Historia

Emri i qytetit të Dibrës përmendet që në shekullin e pestë para erës sonë nga historian i lashtë grek Herodoti, e më vonë në shekullin e parë të erës sonë nga nga historianët romakë Strabloni dhe Plini. Ata përmendin fisin ilir të Doberëve, të cilët themeluan qytetin e tyre me emrin Dober. Ptolomeu në shekullin e dytë të erës sonë konfirmon në hartë planin e qytetut të quajtur Dober dhe banorët e tij Doberët.

Natyra ne Diber

Hulumtimet arkelogjike dhe historike të deritanishme konfirmojnë se Dibra është pasardhësi i qytetit Doberos, prej nga rrjeth dhe emir i sotëm Dibër. Ky qytet ka qenë udhëkryqi kryesor i këtij rajoni, nëpër të cilin kalonte “Rruga Egnantia”. Në gjysmën e dytë të shekullit të 14-të, qyteti u qeveris nga familja e Kastriotëve. Në vitin 1395 u pushtua nga osmanët dhe më pas u bë selia e Sanxhakut të Dibrës, ku në vitin 1440 Skënderbeu u emërua si sanxhakbej i saj. Dibra u pushtua përsëri nga turqit, dhe u bë e njohur me emrin Debre. Në vitin 1502 njihet si qendër e rëndësishme qytetare. Në shekullin e 16 ajo u zgjerua dhe u bë më e rëndësishme në shkëmbimet tregtare.

Në fillim të shekullit të 19-të, kur dibranët u rebeluan kundër sulltanit turk, në vitin 1907 u zhvillua Kongresi i Dibrës në qytet, i cili e bëri gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare brenda Perandorisë Osmane. Kongresi lejoi që shqiptarët të mësonin ligjërisht në shkolla për herë të parë brenda Perandorisë. Dibra ka qenë qendër e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Të shumtë janë emrat, ngjarjet datat dhe veprat që Dibra dhe dibranët kanë bërë në histori.Vlen të përmendim këtu Elez Isufi, i cili organizoi dhe udhëhoqi luftën kundër pushtuesve serbë, Dom Nikollë Kacorri, firmëtari i pavarësisë, si dhe nënkryetari i parë i qeverisë së Ismail Qemalit. Po ashtu, Haxhi Vehbi Dibra ishte kryetari i parë i parlamentit në shtetin e ri. Në vitin 1911, Dibra ka qenë një nga vendet më të zhvilluara në rajon si nga ekonomia, artizanët, tregtia, ndërtimet por dhe pë arkitekturën e saj të vecantë .

Sot Dibra njihet edhe si “Dibra e Madhe” në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe “Dibra e Vogël” (Peshkopia) në territorin e Shqipërisë, ku po ashtu spikat arkitektura e banesave.

Festivali folklorik Oda dibrane

Tradita dhe kultura

Krahina e Dibrës është provuar se ka gjalluar që në kohën e Bizantit. Rrënojat e qytetit të vjetër janë ende në kodrën përreth Peshkopisë. Kjo e fundit është e njohur për traditat në kulturë, gatimin tradicional, punimet me dorë, në ndërtimtari dhe në një aftësi të rrallë njerëzore siç është, mprehtësia e mendjes dibrane. Nga kjo krahinë e ka prejardhjen edhe Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti. Çdo vjeshtë të dytë e të tretë në Pallatin e Kulturës së qytetit organizohet “Oda Dibrane”, një aset i trashëgimisë kulturore dhe historike për të gjithë Shqipërinë. Gjatë ditëve të festivalit mund të sodisësh kostumet tradicionale të zonës. Një pasuri e madhe etnografike janë këngët dhe vallet të cilat u bashkohen ekspozitave fotografike, apo atyre me tematike nga artistët lokalë.

Ky festival mbledh gjithashtu rapsodë dhe valltarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë. Ndërkohë artizanët dhe ndërtuesit e Dibrës (muratorë dhe marangozë) ishin shumë të famshëm gjatë periudhës së vonë osmane. Si shembull përmendim shtëpinë e Refik Seljës, një banesë e ndërtuar në shekullin e 19-të dhe që përmbante një çardak të shquar në nivelin e sipërm dhe tavanet prej druri në dhomat e fqinjve. Qyteti sot ruan elementët mesjetarë, me çezma publike, të ndërtuara me gur në lagje të ndryshme. Në Dibër, gjendeshin mjeshtrat më të mirë të punimit të drurit dhe ndërtues që njiheshin për aftësitë e tyre për të krijuar skulptura të detajuara dhe mbresëlënëse, për të pikturuar ikonat e bukura dhe për të ndërtuar arkitekturë unike.

Pamje nga Peshkopia

Dibra ishte një nga tri shkollat e famshme në rajon dhe puna e tyre mund të shihet në shumë kisha dhe objekte kulturore në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Në qytet jetojnë tre komunitete fetare, ai musliman, katolik dhe ortodoks. Martesat mes tyre dhe bashkjetesa e qetë u perifrazua e tillë 300 vjet më parë. “Shqiptarët të premten shkojnë në xhami dhe të dielën në kishë”. Në Dibër gjenden dhe mjaft objekte kulti, si Xhamia e Allajbegisë në Maqellarë, Kisha e Shën Sotirit në Kërcishtë etj..

Pamje piktoreske nga liqenjte e Dibres

Turizmi

Kjo zonë është kthyer në një nga destinacionet më të bukura turistike. Dibra është një qytetet që duhet vizituar për t’u shijuar në çdo aspekt. Mikpritja është ajo që çdo turist vëren sapo mbërrin në këtë qytet. Dibranët prej brezash mbeten unik për respektin dhe mënyrën se si pritet një mik. Në Dibër, miku pavarsisht rëndësisë apo situatës ekonomike pritet me nderime dhe respekt të veçantë . “Shtëpia është e mikut, më pas e zotit të shtëpisë” Kjo është një nga shprehjet e njohura dibrane që i karakterizon ata.

Në Dibër mund të gjesh çfarëdo që të kërkosh; malin, fushën, lumin dhe mijra lloje speciesh të faunës dhe florës. Parqet kombëtare, bjeshkët e pafundme, ujrat termalë të llixhave janë një tjetër burim që tërheq mijra vizitorë në vit. Llixhat e Peshkopisë njihen për moshën e tyre shekullore. Trajtimet në llixhat e Dibrës kanë veti të veçanta rehabilituese. Ndërsa nën këmbët e urës së Fushë-Muhurrit gjen plazhin me të njëjtin emër. Ujërat e Drinit të Zi që kanë krijuar këtë plazh lumor janë të pastra e të freskëta.

Gara me varka ne Ulez

Dibra njihet edhe për turizmin e saj malor, relieve i saj i thyer të jep mundësinë e zhvillimit të këtij turizmi. Lura me shtatë liqenet e saj mbetet një nga destinacionet më të bukura turistike. Ndërkohë që nuk mbetet pas dhe Mali i Korabit, një nga destinacionet e preferuara për turistët e huaj. Pamja përrallore që shfaqet kur je në majën e tij mbetet është mahnitëse. Ciklizmi malor është një tjetër sport që po lulëzon kohët e fundit, ndërsa alpinizmi mbetet traditë.

Ndërkohë Dibra njihet edhe për gatimet e saj tradicionale, ndër to jufkat, ushqimi tradicional i zonës. Po ashtu një ëmbëlsrë e njohur e krahinës është edhe sheqerparja, që zakonisht përdoret në festat familjare. (Elida Lazi/ redaktor Wang Lei)