Artisti bashkëkohor Adrian Paci rikthehet me një instalacion në Bulevard.

Një bankë e vjetër shkolle dhe dy fletë bronxi të mbështetura mbi të. Mbi fletën e parë disa shënime fëmije, ndërsa në fletën e dytë fraza të shkruara bukur. Banka është vendosur nën hijen e një peme në Bulevard.

Veprës “Bukurshkrimi”, anash i qëndrojnë dy ministri, ndërsa përballë Katedralja ortodokse. Ajo çka shkruhet në to, tregon forcën e propagandës së para viteve '90, që i imponohet një djali 6 vjeçar.

Artisti Adrian Paci, i ndërkombëtarizuar me veprat e tij, një pjesë e të cilave ka fituar edhe çmime ndërkombëtare, sjell këtë vepër të re në kryeqytet, në bashkëpunim me "Harabel", një platformë e Artit Bashkëkohor në Tiranë.

"Unë kam më shumë se një vit që jam në dialog për të menduar dhe prodhuar një vepër publike. Sigurisht ideja e parë kur mora një ftesë të kësaj natyre ishte që Tirana nuk ka nevojë për një monument që mahnit njerëzit, që njerëzit i kthen thjesht në spektator, që duhet thjesht ta sodisin veprën. Unë e kisha që në fillim idenë që të bëj një ndërhyrje, që jo vetëm të shihej, por edhe si të thuash, të përdorej nga publiku, nga ai që e jeton hapësirën publike. Kështu që ideja për të gjetur një hapësirë në Tiranë, por nga ana tjetër për të gjetur edhe ndërhyrjen e cila relacionohet, futet në marrëdhënie me hapësirën edhe bëhet objekt, i cili futet pastaj edhe me banuesin e hapësirës, pra me qytetarin. Sigurisht, duke aktivizuar njëkohësisht edhe memorien, edhe nostalgjinë, por edhe mendimin kritik. Ndoshta edhe dyshimin.

Unë nuk mendoj që arti duhet të bëjë deklarata dhe thjesht të lëshojë mesazhe. Arti gjithmonë ofron edhe një hapësirë ambiguiteti dhe kjo hapësirë ambiguiteti është hapësira ku pastaj ponon fantazia, punon imagjinata, punojnë kujtimet e gjithsecilit".

“Bukurshkrimi” është një punë artistike që artisti ka menduar ta vendosë në një hapësirë publike në zemër të Tiranës.

Ideja zë fill nga një fletore bukurshkrimi e klasës së parë, që artisti e ka gjetur rastësisht në reliket e vjetra. Eshtë tërhequr prej saj, pa e ditur se disa vite më vonë dy faqe do të merrnin jetë në veprën “Bukurshkrimi”.

Mbi fletën e pare disa shënjime fëmije, të cilat ende nuk janë fjalë, por pikënisje e një artikulimi të ardhshëm. Mbi tjetrën lexohen të shkruara bukur disa fraza: “Tirana është kryeqyteti ynë”; “Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”; “Tirana po zbukurohet dita-ditës”.

Vepra hulumton së pari marrëdhënien e pushtetit politik me gjuhën si mjet manipulimi, por vjen gjithashtu si reflektim i vetë pushtetit të gjuhës, e cila është në thelb një bashkësi kodesh që marrin kuptim përmes përmbajtjes.

"Idenë e punës me këtë fletore bukurshkrimi e kisha aktivizuar qysh më herët, por në forma të tjera. E kisha aktivizuar në një revistë hollandeze, të cilët më kishin kërkuar një kontribut. E kisha aktivizuar edhe vitin që shkoi në ekspozitën personale që pata në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke rreshtuar në faqen e murit dhjetë fletë nga fletorja. Nga ato zhgarravinat e para deri tek fraza.

Pozicioni ose gjesti im si artist është të riaktivizoj si bankën, në një farë mënyre si objekt, por edhe bankën duke futur këtë elementin e çimentos, e cila duket më tepër si një stol parku. Eshtë gjithmonë mes një stoli parku dhe banke, patjetër edhe të një banke kishe. Pra të duket sikur të fut në një moment reflektimi, në një moment lutjeje. Pema që është përballë saj ka një rol shumë të rëndësishëm për ta kompletuar veprën. Ajo bankë dialogon me pemën dhe lë nga pas çdo gjë që është rreth saj. Kështu që ka disa elemente që unë si artist i riaktivizoj, nuk është se i shpik".

Artisti thotë se kjo vepër ka ardhur para syve të publikut për të ngjallur një reflektim të brendshëm mbi marrëdhëniet mes gjuhës dhe pushtetit. Gjithçka është para syve të publikut. Dhe është shumë e rëndësishme që ky publik ta plotësojë veprën, duke bërë interpretimin e tij.

"Në një farë mënyre vepra plotësohet me prezencën e publikut dhe kjo mendoj se është shumë e rëndësishme për veprën e artit publik. Pra ideja se ty nuk po të afrohet diçka thjesht për ta soditur, por po të afrohet diçka për tu riaktivizuar, edhe duke e interpretuar, duke e lexuar, por edhe duke e përdorur. Duke u ulur në të fizikisht".

Menjëherë pas inagurimit të veprës, banka ka gjetur interesimin dhe kureshtjen e publikut, gjë e reflektuar sidomos në fotografitë e postuara në rrjetet sociale. Artistë, shkrimtarë por edhe politikanë me familjarët e tyre kanë publikuar në rrjetet sociale fotografi nga momentet që ato kanë kaluar të ulur pranë bankës, sigurisht duke qenë të lirë për të interpretuar....

Vepra “Bukurshkrimi” është parashikuar të qëndrojë në bulevard për një periudhë afatgjatë.

Sipas marrëveshjes, puna do të qëndrojë e ekspozuar për tre vjet, pasi ajo vërtet jep një kontribut, por edhe zotëron një hapësirë publike. Gjithçka ngelet për tu parë pas tre vitesh, nëse qyteti do ta pranojë veprën, e cila do të vazhdojë të rrijë aty përgjithmonë, apo artisti do ta marrë me vete.

Adrian Paci ka lindur në Shkodër dhe ka studiuar pikturë në Liceun Artistik të qytetit të lindjes e më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Ai është bir i një mësueseje të fillores dhe një piktori të famshëm të kohës, që fatkeqësisht vdiq i ri në një aksident automobilistik.

Në vitin 1997 ai u vendos në në Milano, ku jeton dhe punon. Gjatë karrierës së tij Adrian Paci ka ekspozuar në bienale të rëndësishme, si ajo e Venecias, si dhe në shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Është vlerësuar me shumë çmime dhe vepra e tij ka gjetur jehonë nga kritika e huaj.

Shpesh artisti 50 vjeçar kthehet në atdhe për të dhënë kontributin e tij në fushën e artit bashkëkohor.

Neritana Kraja