Të gjithë e dimë që sot Instagrami është aplikacioni më i përdorur për foto dhe check-in. Gjëja e parë që bëjmë kur vizitojmë ndonjë vend të ri, por dhe të vjetër, është që të gjejmë vendin, pozicionin, apo këndin më të bukur për foton e përsosur apo të zbulojmë bukuritë që ofron qyteti. Kjo garë për vendin më të bukur, më të fotografuar në Instagram dhe për foton më të pëlqyer, është shumë e pranishme edhe në Tiranën tonë të dashur.

Arkitektura e rrëmujshme dhe e ndikuar nga kultura dhe epoka të ndryshme, e bën kryeqytetin tonë një përzierje mes modernes dhe antikes, që është sa e çuditshme aq dhe marramendëse.

Prandaj, nëse jeni Instagrammer, që kërkoni perla të çuditshme, kryqëzime të ngarkuara dhe një rrëmujë të bukur dhe piktoreske, Tirana është qyteti që do t’ju japë vëmendje, pëlqime dhe shumë komente. Po cilat jane tre vendet me te fotografuara ne Tirane? Do jua tregojme tani....

Piramida

Kur ne dëgjojmë për piramidat, mendojmë për Egjiptin.

Por rezulton se Tirana e ka një të tillë, ndonëse ndryshon nga piramidat e Egjiptit, që për më tepër është një destinacion mjaft i pëlqyer, intrigues dhe i fotografuar në instagram. Ndërtuar si një muze përkujtimor i jetës dhe veprës së ish udhëheqësit Enver Hoxha, pritet të ketë në të ardhmen një funksion në shërbim të komunitetit.

Piramida e Tiranës, është një nga "atraksionet turistike" më të pazakonta të qytetit. I njohur dikur si Muzeu Enver Hoxha, ndërtesa u projektua nga vajza dhe dhëndri i udhëheqësit dhe përfundoi në fund të viteve 1980. Pasi humbi funksionin e parë, si muze, por në ditët e sotme ajo nuk luan asnjë funksion për komunitetin. Nga jashtë pllakat e mermerit janë të prishura, dritaret e thyera, ndrësa artsitët e rinj e kanë mbushur me grafite plot ngjyra.

Piramida sot padiskututim është një atraksion turistik dhe vend i frekuentuar nga patinatorë të rinj dhe artistë kureshtarë nga e gjithë bota që vijnë këtu dhe e zgjehdin si vendin e përkryer për ta fotografuar.

Nëse ngjiteni deri në majë të saj, do të keni mundësinë ta shihni Tiranën nga një këndvështrim tjetër.

Bunkart

Nëse piramida shfaqet si diçka e çuditshme në kryeqytetin shqiptar, jo më pak janë bunkerët e saj. Aktualisht dy prej tyre janë bërë qendra arti dhe historie, nga koha e diktaturës.

Bunk’art dhe Bunk’art2 janë dy prej këtyre ish-bunkerëve që janë konvertuar në muze të historisë dhe artit. Bunk’art është më i madhi nga të dy dhe ndodhet në periferi të qytetit, ndërsa Bunk’art2 është më i vogël por ndodhet në qendër dhe lehtësisht i arritshëm për ata që kanë më pak kohë për të udhëtuar.

Ky muze ju dërgon në një udhëtim nëpër tunelet sekrete të nëndheshme të bunkerit dhe ju tregon historinë e dhimbshme të vendit nëpërmjet tregimeve, objekteve dhe fotove. Qëllimi i tij nuk është vetëm për të tërhequr turistë, por gjithashtu për të ndihmuar shqiptarët të pajtohen me të kaluarën e tyre dhe të lëvizin drejt të ardhmes.

Ky bunker, i ndërtuar në zemër të Tiranës, u hap për publikun në vitin 2016. E ndërtuar në vitet '80, është një strukturë me më shumë se 20 dhoma, një apartament për ministrin dhe një ambient për shërbime të tjera. Ai ishte bunker anti-bërthamor i Ministrisë së Brendshme. Sot shërben si objekt për të ruajtur kujtesën kolektive.

Por nga ana tjetër ky objekt përbën një ndër vendet më të fotografuar në Tiranë. Falë kureshtjes së turistëve të huaj për këtë periudhë të përjetuar nga shqiptarët para viteve '90, si dhe falë tendencës së blogereve të modës, që e zgjedhin këtë vend për të pozuar tendencat e reja të modës, në kontrast me simboliknë që kjo vepër tashmë, arti dhe historie, përfaqëson.

Sheshi Skënderbej

Sheshi Skënderbej është padiskutim destinacioni më i fotografuar në Tiranë. Jo vetëm sot, kur sheshi është transformuar i tëri, por edhe dikur, kur nuk kishim as telefon, e as aparat fotografik për tú fotografuar.

Por kjo nuk na pengonte që secili prej nesh, të kishte një fotografi nga ky shesh, vetëm, me familjen, apo me klasën.

Fotografitë asaj kohe bëheshin nga fotografët profesionistë, të cilët me aparat të varur në qafë, prisnin porositë për foto.

Ata ishin të punësuar nga kompania e madhe shtetërore dhe realizonin fotografi bardh e zi. Gjithashtu për fotot e famshme të klasave, të gjitha shkollat në Tiranë, një nga një, shkonin në Sheshin Skënderbej dhe fotografoheshin në shkallët pranë statujës së Heroit Kombëtar.

Data ose ngjarje të veçanta siç janë, dita e parë e shkollës, pragu i Vitit të Ri, ditëlindja, etj., e kishin gjithmonë gati skenografinë: Sheshin Skënderbej.

Kjo ndodhi dikur, por në rrethana të reja, ndodh edhe sot.

Sheshi Skënderbej është fokusi kryesor i turistëve të shumtë që Tirana pret në ditë normale, i personazheve Vip, apo blogereve që përfitojnë të bëjnë foto nga ky shesh.

Në Tiranë, duket se të gjitha rrugët të çojnë në sheshin Skënderbej. Sapo të jeni këtu, do ta kuptoni pse ky shesh kryesor, është zemra e qytetit. Monumenti i heroit tonë kombëtar ngjall forcë dhe krenari, ndërkohë që mund të bëni fotografi, pa harruar të vizitoni Teatrin Kombëtar të Operas & Baletit, Muzeun Historik Kombëtar, Kullën e Sahatit, Bashkinë e Tiranës dhe Xhaminë e Et’Hem Beut.

Çdo hap i hedhur në këtë shesh të fton për një fotografi. Restaurimi total i sheshit i ka dhënë më shumë shkëlqim atij.

Më shumë se njëqind burime ujore janë vendosur në shesh, të cilat ndihmojnë në ftreskinë e vendit gjatë muajve të nxehtë. Platforma po aq të përshtatshme janë instaluar për të bërë fotografi, kopshte të ndërtuara me shumë gjelbërim dhe bimë aromatike. Pemët e mbjella në shesh u transportuan gjithashtu nga çdo rajon shqiptar.

A nuk ju duket vendi ideal për të pozuar për Instagramin tuaj?

Neritana Kraja/ redaktoi Wang Lei