I vetëshpallur si kryeqyteti historik dhe turistik i vendit, Kruja të ofron ndjesinë e dykohësisë mes periudhës së lavdishme të Skënderbeut dhe realitetit të sotëm. Kruja jeton mijëvjecarin e saj të tretë në historinë antike, mesjetare dhe moderne. Sot ajo banohet nga rreth 15 mijë banorë dhe simbol i jetës së tyre është kalaja e lashtë, me rrënjë të thella në histori.

Historia

Kruja është një nga qytetet me historinë më të ndritur dhe më të dokumentuar se të gjithë qytetet e tjerë shqiptarë, çka e bën atë një “kryeqytet” të vërtetë historik. Dokumentet e datojnë Krujën si vendbanim që në shekullin e IV – III p.e.s. Fshati Zgërdhesh që ndodhet 4 km larg Krujës, mendohet të ketë qenë Albanopolisi.

Kruja është një qytet mesjetar që për here të parë përmendet në shekullin e IX, në një dokument kishtar të vitit 879-të.Mendohet që emri Krujë, rrjedhë nga fjala “krua”, burim uji, sepse në këtë zonë ka shumë burime të tilla.

Kruja njihet si një vendbanim i rëndësishëm qysh në shtetin e Arbrit, me kthimin e Skënderbeut. Ajo është vendlindja e Gjergj Kastriotit në familjen e njohur si Principata e Kastriotit. Kruja gjatë viteve 1400–1500 , njihet si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë gjatë kohës që Skënderbeu udhëhiqte këtë rezistencë. Gjatë kësaj periudhe, Kruja ishte në qendrën e vëmendjes të të gjithë kombeve europiane që kërcënoheshin nga rreziku osman. Kështjella e Krujës u rrethua 4 herë nga ushtria Osmane. Në rrethimin e katërt ajo ra në dorën e pushtuesit , në vitin 1478, 10 vjet pas vdekjes së Skëndërbeut. Në shekujt e mëvonshëm pati një rënie të rëndësisë së zonës së Krujës, që u pasua me një shpërngulje të madhe të popullsisë.

Kështjella e Krujës do të qëndronte nën pushtimin e osmanëve deri në vitin 1912. Ndërkohë në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me një vendim të qevisë së kohës, qyteti i Krujës do të shpallej, qytet hero.

Traditë dhe Kulturë

Një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të qytetit të Krujës mbetet Pazari i Vjetër, i cilësuar si monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. E renditur si një nga 10 kështjellat më të bukura në Evropë, kështjella e Krujës u ndërtua ndërmjet shekujve V dhe VI. Brenda mureve të saj gjenden ende disa shtëpi banuara. Në kala ndodhet dhe Muzeu Etnografik, i vendosur në një shtëpi të ndërtuar në vitin 1764 nga familja Toptani, që përfaqësonte një familje të pasur në atë kohë. Folklori i zonës së Krujës është shumë i pasur. Veçohen këngët e dasmave, ndërsa grupi karakteristik “Pleqtë e Krujës” vazhdon të marrë pjesë në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Vallet janë një tjetër traditë në këtë qytet dhe vlen të përmendin vallen e burrave, që kanë karakter heroik dhe valle grash me natyrë të gëzuar.

Për nga pikëpamja e veshjeve popullore dallohen disa njësi etnografike.Veshja më e vjetër e burrave është ajo me këmishë të gjatë dhe me dollmë prej shajaku të bardhë. Një veshje e përdorur shumë është ajo e grave qytetare me linjë të gjatë dhe xhybe me gajtan të zi, e qëndisur me fije ari.

Në Krujë ruhet dhe një traditë zejtarie tradicionale e prodhimit me dorë si punimi i leshit, metalit dhe drurit,apo punimet në tezgjah.

Turizmi

Qyteti i Krujës është padyshim atraksioni më i madh turistik në Shqipëri. Kruja është magjepsje për të gjithë, shqiptarë apo të huaj, sepse është mbretëresha e historisë shqiptare, pasi fiset që kanë jetuar në të, i kanë dhënë emrin që shqiptarët mbajnë sot në botë, emrin Alban. Kruja vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje dhe konsiderohet si një nga qytetet turistike më të vizituara në Shqipëri.

Pazari i vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota, pothuajse në çdo stinë të vitit. Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë artikuj dhe sende të ndyshme për turistët, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet , aksesorë të ndyshëm me motive kombëtare, suvenire etj...

Veç vlerave historike pozicioni i Krujës, mjedisi mali, kodrat, fushat deti , krijojnë një panoramë të mrekullueshme për t’u soditur

Kruja është dhe vend pelegrinazhi fetar. Teqeja bektashiane e Sari Salltëkut, e ndodhur lart në mal, është një vend i shenjtë që ka rifilluar të vizitohet nga mijra njerëz, pavarësisht besimeve të tyre fetare.

Kruja, dallohet edhe për gatimet e saj të veçanta dhe tradicionale. Përveç përgatitjes së hashures, përmendim dollmat me gjethe rrushi, pulën me harapash, fërgesën e gjizës në tavë dheu, kabuninë me mish dashi etj...

Elida Lazi