Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “Qyteti me dy dete” apo “Porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar. Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare.Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Historia

Në periudhën e antikitetit qyteti i Vlorës njihej me emrin “Aulona” dhe shtrihej atje ku sot ndodhet vendi i quajtur Treport. Në një pozicion të favorshëm gjeografik, Aulona u përfshi shpesh herë në territorin e shtetit Ilir, Epirot dhe të Maqedonisë. Pas vitit 229 p.e.s, kur Roma theu mbretëreshën ilire Teutën, Aulona u bë pjesë e këtij shteti. Më pas ajo dhe rajoni përreth përmendet si ‘’teatër’’ i luftërave civile të zhvilluara midis اCezarit dhe Pompeut të madh. Peshkopata e Vlorës u krijua gjatë shekullit të II-të dhe këtu ushtroi aktivitetin e tij Shën Lefteri, një nga shënjtorët e Kishës. Rëndësia e Aulonës u rrit sidomos në fund të shekullit të V-të, kur pas braktisjes së Apolonisë ajo doli si pikënisje e rrugës Egnatia. Burimet historike e përmendin në shekullin e IX përsëri me emrin Aulona si një ndër qytetet e Themës bizantine të Durrësit. Ishin fushatat e Dinastisë normane Altavila që e kthyen rajonin përsëri në “teatër’’ të përplasjeve midis Bizantit dhe normanëve. Në vitin 1345 Vlora u pushtua nga Perandoria Serbe e Stefan Dushanit. Në vitin 1468 në prani të despotit Aleksandër të Vlorës u nënshkrua dokumenti me Republikën e Raguzës, në të cilin përmendet edhe i pari i familjes së Kastriotëve, si kështjellar i Kaninës. Më pas Vlora ra në duart e Muzakajve, Balshajve dhe së fundi Arianitëve. Turqit e pushtuan Vlorën në 1417, duke e zotëruar deri në vitin 1912. Gjatë shekujve të mëvonshëm Vlora u bë bazë e marinës turke për pushtimin e Italisë. Në 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit, Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Vlora u bë në vitet 1912-1914 kryeqyteti i parë i Shtetit Shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore Vlora u pushtua nga Italia.

Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore krahina e Vlorës shërbeu si baza kryesore e rezistencës antifashiste, kurse gjatë viteve të Luftës së ftohtë regjimi komunist e ktheu Vlorën në bazën më të madhe ushtarake detare të traktatit të Varshavës në detin Mesdhe.

Kultura dhe Trashëgimia

Vlora njihet si një nga qytetet që ka dhënë kontribut të shquar në kulturën kombëtare. Janë të shumta fushat nga ku ky qytet ka nxjerrë personalitete. Në Vlorë u hap muzeu i parë arkeologjik në vitin 1936, në të cilin u ekspozuan objektet e zbuluara në Apoloni nga arkeologu francez Leon Rei. Gjithashtu Vlora është quajtur edhe qyteti i statujave dhe monumenteve, ku mund të përmendim atë të Luftëtarit Kombëtar, Avni Rustemit, Monumentit të Pavarësisë, Marigo Poisos, Jani Mingës, etj.

Sot Vlora është qytet universitar dhe janë të shumta institucionet arsimore, kulturore dhe sportive si Biblioteka Shevqet Musaraj, Teatri Petro Marko, muzetë e shumtë, si ai historik, etnografik apo ai i pavarësisë. Dy nga vlerat e trashëgimisë kulturore që mbart rajoni i Vlorës janë edhe Polifonia Labe, e vlerësuar si pasuri e UNESKOS, apo këngët qytetare vlonjate.

Muzika e trevës së Vlorës është një ndër më antiket në Ballkan. Në këtë trevë gjenden mënyra të të kënduarit, të cilat përbëjnë gjurmë të një kulture të lashtë si: monofonia, këngë dyzërëshe me dhe pa iso, këngë trizërëshe pa iso, por me pritës ose mbajtës, iso shumzërëshe(polifoni) me tre e katër zëra. Zërat njerëzore zëvendësojnë gjithë instrumentat muzikore. Kur dëgjon këngët e Kurveleshit, Himarës, Dukat-Tragjas, këngët e kënduara në vallet e Vranishtit dhe Tërbacit, ndien se kontakton me një art te lashtë të traditës.

Turizmi

Vlora, qyteti ku shkrihet kaltërsia e detit me gjelbërimin e përhershëm është një qendër e rëndësishme turistike, kjo falë mjedisit të këndshëm bregdetar.Vlora përfaqëson një trevë me histori të lashtë dhe me një trashëgimi kulturore me vlerë të veçantë, që e bën atë më atraktive për turistët e huaj dhe shqiptarë.

Të gjithë këto elemente janë një potencial i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor, ku vlen të përmendim se ka mjaft gjurmë të vendbanimeve të hershme që dëshmojnë etnokulturën e banorëve të këtij qarku, ku ruhen ende të gjalla elementet folklorik.

Sheshi i Flamurit është ai që tërheq vizitorë të shumtë në cdo kohë, i cili përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, pas saj disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit. Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historike Justin Gotard, ku kaluan delegatët e Kuvendit të Pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoi për 400 vjet qytetin; rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, etj.

Ndërkohë Kuzum Baba, e nohur si një qendër fetare e sektit bektashi me vlera të mirëfillta, tërheq gjithmonë e më shumë turistë. Ajo është një nga vendet e pelegrinazhit që njihet që në vitet 1460 apo 1510 në dokumentet historike turke

Vlora për vlerat e shumta që mbart dhe falë vendodhjes gjeografike vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit, duke ofruar disa lloje turizmi si atë kulturor, historik, malor, sportiv, bregdetar, etj. Sa i përket traditës në kuzhinë, turistët mund të shijojnë pjatën simbol vlonjate, e cila mbetet qengji i pjekur në hell, me prush, i butë dhe njëkohësisht krokant. Krahas kësaj pjate menutë e restoranteve janë një larmi gatimesh me produkte deti. Veçojmë këtu tavën e peshkut, si dhe tavën me ngjala, që pëlqehen mjaft nga turistët e huaj. Një nga pijet e ofruara dhe pjesë e traditës së Vlorës është rakia e zakonshme apo ajo e ëmbël, që ka një teknikë të veçantë përgatitjeje.

Elida Lazi