Tiranës nuk mund t’i mungonte as këtë nëntor Panairi i Librit, një traditë tashmë mbi 20 vjeçare, që ka mbledhur në Pallatin e Kongreseve botues, autorë, kritikë letrarë, përkthyes, por më së shumti lexues. Pandemia Covid 19 ndryshoi edhe panairin e librit, që sipas Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, në edicionin e tij të 23-të do të organizohet online nga 12-15 nëntor, me përjashtim të ceremonive të hapjes dhe mbylles së panairit dhe disa veprimtarive të tjera.

Gazetarja e kulturës pranë Radiotelevizionit Shqiptar, Arta Marku Qendro, njëherësh kritike letrare dhe përkthyese është një nga anëtaret e jurisë së Panairit të 23-të të Librit “Tirana 2020”. Me mjaft dëshirë ajo iu përgjigj pyetjeve të Radio Ejani (China Media Group) rreth panairit, nëpërmjet linjës telefonike.

CMG: Në prag të Panairit të 23-të të Librit “Tirana 2020”, të gjithë duan të dinë se si do të funksionojë ai në kushtet e pandemisë.

Arta Marku Qendro: Sigurisht që duan të dinë, sidomos sivjet që është një kohë e pazakontë dhe e paimagjinueshme. Ne ishim mësuar me panairet tradicionale që në një hapësirë shumë të madhe mblidheshin të gjithë botuesit që ekspozonin librat e tyre, botimet e tyre të reja kryesisht. Sivjet kjo është e pamundur. Ndoshta mund të ishte menduar që të bëhej diku jashtë, por nuk është e sigurt. Ndoshta dhe botuesit vetë nuk duan që të jenë në një ambjent të hapur. Nuk është e thjeshtë. Kështu që pas shumë diskutimesh për këtë u vendos që të bëhej një panair ndryshe, në kushtet e pandemisë.

Ajo që e ndryshon këtë panair nga të mëparshmit është pikërisht një hapësirë e përbashkët e të gjithë botuesve për të ekspozuar, sepse gjithçka tjetër do të funksionojë ndoshta edhe më mirë. Duke qenë kjo mangësi Shoqata e Botuesve në bashkëpunim me vetë botuesit kanë ideuar disa aktivitete mjaft interesante sivjet.

Në fillim do të jenë dy aktivitete qendrore të organizuara nga Shoqata e Botuesve që kanë të bëjnë me diskutime lidhur me letërsinë shqipe dhe me përkthimin. Në njerin aktivitet do të jenë të pranishëm autorët e traditës dhe ata të rinj, kurse në panelin tjetër do të jenë përkthyesit. Kjo është pjesa e aktiviteteve pavarësisht ceremonisë së hapjes dhe asaj të mbylljes, që është dhe momenti i dhënies së çmimeve. Por nuk do të mungojnë dhe aktivitete të tjera, sepse janë gjithsej 40 botues, që në fakt janë më pak se më parë, por në kushtet që ndodhemi nuk janë pak. Ndërkohë do të zhvillohen 60 aktivitete të ndryshme jo online, që do të zhvillohen në librari apo mjedise të tjera. Gjithashtu do të vendosen ekrane të mëdha në pikat kyçe të Tiranës prej nga ku do të ndiqen drejtpërdrejt të gjitha aktivitetet për librin. Nuk do të mungojnë as aktivitetet online, si dhe shitje online të librave.

Një nga elementet që lexuesit mezi e presin panairin e librit është pikërisht mundësia që ata kanë për të blerë libra me një çmim më të ulët. Pra kjo mundësi do të jetë dhe në këtë edicion, vetëm se dashamirësit e librit duhet të shkojnë në librari ose duhet ti porosisin online.


CMG: Ju jeni anëtare e jurisë së Panairit të 23-të të Librit “Tirana 2020”. Si do ta kryejë juria misionin e saj përzgjedhës?

Arta Marku Qendro: Nëse ka diçka në këtë panair që nuk ndryshon, është pikërisht mënyra se si punon juria. Kam qenë pjesë e jurive dhe në panairet parardhëse. Rregullorja është po ajo. Juria mblidhet dhe diskuton mbi disa libra që janë sjellë nga botuesit, të cilët bëjnë përzgjedhjen paraprake. Librat i kemi pranuar në forma të ndryshme, si libër fizik apo të shtypur, në Pdf apo online. Më pas vijon puna me diskutimet tona si juri për të gjitha kategoritë e librave që marrin çmim.

CMG: Po kalojmë kohë të vështirë izolimi dhe prej shekujsh ata që “me hir, apo me pahir” qëndrojnë të mbyllur, qetësinë e kanë gjetur tek leximi. Mendoni se kjo pandemi e ka nxitur më shumë leximin?

Arta Marku Qendro: Mendoj se në fillim të pandemisë ka qenë shumë e vështirë për të nxitur leximin sepse njerëzit u traumatizuan dhe nuk po e kuptonin çfarë po ndodhte. Ata ishim më shumë të lidhur me televizorin, me portalet e lajmet e ndryshme. Të lexoje në mars, në fillim të pandemisë, ishte shumë e vështirë. Sigurisht me kalimin e kohës kjo u bë pjesë e përditshmërisë sonë. E kam fjalën për izolimin, frikën nga sëmundja dhe me të gjitha këto ne filluam të mësoheshim dhe rrjedhimisht edhe leximi zuri vendin e vet.

Mendoj se kur njeriu nuk ka shumë mundësi të tjera argëtimi, kur nuk shkon dot në kinema, teatër, atëhere ku do të drejtohet? Te libri.

Thuhet shpesh që para viteve 90-të lexuesit shqiptarë kanë qenë më të shumtë në numër dhe më të lidhur me leximin sepse nuk kishin alternativa argëtimi. Pak a shumë kjo është.

Lidhur me rënien e numrit të lexuesve kjo po ndodh në të gjithë botën sepse ka gjithmonë e më pak njerëz të interesuar për leximin. Megjithatë ekziston mundësia e leximit apo blerjes online të librave. Në panairin e sivjetëm Shoqata e Botuesve është lidhur me libraritë që shesin online si “Adrion” dhe “Bukinist”. Pra mundësia për të lexuar është dhe ne duhet të mësohemi me këtë.

Intervistoi Eda Merepeza/ redaktoi Wang Lei