Qyteti ruan sot plot gjurmë edhe nga kultura e më vonë, duke kontribuar edhe në dhënien e personaliteteve me vlerë ndërkombëtare si Aleksandër Moisiu, që lindi në Kavajë dhe u rrit e u formua në Durrës. Shtëpia e Aleksandër Moisiut me arkitekturën tipike të shtëpisë durrsake të shek XIX,e shndërruar në muze etnografik, ka shumë për të treguar. Vec dy dhomave ku janë grumbulluar materiale biografike dhe artistike të aktorit të madh, pjesa tjetër e muzeut strehon mëse 300 objekte, veshje dhe enë të traditës, objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale në lesh, pambuk, bri, bakër e gurë.

Qyteti ka patur institucione kulturore të konsoliduara, si teatër estrade, ansambël këngësh e vallesh popullore, teatër profesionist, i cili edhe sot jep shfaqe për publikun, trupë muzikore profesionistësh etj. Gjithashtu në Durrës organizohen aktivitete në rang kombëtar e ndërkombëtar si, Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Festivali muzikor i Jazz-it, konkursi i poezisë, Poeteka etj.

Sa i përket etnografisë, ajo i përket kulturës së Shqipërisë së Mesme, ku gratë vishen me dimi e me jelekë, në kokë mbajnë një feste të vogël zbukuruar me imitime monedhash, kurse burrat veshin brekushe, xhoka të zeza prej leshi ose jelekë të kuq, dhe në kokë mbajnë qeleshe me majë të sheshtë. Gjithashtu edhe këngët e vallet i përkasin kulturës dhe traditave të Shqipërisë së Mesme.

Turizmi

Qyteti I Durrësit mbetet një atraksion për turistët sa për historinë aq edhe per bregdetin. I cilësuar si Taverna e Adriatikut, qyteti mirëpret në kohët moderne turistët dhe vizitorë nga e gjithë bota. Atraksioni me i ri i Durresit, i konceptuar si nje pedonale, sheshi është një nga hapësirat me të frekuentuara të qytetit. Falë distancave të shkurtra, qyteti i Durrësit të ofron disa lloje turizmi. Nëse e ke për zemër turizmin natyror në Durrës gjen detin, me puhizën që fryn së andejmi dhe hapsirën e kaltërt dhe të pafund që të shfaqet para syve.

Në Durrësin e famshëm për plazhet ranore, një prej më të preferuarve për turistët është Plazhi i Currilave. I gjendur poshte kodrës që duket sikur zhytet në ujrat e Adriatikut, ky plazh ofron pamje përrallore, veçanërisht në orët e arta, gjatë perëndimit të diellit.

Kush ka për zemër turizmin kulturor, është monumenti i rrallë i epokës romake Amfiteatri i Durrësit, me një fushëbetejë gjigande gladiatorësh e epokës së perandorit Trajan, e cila dikur mirëpriste brohorimat e 20 mijë spektatorëve. Kulla veneciane, Muzeu Arkeologjik, vila e Mbretit Zog , Bukuroshja e Durrës, janë ato që vizitohen më së shumti nga turistët vendas e të huaj, por nuk mbetet pas as Kalaja e Durrësit, muret e së cilës u ringritën në periudhën e perandorit Anastasi i I (491-518), që e shndërroi qytetin një ndër më të fortifikuarit në Adriatik.

Copëza të panumërta të së shkuarës së këtij qyteti, që tërheqin vëmëndjen e çdo vizitori janë të skalitura gjithandej, herë në natyrë të hapur e herë të grumbulluara në pavione muzesh e që një kalim mes tyre gjithnjë ia vlen.

Turizmi dhe vlerat arkeologjike presin çdo vit turistë dhe vizitorë për të shijuar bukuritë natyrore dhe për të prekur dhe parë nga afër lashtësinë. Durrësi është destinacioni më i vizituar i vendit në çdo stinë të vitit edhe për traditën e gjatë të krijuar në kulinarinë e peshkut dhe prodhimeve te detit.Por në këtë qytet mund të shijosh dhe gatimet tradicionale ku vlen të përmendim byrekun me presh e qumësht, byrekun me oriz, mëlcitë e pulës me petë, tavë lemi me mish vezë e kos, etj.

Elida Lazi