Qyteti i Kukësit pozicionohet në verilindje të Shqipërisë, në këmbët e malit të Gjallicës, rreth 2400 m mbi nivelin e detit. Megjithëse zona e Kukësit është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire, të zbuluara në fshatin Kënetë, Kukësi ose Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. “I ri” sepse dikur banorët e qytetit jetonin në ‘Kukësin e Vjetër’, që sot gjendet i mbuluar nga ujërat e liqenit të Fierzës. Motoja e këtij qyteti është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Mali i Gjallicës

Histori

Fillimet e jetës në këtë qytet janë të dokumentuara që në periudhën neolitike (6000-4000 p.e.s). Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga periudha e neolitit. Studimet historike dhe gjetjet arkeologjike thonë se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikulotëve. Zbulimi i një vendbanimi shpellor në fshatin Dajç, tregon për vijimësinë e gjurmëve të jetës në këto zona, Ndërkohë gërmimet e kryera në vendbanimin e “Pusit të Thatë”, ofruan të dhëna të reja mbi periudhën e bronzit të hershëm (2100-1200 p.e.s). Në ecurinë e kërkimeve arkeologjike të krahinës së Kukësit, janë studiuar edhe vendbanimet e periudhës protoqytetare dhe qytetare ilire, ku mund të përmendim vendbanimin në Kodrën e Pecës si qendër të shek. IV-II p.e.s.

Zbulimet arkeologjike e kanë provuar vijimin e banimit të kësaj treve edhe përgjatë periudhave të më vona. Në gjysmën e parë të shekullit XVIII Kukësi popullohej me banorë të ardhur nga fshati Osmanaj (Bicaj). Në këtë kohë, ai njihej me emrin Drinabardh, deri në vitin 1922 kur u përfshi në Perfekturën e Kosovës. Në dhjetor të 1944 u vendos administrata e re e prefekturës dhe qyteti filloi të lëvize me shpejtesi drejt një qëndre të vërtetë administrative, politike, ekonomike, kulturore e sportive.

Në vitin 1962 u mor vendimi i qeverisë për përmbytjen e Kukësit dhe filloi ndërtimi i qytetit të ri që njohim dhe sot.


Pamje nga Kukesi

Kulturë e traditë

Pozicioni në udhëkryqet e rrugëve mesjetare dhe më të reja, ka bërë të mundur që ky rajon të popullohet që në periudhat e hershme, duke na lënë trashëgimi një pasuri të madhe kulturore. Monumentet Kulturore të shpallura në këtë zonë janë të karakterit arkeologjik, historik dhe një i karakterit arkitekturor. Qyteti i Kukësit përveç natyrës malore ofron dhe potenciale kulturore, ku përfshihet e gjithë trashëgimia materiale dhe shpirtërore e cila vihet në shërbim të turizmit.

Kukësi mund të konsiderohet dhe si djep i kulturës popullore. Në trashëgiminë kulturore të qytetit përfshihen tre krahina etnografike; Luma, Gora dhe Malziu, të cilat njihen për elementë të spikatur përsa u takon vecorive të veshjeve tradicionale. Vlen të përmendim veshjen me mbështjellëse të Lumës, e cila është një veshje e bardhë, atë të Gorës, si dhe veshjen e Malziut, e cila për nga paraqitja ka një ngjashmëri me veshjen e Tropojës. Karakteristike për burrat është veshja me tirqe e cila është një veshje që përdoret pothuajse në të gjitha krahinat. Sa i përket këngëve, ato interpretohen me cifteli, lahutë dhe fyell. Ndërsa kërcimet interpretohen kryesisht me lodra, curle, gajde dhe cifteli. Vallja e shqipes dhe vallja me shpata e burrave të Lumës janë unike. Qyteti i Kukësit njihet edhe për prodhimin dhe përpunimin e qilimave e sixhadeve, të cilat janë shtroje tradicionale të lesht,a të punuara me vegjë.

Kostume popullore te Kukësit

Kukësi ndodhet në mesin e katër krahinave me një folklor shumë të zhvilluar. Banorët i ruajnë mirë traditat kulturore të zonave nga kanë ardhur. Kjo është evidente në ceremonine e dasmave dhe menyrën e jetesës. Në qytetin e Kukësit folklori është shumë i zhvilluar dhe tradita zbatohet shumë. Tipike për krahinat e Lumë dhe Malzi përsa i takon folklorit muzikor është homofonia, shoqërimi i këngës së burrave me çifteli. Nërsa në Gorë mungon rapsodia dhe zotëron polifonia.

Për zonën e Lumës dhe Gorës tipike është vallja gjysmërrethi, ndërsa dyshja për Malëziun. Ndërkohë që vlen të përmendet dhe “Vallja e Kukësit”, e cila shquhet për dinamizmin dhe brendinë artistike të saj. Sa i përket folklorit dramatik ai shoqërohet me vargje të kënduara nga shikuesit, dhe lidhet me stinët dhe ditët e motmotit që mund të përmendim Plakëzat e Topojani, Xhamballat e Gorës, Ndarja e bjeshkës nga Malëziu.

Trashëgimia arkitekturore zë një vend të veçantë duke na shpalosur dhe një herë trashëgiminë e pasur të këtij rrethi. Monumentet arkitektonike mund të klasifikohen në dy kategori kryesore: ndërtesa ku u zhvilluan ngjarje të rëndësishme historike dhe përmendore që i dedikohet figurave të rëndësishme historike.

Pamje nga lart e qytetit të Kukësit

Turizmi

Kukësi paraqet mundësi reale për zhvillimin e turizmit. Ai është kthyer tashmë në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë, për vet kushtet e përshtatshme natyrore dhe peisazhin e bukur të natyrës, që paraqet, si dhe për pasuritë kulturore e historike. Në qytetin e Kukësit mund të shijosh disa lloje të turizmit, si turizmi malor, peisazhor, kulturor, rural dhe ai fetar.

I njohur si nje banim i hershëm në Kukës mund të vizitosh vendbanime të lashta si ato të Kolshit, Kënetës si dhe tumat ilire në Cinamak dhe Bardhoc. Vende të tjera të vizitueshme arkeologjike janë: Kështjella e Vilës, Kështjella e Pecës, Hisari i Domajve etj. Ky rreth krahas vlerave arkeologjike ka vlera të çmueshme historike. Më e spikatur është lufta e popullit të Lumës ndaj serbëve zhvilluar në Qafë të Kolosianit.

Ndërkohë të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. Një ndër destinacionet më kryesore është parku natyror Korab-Koritnik. Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Sa i përket turizmit rural, ai ka mundësi të zhvillohet falë pasurive të shumta natyrore dhe kulturore që përmbajnë zonat rurale, ku janë të ruajtura dhe mbajtura gjallë traditat, zakonet, ritet etj. Zonat tipike ku mund të zhvillohet turizmi rual janë zona e Shishtavecit, Bicajt, Liqenit të Fierzes. Bashkë me zhvillimin e turizmit rural del në pah dhe turizmi gastronomik, i cili është elementi që prek nga afër zonën në të cilën spikatin gatimet tradicionale të rajonit si: peshku i liqenit Luçipern, raki shtëpie të prodhuar nga rrushi ose kumbulla, boza e famshme, djathi i bardhë i deleve (Çajës), kos i famshëm i Kroit të Kuq, mjalti i gështenjave, mish i tharë, i pjekur, flia, petë misri, pite (byrek),etj.

Flija në saç, gatim karakteristik i Kukësit

Sa i përket turizmit fetar, qyteti i Kukësit ka një pasuri të madhe të objekteve fetare, të cilët paraqesin interes të veçantë për turistët. Madhështia e tyre, legjendat, historitë për shpëtimin e njerëzve dhe zgjidhja e problemeve janë elementët, të cilët tërheqin vizitorët në këtë rajon, duke vizituar Teqen e Dërvish Ismailit (Buzëmadhe) në fshatin me të njëjtin emër si dhe Teqja e Sheh Kadrisë (Shtiqën).

Elida Lazi/ redaktorja Wang Lei