Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në edicionin e tij të 58- në, ka shënuar suksesin e radhës.

Sivjet eshtë bërë një punë e jashtëzakonshme që festivali të bëhej, për të mos prishur traditën e gjatë të festivaleve, që është një ndër traditat më të bukura dhe jetëgjata të aktiviteteve kulturore në vend.

Në funksion të masave anti covid, organizatorët kanë shmangur Teatrin Migjeni, apo çdo sallë tjetër të mbyllur dhe i janë drejtuar liqenit.

Shiroka e mrekullueshme ka mikpritur fëmijët nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët treguan talentin e tyre me interpretime fantastike.

Pavarësisht situatës së pazakontë që po kalojmë, Festivali u bë i mundur falë punës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve Shkodër, fëmijëve dhe mësuesve. Organizatori dhe drejtuesi artistik i këtij aktiviteti prej 35 vitesh, Kujtim Aliaj tregon për mediat eksperiencën e tij në organizimin e këtij viti.

"Kemi bërë atë që Shkodra dhe Shqipëria kërkon, që festivali të mos e prishë traditën, të vazhdojë. Dhe këtë e kemi provuar edhe herë tjetër, e kemi bërë festivalin në kushte të tjera të vështira, siç kanë qenë vitet '90, '91, apo '92 si dhe vitet '97-'98. Në këto kushte dhe në këtë format vështirësie edhe ky vit u kapërcye".

Festivali, është një traditë e bukur që vijon të mbetet e tillë, nga kurajo, dëshira, pasioni dhe vendosmëria e organizatorëve të tij, të cilët nuk mund të heqin dorë.

Këtë vit u kënduan 18 këngë të reja, krijime të emrave të njohur të këngës dhe poezisë për fëmijë, që erdhën nën interpretimin e këngëtarëve të vegjël nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Sipas mjeshtrit Kujtim Alia, organizatori dhe drejtuesi artistik i këtij aktiviteti prej 35 vitesh, pandemia këtë vit ka ndikuar në zhvendjosjen në kohë dhe në kushtet e zhvillimit të festivalit, por aspak në krijimtarinë dhe gjeografinë e pjesëmarrësve.

Edhe këtë vit në festival kënduan konkurrentë të vegjël nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

"Kualiteti i këngëtarëve që është shumë i rëndësishëm, është shumë i mirë. Kur them këtë kam parasysh që këngëtarët pavarësisht nga vijnë, vijnë zëra shumë të bukur, që kompozitorët i kanë përzgjedhur dhe anagazhimi i kompozitorëv, i aranxhuesve shumë të mirë, bën që festivali të ketë kontraste, të ketë larmi".

Zoti Alia tregon se intereimi i kompozitorëve dhe i prindërve të fëmijëve konkurrentë ishte shumë i madh dhe ato kanë qenë ndër mbështetësit dhe nxitësit realë të festivalit.

Nga ana tjetër tregon se për herë të parë ky festival u zhvillua me një kor të reduktruar në 50 fëmijë, nga 120 që janë zakonisht.

Në përfundim të festivalit, që u zhvillua në një ditë të vetme, ndryshe nga tradita që e zhvillonte festivalin në tre ditë, në fund të mbrëmjes u përzgjodhën tre këngëtarët më të mirë të tij, ndërsa kënga fituese e edicionit të 58-të do të shpallet në fund të këtij viti pas votimeve on line në youtube.

Interesant është fakti që në edicionin e 58-të, organizatorët nisën një përvojë të re e të shumëpritur! bëhet fjalë për disa nga këngët më të mira të pas viteve '90, të cilat do të jenë tashmë të animuara, për të qenë më pranë fëmijëve! Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës ndërkohë që kolazhet janë realizuar nga mjeshtri Shpëtim Saraçi.

Endërra e çdo fëmije për t'u bërë këngëtar nis në Shkodër. Të gjithë ato artistë, që sot janë në majë të muzikës dhe artit, e kanë nisur rrugëtimin e tyre nga kjo skenë. Shkodra është qyteti që e lindi festivalin. Nga viti 1963, ky festival zhvillohet pa ndërpreje duke sjellë shumë atmosferë në qytet dhe sidomos tek fëmijët. E mbi të gjitha, duke ndezur ëndërrat e fëmijëve për tú bërë këngëtar. Këtë ëndërr e kishin dikur edhe Irma Libohova, Ardit Gjebrea, Inva Mula, Aurela Gaçe, Jonida Maliqi, Mariza Ikonomi, e sa e sa të tjerë.

Për t'u përmendur se Festivali në Shkodër nisi si iniciativë e muzikantëve shkodranë të kohës, të cilët e nisën vetëm një vit pas organizimit të Festivalit të Këngës në RadioTelevizion.

Festivali i Fëmijëve menjëherë u bë një aktivitet shumë masiv. Përveç fëmijëve të një qyteti aty vinin nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Shpejt ky festival dha një kontribut të madh në modelin e formimit të këngës për fëmijë, duke filluar që nga teksti letrar tek melodia.

Asgjë nuk mund ta kundërshtojë faktin se Shkodra ka krijuar një traditë të shkëlqyer në organizimin e aktiviteteve artistike të fëmijëve, pjesë e të cilëve janë fëmijë të talentuar, të cilët kanë marrë vlerësime shumë pozitive edhe në takimet kombëtare dhe ndërkombëtare të kësaj grupmoshe.

Ndër të talentuarit e fundit, që kanë dalë nga kjo skenë mund të veçohen këngëtarët Ervin Bushati, Rosela Gjylbegu, Luis Ejlli, Dorina Garuci, Kledi Dume, Stefan Morena, Arilena Ara, Jozefina Simoni etj.

Ky festival është është trampolina e parë drejt suksesit dhe krenaria e banorëve të qytetit, që e ndjekin me fanatizëm dhe duartokitje të pafund festivalin, që nga krijimi i tij e deri më sot.

I ndodhur shpesh herë mes vështirsive financiare, ky aktivitet po mbijeton në sajë të punës së palodhur të njerëzve me shpirt artisti.

Neritana Kraja