Amerikani William Brown është i pari i huaj në provincën Fujian të Kinës Juglindore që fitoi “kartën e gjelbër” kineze.
Brown shkoi në Kinë në vitin 1988 si i pari profesor i huaj në Qendrën e MBA-së të Universitetit të Xiamen-it. Ai ka jetuar në Kinë për mbi 30 vjet.

Në fund të vitit 2018, Brown-i botoi librin “Off the Wall - How We Fell for China” dhe i dhuroi një kopje presidentit kinez Xi Jinping, i cili e kishte inkurajuar të shkruante një libër.

Me rastin e Vitit të Ri 2019, Brown mori një letër përgjigjeje nga presidenti Xi, ku ndër të tjera thuhej: “Si dëshmitar i Reformës e Hapjes të Kinës, keni promovuar përzemërsisht qytetin Xiamen e provincën Fujian dhe i keni shtjelluar botës historitë e vërteta kineze. E admiroj që e konsideroni veten si një pjesë përbërëse e Kinës.”

Në librin e tij, Brown-i shkroi veçanërisht për Tibetin.

Në vitin 1994, Brown-i së bashku me familjen bëri një tur me makinë në mbarë Kinën, për të njohur nga afër nivelin e reformës në zonat e largëta kineze. Gjatë atij udhëtimi prej 40 mijë kilometrash, Tibeti i la përshtypje të thella Brown-it, sepse kishte ëndërruar të shkonte atje qysh fëmijë.

“Më pëlqejnë shumë Tibeti dhe tibetianët, por kushtet shumë të këqija të jetesës dhe gjendja e varfër atje më dëshpëruan shumë. Perëndimorët e përshkruajnë Tibetin si ‘Shangri-La’ misterioze, por realiteti i atjeshëm ishte shumë i hidhur. Në një lartësi aq të madhe mbi nivelin e detit, pa pemë dhe me kafshë e bimë shumë të rralla, edhe tibetianët ecnin me shumë vështirësi,” shkruan Brown-i në librin e tij.

“A ka mundësi të shkëputet nga varfëria Tibeti, në një zonë të largët, lartësi të madhe dhe me klimë të keqe? Por gjeta përgjigje pozitive pas 25 vjetëve, kur e vizitova Tibetin për herë të dytë.”

Në vitin 2019, Brown-i, së bashku me kolegët e tij të universitetit, bëri një tjetër tur rreth Kinës me gjatësi afro 20 mijë km. Kësaj here, ndryshimet kolosale në Tibet qenë gjithashtu shumë mbresëlënëse për të.

Centrali fotovoltaik në kontenë Shuanghu

Konteja Shuanghu në Tibet gjendet në lartësinë më shumë se 5 mijë metra mbi nivelin e detit. Në librin e tij, Brown-i shkruan: "Në Shuanghu ka vetëm dy stinë: dimër dhe gatidimër. Për shkak të mungesës së oksigjenit në ajër, Shuanghu quhet edhe 'zona ku jeta ndalon'. Në këtë zonë prej 110 mijë kilometrash katrorë, jetojnë vetëm 14 mijë veta. Për të garantuar jetesën e banorëve vendës, administrata vendore ngriti banesa të stilit tibetian për blegtorët e varfër dhe ndërtoi centralin fotovoltaik me një investim prej 320 milionë juanësh, për të furnizuar me energji elektronike 3 mijë banorë".

Kryetari i kontesë Shuanghu Liang Nanju tha: “Për ndërtimin e këtij centrali fotovoltaik, kostoja për frymë ishte afro 100 mijë juanë, pra nuk flitet për efektivitet ekonomik. Qeveria e bëri këtë central vetëm për përdorimin e energjisë elektrike nga banorët e thjeshtë”.

Liang-u u dërgua në Shuanghu nga selia në Pekin e Korporatës Kombëtare të Naftës të Kinës (CNPC), si kuadër i ndihmës ndaj Tibetit për shkëputjen nga varfëria të banorëve në “zonën ku jeta ndalon”. Qysh nga viti 2002, CNPC-ja ka investuar 400 milionë juanë në 110 projekte në ndihmë të të varfërve të kontesë Shuanghu.

Brown-i është i mendimit se, krahas ndërtimit të infrastrukturës, edhe investimet e qeverisë në arsim kanë nxitur zhvillimin e vazhdueshëm të Tibetit.

William Brown bisedoi me Ye-shes Tenzin

“Në Lhasë, kryeqendrën e Tibetit, u takova me të parin tibetian të diplomuar në Universitetin e Xiamen-it, Ye-shes Tenzin,” rrëfen Brown-i në libër. Tenzin-i, që ka lindur në një fshat të vogël me vetëm 200 veta, sot është profesor i asociuar i Universitetit të Tibetit. Pas diplomimit në Universitetin e Xiamen-it, ai studioi edhe në ShBA e Singapor dhe mori dy grada "master". Tenzin-i u ftua nga shumë miq të merrte pjesë në sipërmarrjet e tyre në krahinat e brendshme kineze, por ai mendoi se, si përfitues prej politikës arsimore të Tibetit, duhej të kthehej në Lhasë për të dhënë kontribut për përmirësimin e gjendjes arsimore në vendlindje.

Tenzen-i i tha Brown-it: “Para 25 vjetëve, një i ri nga një familje e thjeshtë si unë, kishte mundësi të rrallë për një arsimim aq cilësor, falas!”

Kur Brown-i e pyeti për ndryshimet në fshatin e tij, Tenzen-i iu përgjigj: “Kur isha i vogël, nuk kishim në shtëpi as radio, as televizor. Niveli i jetesës ishte shumë i ulët. Sot, në fshatin tonë janë të përhapur televizorët, frigoriferët dhe interneti. Çdokush përdor aplikacionin ‘Wechat’ në celular. Jeta në fshat nuk është aspak më e keqe se në qytet. Qeveria u jep banorëve të fshatit subvencione lidhur me shpenzimet për ujin dhe energjinë elektrike. Shpenzimet mjekësore të bujqve e të blegtorëve rimbursohen 70-80 % nga qeveria. Edhe banesat e tibetianëve janë bërë më të mëdha e më të rehatshme. Ata zotërojnë edhe automjete e kamionë privatë, ashtu si banorët në krahinat qendrore e perëndimore të ShBA-së.”

Ye-shes Tenzin në ceremoninë e marrjes së gradës "master" nga Universiteti i Kansasit të ShBA-së, më 10 maj 2012

Tenzen-i i përmendi Brown-it një tjetër ndryshim në vendlindje: “Në krahasim me 25 vjet më parë, një ndryshim shumë i madh është që, në të kaluarën, prindërit shpresonin që fëmijët e tyre të fillonin punë sa më parë. Sot ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e arsimit dhe dëshirojnë t’i çojnë fëmijët në shkollë.”

“Ç'mendoni për të ardhmen e Tibetit?” e pyeti Brown-i. “Cilësia e jetesës së tibetianëve do të ngrihet shumë shpejt dhe kjo gjendje do të vijojë,” iu përgjigj Tenzen-i.

109-vjeçarja tibetiane Sonam Dolma në oborrin e shtëpisë së vet

Në vitin 1994, zhdukja e varfërisë në Tibet dukej një "mision i pamundur". Por sot, jeta e banorëve tibetianë është e lumtur dhe e begatë. Jetëgjatësia mesatare e tibetianëve u ngrit nga 35.5 vjeç në vitin 1959 në 70.6 vjeç tani. “Jo më kot Ye-shes Tenzin-i ka plotë besim për të ardhmen e Tibetit. Gjithashtu edhe unë,” thotë Brown-i në librin e vet. (Wang Lei/Artani)