Në thelb në Shqipëri, ato që prodhon toka dhe ato që rrit njeriu, konsumohen dhe gatuhen, prandaj frutat, perimet, mishi, qumështi janë baza e kuzhinës tradicionale. Një kuzhinë e thjeshtë, e lidhur me stinët, klimën dhe rajonin, një kuzhinë natyrale, që shumë restorante në Tiranë kanë preferuar ta ruajnë si traditë dhe ta ofrojnë për klientët e huaj dhe vendas.

Gjatë shekujve, megjithatë, ka pasur disa dominime që kanë ndikuar fuqimisht në vend dhe për këtë arsye edhe në kuzhinën e tij; nga veriu në jug në fakt do të gjeni specialitete të ndryshme lokale, por do të vini re praninë e disa elementeve që rishfaqen në tryezat e të gjithë territorit shqiptar. Ekzistojnë tre ndikime kryesore të huaja që, së bashku me traditat e vjetra, kanë formuar kuzhinën shqiptare. Dhe këtu kemi parasysh kuzhinën turke, greke dhe mesdhetare.

Ndonëse në Tiranë numri i restoranteve është shumë i madh dhe mund të gjeni nga të gjitha llojet, ne do të flasim për tre restorante mjaft të njohur dhe të vlerësuar për kuzhinën tradicionale dhe mikpritjen e tyre.

Restorant Oda

Ngjitur me zonën e Pazarit të Ri, ndodhet një restorant i vogël i quajtur Oda, i vlerësuar si një nga dhjetë restorantet për t’u provuar në Tiranë sipas sitit Culture Trip. Emri i referohet dhomave të vogla në shtëpitë tradicionale otomane të Tiranës dhe ambjentet e brendshme janë të dekoruara në përputhje me stilin e këtyre shtëpive. Ushqimi është autentik, i shijshëm dhe i përballueshëm për çdo portofol. Këtu do të gjeni dhe rakinë e shtëpisë më të mirë. Mund të zgjidhni mes rakisë së rrushit dhe kumbullës!

Oda është vërtet një restorant i mirë, ku mund të provoni kuzhinën e vërtetë të shtëpive shqiptare, me mish të pjekur në zgarë. Pa harruar fërgesën tipike të Tiranës, bazuar në speca, gjizë, hudhër, qepë dhe erëza të ndryshme, për ta ngrënë me pak bukë të thekur. Po kështu patëllxhanët dhe specat e mbushur, apo si ëmbëlsirë, shëndetlijen.

Pronarja është një profesioniste që di të argëtojë shumë mirë mysafirët e saj, në shqip, anglisht dhe italisht, me një fjalor të pasur që lë të kënaqur çdo mysafir.

Mullixhiu

I konsideruar restoranti më mikëpritës e i shijshëm i Tiranës dhe i përmendur në të gjitha listat e vendeve ku duhet të hash në kryeqytet, ky restorant ka rrëmbyer zemrat si të vendasve, ashtu edhe të turistëve. Kjo i detyrohet sa sharmit të shefit të famshëm Bledar Kola, apo drurit të bukur dekorues e atmosferës së ngrohtë, aq edhe mënyrës kreative përmes të cilës vijnë disa nga pjatat më tradicionale shqiptare.

Ju nuk mund të thoni se keni qenë në Tiranë nëse nuk keni shkuar të paktën një herë te Mullixhiu.

Mullixhiu është restoranti ku gjithçka bazohet tek riinterpretimi i traditës shqiptare dhe produkteve të saj, në të cilin bazohet pjesa më e madhe e punës së stafit.

Ju e kuptoni këtë menjëherë, duke parë laboratorin, ku drithërat që mbërrijnë nga ferma Mrizi i Zanave, (bashkëpronar i restorantit), dhe më pas shndërrohen në jufka që më pas gatuhen me kërpudha dhe bukë që piqen në furrë me dru. Menuja alternon propozime që janë të gjitha të njohura edhe për ne, djathra të prodhuara nga vetë ferma, sallata me lakër, japrak me oriz, mish i pjekur, etj.

Sigurisht në fund do t'ju mahnisë akullorja me bozë (lëng misri i thartuar) shoqëruar me kadaif me karamel.

Shef Kola fitoi çmimin e 3-të në garën e organizuar nga World Gourmet Society Best Plate në Monte Karlo, përmes një pjate tradicionale, që ka një vend special në zemrën e çdo shqiptari: trahanasë së ëmbël. Po kështu ka fituar edhe disa çmime të tjera europiane.

Çdo detaj në këtë restorant është interesant, duke filluar nga hapësira jashtë e restorantit me barishte dhe perime të mbjella, që tregojnë produktet e freskëta.

Bujtina e Gjelit

E ndërtuar në vitin 1992, ky bar-restorant- hotel është i pozicionuar në lagjen legjendare të Don Boskos në Tiranë. Kjo bujtinë është e ndërtuar në mënyrë mjeshtërore përmes ndërthurjes së materialeve të hekurit, drurit dhe gurit.

Eshtë ndër restorantet e parë të hapur në Tiranë, pas viteve '90, që ka fituar popullaritet të madh.

Sot e kësaj dite është i preferuar sidomos për të huajt të cilët duan të provojnë kuzhinë tipike shqiptare.

Shumica e produkteve që serviren në restorant vijnë nga "Ferma e Gjelit" dhe janë të freskëta e organike. Duke përdorur furrat me tulla dhe pajisje të tjera tradicionale, menuja ka një shije autentike shqiptare, si derrkuc, qengji i pjekur në furrë, suxhuk të gatuar me thëngjill, byrek dhe lakror të pjekur në prush,etj.

Sidmos në ditët apo mbrëmjet e dimrit, kënaqësia është mjaft e madhe, pasi ju keni mundësi të shijoni verën apo rakinë e shtëpisë, pranë oxhakut, duke shijuar ushqimin që piqet mbi prushin e tij.

Këtu mund ta shijoni tavat e zarzavateve, psh specat e mbushur, fërgesën me speca, tre lloje salsash të shoqëruar me kulaç, rosa dhe shpendë të tjera që vijnë direkt nga ferma.

Një piano e vendosur në sallën kryesore ju fton të uleni në fronin e saj, t’I bini melodisë që doni, ndërsa miqtë dhe familjarët tuaj ju shoqërojnë me këngën që ju mbush zemrat!

Neritana Kraja