Kina është një vend i njohur për sa i përket çajit, i cili është edhe pija e përditshme e kinezëve. Por me thellimin e pandërprerë të shkëmbimeve me botën e jashtme, sot edhe kafeja është bërë një pije e përhapur në Kinë. Në qytetet e mëdha kineze mund të gjeni kudo kafene dhe pirja e kafesë po bëhet një modë veçanërisht ndër të rinjtë.

Historia e kafesë në Kinë nuk është shumë e gjatë. Sipas shënimeve, në vitin 1884, kafeja u mboll për herë të parë në Kinë në ishullin e Tajvanit, duke hapur kështu siparin e pirjes së kafesë në Kinë. Në fillim të shekullit të 20-të, kafeja hyri edhe në pjesën e brendshme të Kinës. Një misionar francez e solli kafenë në kontenë Yibin të Yunnan-it për ta mbjellë, sepse atje ka kushte të përshtatshme klimatike. Sot Yunnan-i është ende krahina kryesore e mbjelljes së kafesë në Kinë, ku prodhohet kafe me cilësi shumë të lartë.

Për një periudhë të gjatë pas hyrjes së kafesë në Kinë, kjo pije ende nuk u popullarizua aty, derisa në vitin 1980, gjiganti ndërkombëtar i kafesë “Nescafe” hyri në tregun kinez. “Nescafe” solli së pari kafen e çastit. Nën ndikimin e reklamave të vijueshme televizive, kafeja nisi të hyjë në jetën e kinezëve. Në atë kohë, fjalia në reklamë “Ka shije të shkëlqyer” u bë madje një shprehje popullore në shoqërinë kineze. Më pas, edhe marka tjetër ndërkombëtare “Maxwell House” hyri në Kinë.

Popullarizimi i vërtetë i kafesë në Kinë duhet të jetë bërë me hyrjen e “Starbucks”-it. Në janar të vitit 1999, “Starbucks” hapi në Pekin kafenenë e parë në pjesën kontinentale të Kinës. Me imazhin e vet modern, kjo kompani amerikane e lindur në vitet '70 të shekullit të kaluar, ngjalli menjëherë entuziazmin e konsumatorëve kinezë për pirjen e kafesë. Veçanërisht ndër të rinjtë, pirja e kafesë u bë një gjë e modës. Deri tani “Starbucks” ka hapur mbi 4700 kafene në më shumë se 180 qytete kineze.

Sot kafja është bërë me të vërtetë pjesë e jetës së kinezëve. Në Pekin, krahas markave ndërkombëtare të kafeve, si “Starbucks”, “Costa” etj., ju propozojmë të vizitoni kafenetë e shpërndara nëpër hutongët (rrugicat e vjetra tradicionale) të qytetit. Këto kafene janë të zbukuruara zakonisht me stilin e qytetit të lashtë të Pekinit, dhe në to mund të shijoni kafe të shijeve të ndryshme të botës. Në kohën e lirë, pirja e kafesë në hutong së bashku me shoqërinë duke biseduar, është një gjë shumë e këndshme. (Fani)