“Realizuam objektivin që rendimenti vjetor i orizit hibrid të brezit të tretë, që prodhon dy herë në vit, t'i kalojë 1 500 kg për mu (1/15 hektar), ky është një përparim shumë i madh. Objektivi ynë afatgjatë është që rendimenti të arrijë në 2 000 kg për mu,” deklaroi më 3 nëntor në qytetin Changsha të Kinës Jugore akademiku kinez Yuan Longping, që quhet edhe si “babai i orizit hibrid”.

Këtë ditë, Qendra Kombëtare e Studimit të Teknologjisë së Orizit Hibrid, që ndodhet në kryeqendrën e provincës Hunan Changsha, zhvilloi një konferencë shtypi për rezultatin e korrjes së dytë të orizit hibrid të brezit të tretë në bazën eksperimentale të kësaj qendre në Hengyang të provincës Hunan. Rendimenti mesatar për mu i korrjes së dytë vjetore arriti në 911.7 kg. Në korrik të këtij viti, në korrjen e parë të orizit në këtë bazë, rendimenti mesatar për mu arriti në 619.06 kg. Kështu, rendimenti mesatar për mu i orizit hibrid të brezit të tretë me dy të korra në vit arriti në 1 530.76 kg. Ky është jo vetëm një sukses i madh në kultivimin e orizit, por shënon edhe ruajtjen e pozicionit të përparuar të Kinës në teknologjinë e shumimit të orizit hibrid.

Nga një mësues i thjeshtë i një shkolle agronomie në zonën rurale të provincës Hunan në personalitetin me prestigjin botëror si “babai i orizit hibrid”, Yuan Longping-u ka kaluar një rrugë kërkimore plot zigzage gjatë dekadave, por ka zgjidhur problemin e ushqimit të miliona kinezëve.

Ndryshimi i kursit të studimit

Në vitin 1960, fatkeqësitë natyrore shkaktuan një uri të paparë në Kinë. Në shumë krahina ku kishte mungesë serioze ushqimi, vdekjet nga uria nuk ishin të rralla. Kufomat përgjatë rrugës e prekën thellë Yuan Longping-un, që ishte mësues i shkollës së agronomisë në Anjiang të provincës Hunan. Ai vendosi të bënte përpjekje për zhdukjen e urisë në vend.

Po këtë vit, ai mori vesh nga revistat shkencore se sorgumi hibrid, misri hibrid dhe shalqiri pa fara mbilleshin gjerësisht brenda e jashtë vendit. Këto e bënë të ndërgjegjshëm se ligjet e gjenetikës të paraqitura nga Gregor Mendel dhe Thomas Hunt Morgan kishin rëndësi të madhe në rritjen e drithërave. Kështu, Yuan vendosi ta ndryshonte drejtimin e studimit nga miçurinizmi i Bashkimit Sovjetik drejt shkencës moderne të gjenetikës.

Kërkuesi i ëndrrës në orizore

Në korrikun e vitit 1960, në një ngastër orizi, Yuan Longping-u zbuloi një rrënjë orizi jashtëzakonisht të fuqishme. Ai e shenjoi dhe zuri ta vëzhgonte çdo ditë. Gjatë korrjes, ai mblodhi me kujdes mbi 170 kokrra të kësaj bime, si farëra cilësore për kultivimin e pasardhësve. Në pranverën e vitit të dytë, ai i mbolli këto farëra në tokën eksperimentale, por zbuloi se brezi i dytë kishte karakteristika të ndryshme. Orizi është bimë vetëpllenuese, pra teorikisht pasardhësit nuk kanë tipare të ndryshme. Kështu, Yuan-i nxori përfundimin se kjo rrënjë ishte një hibrid krejt natyror i orizit dhe në këtë bazë, hamendësoi se ishte i mundshëm kultivimi i orizit cilësor nëpërmjet hibridizimit. Kështu, nga praktika dhe arsyetimi i tij, Yuan kapërceu pengesën e konceptit tradicional që orizi, si bimë me vetëpllenim, nuk ka vetinë e heterozës, pra të krijimit nëpërmjet kryqëzimit të pasardhësve më cilësorë. Qysh nga ajo kohë, Yuan e përqendroi të gjithë vëmendjen në kultivimin e orizit hibrid artificial.

Gjatë viteve 1964-1965, në kohën e çeljes së luleve të orizit, Yuan Longping-u dhe ndihmësit e tij punonin çdo ditë nën rrezet e fuqishme të diellit dhe gjetën më në fund gjashtë rrënjë mashkullore të sterilizuara në mënyrë natyrore dhe katër prej tyre u shumuan me sukses për 1-2 breza. Ky studim përmbysi rrënjësisht teorinë tradicionale, duke arritur në përfundimin se edhe orizi ka tiparin e heterozës. Në vitin 1966, ky zbulim u botua në revistën e Akademisë së Shkencave të Kinës. Kjo ishte një kthesë në studimin e Yuan-it.

Paralelisht me kërkimet e Yuang-it, shkencëtari amerikan Henry Beachell kreu kultivimin fillestar të orizit hibrid në Indonezi, megjithatë, Instituti Ndërkombëtar i Studimit të Orizit ndërpreu në vitin 1972 studimet për orizin hibrid, për shkak të vështirësive teknike. Por një vit më vonë, Yuan Longping-u mori dhjetëra mijë farëra nga një hibrid natyror i orizit, që shënoi suksesin e studimit të tij 13-vjeçar.

Dy vjet më vonë, në vitin 1975 në ishullin Hainan të Kinës Jugore, një sipërfaqe 22 kilometra katrore u mboll me orizin hibrid për të kultivuar farëra në mënyrë masive. Në vitin e dytë, orizi hibrid filloi të mbillej në mbarë Kinën dhe në orizoret me sipërfaqe prej 1387 kilometrash katrore, rendimenti mesatar u shtua me 20 %. Vëllimi i prodhimit të drithërave pati hovin e parë në Kinë.

Në librin e tij “Drejt një bote të mirushqyer” (Toward a Well-Fed World), ekonomisti amerikan Don Paarlberg përfshiu 40 "luftëtarë kundër urisë", dhe Yuan Longping-u është një prej tyre. Paarlberg-u shkruan: “Pas trazirave të brendshme shumëvjeçare dhe kundërvënies së gjatë me Perëndimin, Kina hapi më në fund dyert e saj ndaj ShBA-së. Në vitin 1980, Fondacioni 'Ford' i ShBA-së mori ftesë nga Akademia e Shkencave e Kinës, e cila pranoi që një grup studimor amerikan të shkonte në Kinë për studimin e ekonomisë rurale kineze. Pesë agronomë të dalluar u përfshinë në këtë grup. Ata u habitën shumë nga fakti se kinezët e zotëronin teknologjinë e mbjelljes së orizit hibrid.”

Medalje nderi

Në vitin 2001, Yuan Longping-u u nderua me Çmimin e Lartë Kombëtar të Shkencës e Teknologjisë, të dhënë nga Këshilli i Shtetit i Kinës, për kontributin e tij në paraqitjen e teorisë së re të orizit hibrid, duke kapërcyer "zonën e ndaluar" të teorisë klasike gjenetike, dhe në përparimin historik në shumimin e orizit.

Në vitin 2004, Yuan-i u vlerësua si “Personaliteti vjetor që ka prekur Kinën“. Në motivacionin e marrjes së këtij çmimi thuhet: “Ai është një kultivues i vërtetë. Kur ishte vetëm mësues në një shkollë fshati, ai kishte vizionin dhe guximin për përmbysjen e autoritetit shkencor në botë. Por tani që gëzon prestigj në botë, ai përsëri e përqendron vëmendjen vetëm në orizore.”

Në vitin 2019, me rastin e 70-vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, presidenti Xi Jinping e dekoroi personalisht Yuan Longping-un me Medaljen e Republikës.

Ëndrra e përjetshme e Yuan-it është që i gjithë njerëzimi të shpëtojë një herë e mirë nga uria. “Kërkimi i rendimentit të lartë, më të lartë, shumë të lartë ka qenë objektivi ynë i përhershëm,” theksoi 90 vjeçari Yuan Longping. “Puna ime ka rëndësi të madhe. Jam ende me shëndet të mirë dhe me mendje të kthjellët. Do të vazhdoj të punoj për vendin dhe shoqërinë deri në 100 vjeç!” (Wang Lei)