Rajoni Autonom i Tibetit i Kinës gjendet në jugperëndim të rrafshnaltës Qinghai-Tibet. Lartësia mesatare e tij mbi nivelin e detit arrin në 4 000 metra, prandaj Tibeti quhet “Çatia e botës”.

Pozicioni gjeografik dhe kushtet klimatike i kanë sjellë Tibetit peizazhe të bukura dhe zakone të veçanta, duke përfshirë ushqimet me karakteristikat e rrafshnaltës në lartësi të madhe mbi nivelin e detit. Le të shijojmë së bashku disa ushqime tipike tibetiane.

Mishi i jakut

Banorët tibetianë hanë kryesisht mish lope, mish qengji dhe bulmet. Ky zakon ushqimor lidhet me klimën e ftohtë në rrafshnaltë, pasi ushqimet me shumë yndyrë e kalori ndihmojnë për t'i bërë ballë ftohtësisë. Jaku, ose lopa tibetiane, jeton kryesisht në rajonin tibetian të rrafshnaltës Qinghai-Tibet, më shumë se 3 000 metra mbi nivelin e detit. Mund të thuhet se jaku është thesar për jetën e barinjve tibetianë, sepse marrin prej tij mishin, qumështin, lëkurën, e madje edhe lëndë djegëse. Barinjtë tibetianë e kanë zakon ta hanë mishin e jakut të gjallë, por kur vizitoni shtëpitë e tyre, ata ju ftojnë të provoni mish jaku të tharë. Kjo është një shije që mund të provohet vetëm në rrafshnaltë.

Çaji me gjalpë

Çaj me gjalpë është pije e përditshme e tibetianëve, sepse ata hanë pak perime dhe çaji mund të ndihmojë në tretjen e ushqimeve të yndyrshme. Tibetianët e fillojnë çdo ditë duke pirë çaj me gjalpë. Për ta bërë çajin me gjalpë, hidhen së pari gjethet e çajit në tenxheren me ujë që valon mbi zjarr. Pastaj lëngu hidhet në një kovë së bashku me gjalpë e kripë, dhe pasi përzihet mirë, hidhet përsëri në kazan për t'u ngrohur. Kështu përgatitet më në fund çaji me gjalpë. Çaji me gjalpë ka shumë kalori dhe ndihmon për të përballuar të ftohtit e rrafshnaltës.

Zanba

Zanba është ushqimi kryesor i kombësisë tibetiane dhe bëhet nga elbi malor. Pas skuqjes, elbi bluhet e kthehet në pluhur, dhe kjo është zanba. Kur hahet, hidhet së pari pak çaj me gjalpë në tas, pastaj shtohet zanba, duke e trazuar masën derisa bëhet në formë topthash.

Ushqimet tibetiane kanë karakteristikat e dukshme të rrafshnaltës dhe, po t'i provoni, do t’ju sjellin patjetër një përvojë të jashtëzakonshme. (Fani)