Tashmë jemi në dimër dhe është koha për turizmin dimëror ose “Turizmin e Bardhë” sikundër quhet.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Sot kemi zgjedhur për të propozuar tre destinacione dimërore, të cilat ju ftojmë t’i eksplorojmë sëbashku.

Voskopoja

Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ.

Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive. Natyra e qetë dhe e bardhë është arsyeja kryesore që tërheq qindra shqiptarë për të kaluar pushimet dimërore.

Për disa vite rresht rajoni juglindor vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare të cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat në borë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato tradicionalet.

Në Voskopojë ka disa hotele të cilësisë së lartë. Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme, duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora.

Kuzhina tradicionale e me ushqime bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten ato tradicionalet si, mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë. Pyjet, vendi i duhur edhe për të apasionuarit pas gjuetisë, janë një ndër arsyet që tërheqin turistët vendas dhe të huaj.

Voskopoja mbetet një prej destinacioneve më të rëndësishme dimërore në vend. Peizazhi dimëror është një ndër atraksionet kryesore të Voskopojës ndërkohë që edhe në stinët e tjera interesi mbetet i lartë.

Të paktën 50 000 persona vizituan gjatë 2019 fshatin turistik të njohur për kulturën traditat, por edhe elementët e tjerë të shumtë natyrorë.

Razma

Për shkodranët ajo është e njohur në vite, por perla e natyrës së maleve të veriut, Razma, po kthehet në destinacionin e preferuar të Shqiptarëve dhe turistëve të huaj.

Në një distancë prej vetëm 43 km larg qytetit të Shkodres dhe në një lartësi prej 900 metrash mbi nivelin e detit, pika turistike e Razmës është e përshtatshme per zhvillimin e turizmit dimëror.

Razma, është një destinacion shumë i preferuar, është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë në morenat akullnajore, sidomos në Fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës.

Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave janë karakteristike për zonën.

Turistëve këtu u serviret ushqim tipik i zonës, si mishi i kafshëve të egra, ferliku, djathi i zier, kaçimaku i famshëm janë disa nga të të preferuarat e menusë së zonës.

Janë të shumtë turistët nga vende të ndryshme të botës, por edhe vizitorët nga Kosova, Mali i Zi dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, që zgjedhin të kalojnë fundjavën në Razëm, apo edhe të shijojnë një drekë me produkte bio, karakteristike për malësinë.

Zona turistike e Razmës ka një sipërfaqe totale prej 3680 hektarë dhe në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev.

E famshme për 100 shpellat karakteristike, 12 puset në qendër të saj që ishin burimi i vetëm i ujit për zonën dhe me një histori mbresëlënese, Razma po kthehet në nusen e Alpeve Shqiptare.

Brezovica

Brezovica është qendra kosovare e turizmit dimëror dhe veror në Malet e Sharrit.

Brezovica është një fshat piktoresk malor që ndodhet në shpatet e famshme të Brezovicës, një vendpushim dhe pistë skish në 2500 metra mbi nivelin e detit.

Fshati turistik është i pozicionuar dhe i ekspozuar ndaj një peizazhi shumë të veçantë: malet mbresëlënëse të Sharrit dhe lumi i cili rrethon të gjithë hapësirën.

Pa dyshim se do të bëhet një destinacion madhor në një të ardhme, por edhe sot paraqet një vend të shkëlqyer për të pasur aventura, që janë të lira dhe zbavitëse.

Fushat e skive gjenden 12 km larg fshatit me të njëjtin emër në komunën e Shtërpcës.

Pushuesit do të gjejnë dhjetë teleferikë, që janë të lidhur me 16 kilometra pistë me një gjatësi mesatare prej 3000 metra. Pistat janë të gjëra dhe të ndryshme në strukturë dhe mund të zbaviteni me një çmim të arsyeshëm.

Në Brezovicë gjenden lokale, restorante dhe hotele për akomodim.

E mirëmbajtur dhe e kompletuar me mjetet sportive dhe shërbim profesional sportive, Brezovica frekuentohet nga mjaftë vizitorë të Shqipërisë.

Veç peizazhit të bukur natyror, akomodimit dhe shërbimit mjeshtëror, më të interesuarit janë amatorët e skive.

Brezovica gjendet në lartësi nga 900 deri në 2522 metra mbi nivelin e detit, ka një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.