Ka gati tre vjet që Galeria Kombëtare e Arteve ka ndërmarrë një rrugë transformuese. Nën drejtimin e Erzen Shkolollit, por edhe falë punës së një skuadre profesionistësh të dedikuar, institucioni kryesor i artit në Shqipëri ka fituar dinjitetin që i mungonte prej vitesh.
Nga arkiva e hapur ne Galerine e Arteve
Pa bujë, pa deklarata e premtime, pa reklama e fjalë boshe, por duke u marrë së pari me pjesën e padukshme e mandej duke mbërritur te ndërtimi i programeve e realizimi i tyre, Galeria Kombëtare e Arteve është transformuar në një pikë të randësishme referimi, ku prezantohet një narracion i sofistikuar mbi artet vizive, nëpërmjet ndërtimit të ekspozitave personale e kolektive, nga bashkëkohësia dhe nga tradita, me artistë vendas dhe të huaj, duke na e rizbuluar gjithherë arkitekturën e galerisë me një freski të papritur.
Një ndër arritjet e Galerisë Kombëtare të Arteve është ekspozita me fondin e këtij institucioni ndër vite. Bëhet fjalë për atë fond që përbën një pasuri të jashtëzakonshme kombëtare, pasi janë vepra të cilat datojnë që nga viti 1898 deri në vitin 1999. Pjesë e kësaj ekspozite përveç pikturave, janë edhe skulpturat, skicat, karikaturat më të mira ndër vite.
Ekspozita e hapur më 18 shtator do të presë vizitorët pa afat kohor, madje është menduar që veprat të jenë pjesë e një lloj linje muzeale, çka do të thotë që mund të jenë përgjithmonë të ekspozuara për publikun.
Erzen Shkololli drejtor i Galerise Kombetare te Arteve
Kuratori që ndërkohë është edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Artit, Erzen Shkololli flet me entuziazëm për median për Arkivin e hapur të Galerisë së Arteve, që nga arkivat e errëta dolën në dritë të diellit, për t’i parë dhe ridimensionuar një publik i gjërë. Ai orienton për publikun e gjërë mënyrën e qasjes drejt këtij arkivi shumë të diskutuar, duke bërë ndarjen e elementit estetik nga ai ideologjik:
“Kjo është një pasuri që i përket çdo qytetari të Shqipërisë besoj dhe sigurisht ka qenë e ekspozuar në momente të ndryshme jo me këtë numër, sidomos pjesa e skulpturës. Këtu është ekspozuar vetëm një pjesë e skulpturave, domethënë sasi e konsiderueshme të cilën e kemi nxjerrë, gjatë gjithë këtij viti, por do ta nxjerrim edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Besoj se është shumë e rëndësishme periudha e realizmit socialist. Gjithmonë është thirrur periudha e “realizmit socialist”, ose “shkojmë të shohim pikturat e realizmit socialist”. Autori dhe artisti pak është përmendur sidomos nga të rinjtë. Na interesonte shumë, bashkë me kuratorët¸ njëra nga nga Kroacia dhe tjetri nga Polonia dhe vendosëm që me zbulimin e një pikture, të zbulojmë autorin dhe jo më periudhën.
Kjo ishte edhe një nismë se si do ta rimendonim këtë daljen, ose arkivin e hapur të galerisë. Pikërisht kjo është edhe ajo që kemi dashur të arrijmë, domethënë ku shihet artisti, ku shihet piktura, ku shihen ngjyrat, dhe nuk shihet momenti me sy paragjykues se kur është prodhuar kjo vepër. Besoj se është e koncentruar në artistin dhe kualitetin e punëve të cilat mendoj se janë të mrekullueshme.
Në fakt vendosja si vendosje është mjaft demokratike, sepse del me vite, pikturat vendosën me vite, edhe sigurisht pse është shumë e rëndësishme arkivi i hapur edhe pse do të vazhdojmë të nxjerrim vepra të reja dhe ekspozita vazhdimisht do të ndërtohet dhe do të plotësohet, sepse mendoj që është me shumë rëndësi sidomos për një vend që ka kaluar një periudhë të gjatë të mbylljes në shumë aspekte.
Nga ekspozimi ne Galerine e Arteve
Mendoj se një transparencë e një pasurie të tillë , por edhe e një institucioni si Galeria Kombëtare, qoftë me arkivin e hapur si kjo, por qoftë edhe me mundësinë për hulumtues, për tekstshkrues, për historianë, për studentë, për qytetarë, për rininë sidomos, për ta zbuluar koleksionin, por gjithashtu edhe ndjesia, na intereson shumë gjithmonë, por edhe në këtë kohë që është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë botën, që në një moment në galeri të harrosh për të gjitha brengat e tua ditore, ose të gjithë ditën, të cilat i ke jashtë galerisë. Domethënë ke një moment kur ndalesh dhe e ke vetëm për vete dhe për veprat e mrekullueshme që galeria ka në koleksion.
Mendoj qe është shumë e rëndësishme, secila pjesë, secila vepër e koleksionit, të shihet me distancën edhe të kohës, por edhe me respektin që duhet t’i japim artistit. Edhe për faktin që nuk e besoj qe artistët, por as ndonjë qytetar i thjeshtë zgjedh çfarëdo ideologjie të një kohe të caktuar.
Besoj se gjithsecili vepron në mënyrën më të mirë të mundshme të realizojë veprat e tyre dhe këtu besoj se kemi fakte të tilla sa të duash. Jemi krenarë që i kemi dhënë secilit medium hapësirën e duhur, domethënë në hyrje kemi karikaturën, në dyqanin ose shop-in e galerisë kemi qeramikë dhe vazot, në bibliotekë kemi grafikat skulpturat në hapësirë, pikturat…. Domethënë secilin detaj që e ruajmë në arkivin tonë, i japim respektin e duhur”, - shprehet Shkololli.
Nje nga pavionet e Arkivit te hapur
Tani që hapësira e Galerisë e mori dinjitetin e vet, mbetet të ndërtohet hapësira e diskutimit, e studimit, e debatit dhe artikulimit të pozicioneve.
Nëse ndryshimi i fytyrës së institucionit është detyrë e drejtuesit dhe skuadrës së tij, ndërtimi i një diskursi të emancipuar dhe një debati, qoftë edhe të ashpër, por të frytshëm publik, është detyrë e të gjithë aktorëve të skenës, ku Galeria Kombëtare mbetet e përfshirë, por ku publiku nuk është më vetëm spektator, por kthehet në protagonist.
Në këtë ekspozitë të veçantë mund të shohim veprat e artistëve më të mirë ndër vite si Sali Shijaku, Anastas Kostandini, Zef Shoshi, Ismail Lulami, Danish Jukniu, Edi Hila dhe shumë artistë të tjerë.
Ekspozita është e hapur për vizitorët çdo ditë të javës nga e hëna në të shtunën nga ora 10 deri në 16-30. Vlera simbolike e biletës është 200 lekë të reja.
Neritana Kraja/ Redaktorja Wang Lei