Shangai është qyteti më i lulëzuar i Kinës, madje edhe i Lindjes së Largët, dhe zona e tij e quajtur "Waitan" ("Diga") dhe e njohur si "Bund" nga të huajt, është dritarja e këtij qyteti të lulëzuar. "Diga" e Shangait gjendet buzë lumit Huangpu që përshkon qytetin. Në këtë brez 1.5 kilometra të gjatë përqendrohen 52 ndërtesa të stilit klasik perëndimor, të ndërtuara nga viti 1906 deri në 1937-n. Sot "Diga" e Shangait është një bllok historik e kulturor i Kinës dhe "marka" e këtij metropoli modern.

Pas humbjes së Luftës së Parë të Opiumit (1840-1842), autoritetet e atëkohshme të dinastisë Qing u detyruan të nënshkruajnë me qeverinë britanike “Traktatin e Nankinit”, duke i dhënë asaj dëmshpërblim dhe duke i hapur portet tregtare. Që nga ajo kohë, Kina u bë një vend gjysmëfeudal e gjysmëkolonial. Ndër pesë portet tregtare të hapura sipas traktatit, u përfshi edhe Shangai, dhe në vitin 1844 zona e "Digës" iu dha me koncesion Britanisë, duke hapur siparin e modernizimit të qytetit.

Fillimisht, në "Digën" e Shangait u përqendruan kryesisht institucione financiare e të tregtisë së jashtme, ndërsa më vonë edhe shumë banka, dhoma tregtie, zyra etj. të huaja dhe "Diga" u bë qendra financiare e Kinës, madje edhe e Lindjes së Largët, duke u quajtur edhe si “Uollstriti i Lindjes”. Në gusht të vitit 1943, "Diga" iu kthye qeverisë kineze, duke përfunduar historinë e koncesionit.

Në vitin 1873 u përurua në këtë zonë konsullata e Britanisë, konsullata e parë e huaj në Shangai. Në vitin 1897 u krijua në "Digë" banka e parë tregtare e Kinës. Në vitin 1937 u përurua këtu ndërtesa e Bankës së Kinës, që është e vetmja ndërtesë e kësaj zone e projektuar dhe e ndërtuar nga vetë kinezët.

Ajo që është sot ndërtesa nr. 10 në "Digë", ka qenë dega e bankës HSBC në Shangai, e cila u ndërtua në vitin 1923. Tre porta bronzi dhe dy luanë po të bronztë para ndërtesës janë prodhuar në Britani. Në majën e sallës së pritjes të ndërtesës ka tetë mozaikë muralë që paraqesin pamjen e tetë metropoleve botërore: të Shangait, Hong-Kongut, Londrës, Parisit, Nju-Jorkut, Tokios, Bangkokut dhe Kalkutës në fillim të shekullit të 20-të. Për ngritjen e kësaj ndërtese u shpenzuan 8 milionë liang argjendi (afro 400 mijë kilogramë argjendi) dhe ajo është cilësuar si “ndërtesa më e bukur nga kanali i Suezit deri në ngushticën e Beringut”.

Edhe ndërtesa nr. 13 i përkiste HSBC-së. Sahati i madh në sipërfaqen e jashtme të ndërtesës u kopjua nga “Big Ben” i Londrës dhe u prodhua nga kompania britanike "Joyce". Ky është sahati më i madh në Azi dhe një nga tre sahatet kryesore “Westminster” në botë. Dy të tjerat janë “Big Ben” dhe "Spask" në "Sheshin e kuq" në Moskë.

Sot "Diga" dhe zona "Lujiazui" e Distriktit të Ri Pudong në dy brigjet e lumit Huangpu janë bërë simboli i reformës dhe i hapjes me botën e jashtme të Kinës. Kur vizitoni qytetin Shangai, duhet të shkoni patjetër edhe te "Diga". (Fani/Artan)