Në fillim të nëntorit, në plenumin e 5-të të Komitetit Qendror të zgjedhur në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, u miratuan "Propozimet e KQ të PKK-së për hartimin e Planit të 14-të 5-vjeçar të Zhvillimit Ekonomik e Shoqëror të Kinës". Ky dokument shënon nisjen e një periudhe të re të zhvillimit të vendit, në bazë të realizimit me sukses të objektivit të shoqërisë relativisht të begatë me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Kinës (2021).

Gjatë hartimit të këtij plani madhor është mbledhur mençuria e të gjithë Partisë dhe vendit, përfshirë edhe shumë kinezë të thjeshtë. Pan Jiuren është njëri prej tyre.

Më 17 shtator paradite u zhvillua në Changsha, kryeqendrën e provincës Hunan të Kinës Jugore, biseda me përfaqësuesit e bazës, e drejtuar nga presidenti i Kinës, njëherësh sekretari i përgjithshëm i PKK-së, Xi Jinping. Në këtë bisedë foli i pari Pan Jiuren, nëndrejtori i një shkolle fillore në lokalitetin Tashan të kombësisë yao. Atij nuk i shkonte ndër mend se do të kishte rastin t’i raportonte për punën ballë për ballë sekretarit të përgjithshëm Xi Jinping dhe se do të paraqiste propozime për Planin e 14-të Pesëvjeçar.

“Në radhë të parë, nuk ka numër të mjaftueshëm mësuesish dhe ka një mungesë strukturore të stafit. Së dyti, mësuesit e mirë nuk mund të qëndrojnë gjatë...” Pan shprehu haptazi problemet që ekzistojnë në arsimin themelor në zonat e largëta të pakicave kombëtare.

“Paraqite një problem shumë real,” iu përgjigj Xi Jinping-u. “Dje vizitova Shkollën Fillore Nr. 1 të lokalitetit Wenming të kombësisë yao. Në oborrin e shkollës gjenden ndërtesa e klasave, konvikti dhe mensa, ku dreka është falas. Fëmijët atje janë plot gjallëri. Kjo tregon se, pas Reformës e Hapjes, është zgjidhur në përgjithësi problemi i popullarizimit të arsimit të detyrueshëm, po është shfaqur dhe problemi i mosekuilibrimit të burimeve arsimore. Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar, do të përpiqemi ta zgjidhim këtë problem. Do ta studiojmë si duhet.”

Si një banor vendës i kombësisë yao i lokalitetit Tashan, Pan Jiuren-i u kthye në vendlindje pas diplomimit dhe u bë mësues. Gjatë 27 vjetëve në këtë profesion, ai ka parë ndryshimet e gëzueshme në sektorin arsimor të vendlindjes.

Ai tha se, kur sapo nisi punë si mësues në shkollën fillore, kushtet në shkollë ishin shumë të këqija. Shkolla kishte vetëm disa klasa me qerpiç. Nuk ishin të rralla rastet e lënies së shkollës prej fëmijëve. Ai ishte shumë i shqetësuar për këtë.

“Me përkrahjen e pushtetit vendor, lokaliteti Tashan i kombësisë yao doli nga varfëria në vitin 2018. Edhe kushtet e mësimit dhe cilësia e arsimit janë përmirësuar shumë.” Pan Jiuren tha se fëmijët tani gëzojnë një shkollë të re të bukur, klasa multimediale, fushën e futbollit me pesë veta, objekte të larmishme sportive, si dhe ushqim të pasur. Tani përqindja e ndjekjes së arsimit të detyrueshëm në lokalitetin e tij arrin në 100 %. Sivjet, mbi 10 nxënës u pranuan në shkollën e lartë.

Fjalët e presidentit Xi Jinping në bisedë e inkurajuan shumë Pan Jiuren-in. Ai mendon se çështja e arsimit në fshat do të ketë perspektivë më të mirë. “Do të vazhdoj ta ngre nivelin e mësimdhënies dhe të përpiqem të jem një mësues i mirë, që të bëhem ‘shkallë’ për rritjen e nxënësve dhe të kultivoj sa më shumë talente për vendin,” shprehet ai.

Propozimet e banorëve të thjeshtë për Planin e 14-të Pesëvjeçar u mblodhën jo vetëm nëpërmjet bisedave qeveritare.

Në mes të gushtit, kur shikoi rubrikën e mbledhjes së propozimeve për Planin e 14-të Pesëvjeçar në uebsajtin e CCTV-së, përdoruesi i internetit “Wen Qin Zhi Ya Yi” komentoi: “Përkujdesi ndaj të moshuarve është bërë fokusi i sigurimeve shoqërore dhe ky problem është më i dukshëm në fshat, sepse në zonat rurale, plakja e popullsisë është më serioze. Prandaj, është i domosdoshëm gjetja e një modeli efektiv të kujdesit për të moshuarit në fshat. T’u ofrohen të moshuarve të fshatit shërbimet e përkujdesit, të mjekimit dhe të dëfrimit.”

Pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër përdorues i internetit me emrin “Yunfan” paraqiti propozimin në uebsajtin e gazetës “Renmin Ribao”: “Lulëzimi i fshatit duhet të nisë nga ndihma reciproke në kujdesin ndaj të moshuarve, që bijtë e bijat e tyre të punojnë të qetë në qytet. Financat qeveritare duhet të investojnë në ndërtimin e mensave e fjetoreve publike, që të moshuarit të kenë mundësi të banojnë falas dhe të jetojnë bashkërisht. Kështu që ata që janë relativisht të rinj mund të kujdesen për më të moshuarit dhe më të dobëtit, që të formohet modeli i përkujdesit për të moshuarit në mënyrë të ndërsjellë.”

Propozimeve të përdoruesve të internetit grupi i hartimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar u kushtoi rëndësi. Në bazë të studimeve të gjithanshme, në këtë plan përfshihet veçmas përballimi i problemit të plakjes së popullsisë në fushën e shëndetësisë dhe përcaktohet “Strategjia kombëtare për përballimin aktivisht të plakjes së popullsisë”. Njëkohësisht, edhe modeli i “kujdesit ndaj të moshuarve me ndihmë të ndërsjellë” u përfshi zyrtarisht në dokument.

Brenda dy javëve, u mblodhën mbi 101 mijë sugjerime nga përdoruesit e internetit, të cilat ofruan referencë për hartimin e Planit të 14-të Pesëvjeçar. (Wang Lei/ Artani)