"Valsi i lumturisë", këga ikonë e muzikës shqiptare, që lumturoi brezat pararendës dhe vazhdon të këndohet me të njëjtën krenari dhe pasion, ka humbur babain e saj.

Avni Mula, kompozitori që me "Valsin e Lumturisë" dhe shumë këngë të tjera lumturoi me muzikën e tij sa e sa artistë dhe njerëz të thjeshtë, u nda nga kjo jetë në moshën 93 vjeçare.

Eshtë fort i habitshëm fakti, se si muzika të zërë kaq shumë vend tek një njeri, sa ai të punojë për muzikën deri në moshën e vonë, pa pranuar të dorëzohet.

Vitet bëjnë të tyren, brezat ndërrohen, shumë ikin nga kjo jetë dhe të tjerë lindin dhe bëhen yje të skenës, por Avni Mula përfaqëson një artist vërtet të rrallë, që megjithë jetën e jetuar intensivisht, me gjithë këngët, kompozimet, interpretimet operistike dhe kontributin e pandalur në skenë, e meriton fjalën kolos të skenës.

Robert Radoja, instrumentist dhe bashkëpunëtor i afërt i Avni Mulës, e kujton kështu mikun e tij:

"Shumë e vështirë me gjetë fjalën e duhur sepse e kam pasur mësues, prind, shok, koleg, këshilltar, edhe ndihmë gjithë jetës sime. Eshtë shumë e vështirë me gjetë fjalën e duhur...Unë do ta përkufizoja me një shprehje pak tradicionale: U shëmb edhe një shkëmb nga mali!

Avni Mula është i papërsëritshëm, i ka kënduar shpirti, ka kënduar vetë, por na ka lënë një pasuri që do të jetojë ndër shekuj. E kjo është gjëja më e madhe. Avniu, një artist i madh, një këngëtar i paarritshëm në zhanrin e tij, pastaj një kompozitor që na ka lënë këngë që do t'i këndojnë në shekuj..."

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928, më pas familja u zhvendos në Shkodër, ku nga kontaktet e para me Prenkë Jakovën do të evidentohej si artist që premtonte shumë për skenën shqiptare.

Arti i tij është një nga momentet më të rëndësishme të muzikës shqiptare të të gjitha zhanreve, që do të merrte udhë pas përfundimit të studimeve në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957). Aty mjeshtri u diplomua si këngëtar lirik.

Avni Mula i përket atij brezit të ardhur nga Konservatori i Moskës, që kur mbërriti në Shqipëri solli me vete edhe një pasuri tjetër të madhe, gruan e tij ruse, sopranon e madhe, Nina Mula.

Ata ishin një çift i shkëlqyer dhe të dy, në çdo ambient flisnin shqip. Meritë kjo e Avniut, i cili e kishte lidhjen me atdheun, tipar kryesor të jetës së tij. Nga kjo familje artistësh, lindën edhe dy vajza artiste, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, soprano me famë botërore.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Mjeshtri i madh i skenës operistike e krijimtarisë vokale, ka qenë një nga themeluesit e traditës vokale e operistike të skenës shqiptare, duke u shenjuar si baritoni legjendë i historisë së skenës në dhjetra kryerole.

Vlerat e tij janë të krahasueshme me artistët që kanë kontribuar në skenat botërore.

Drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit sjell në vëmendje disa nga kryerolet e Avni Mulës në skenën operistike..

"Nuk do të harrohet roli i Berberit tek "Berberi i Seviljes", apo roli i Rigoletos tek “Rigoleto”, por edhe roli i Gjetës tek opera "Mrika". "

Ndërsa për bashkëpunëtorin dhe mikun ndër vite, dirigjentin dhe ish drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, roli i Avni Mulës në krijimtarinë muzikore shqiptare është i jashtëzakonshëm.

"Ai është një patron i muzikës vokale shqiptare, një nga ato që e kanë rritur kuotën e kësaj muzikë, qoftë me interpretime, më pas dhe në krijimin e saj edhe në gjinitë të cilat ai lëvroi".

Në moshën 80 vjeçare, me shpirtin e tij të paepur artistik, risjell në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit operan shqiptare "Borana", të cilën e kompozoi dhe e vuri për herë të parë në skenë në vitin 1984, me libret të Gjergj Zhejit.

Në vitin 2011, edhe pse në moshë të thyer, mbi 80 vjeç, Avni Mula, i bëri një rishikim veprës së tij duke ndjerë nevojën e restaurimit dhe plotësimit me materialet e munguara. Në qendër të kësaj vepre operistike është një familje shqiptare e kohës së Skënderbeut, një familje që lufton pushtuesit osmanë. Borana është vajza e kësaj familjeje, një vajzë që mbas humbjes së babait dhe vëllait bëhet “burrë” për të mbrojtur familjen e atdheun.

Borana shquhet për muzikën e bukur me motive të veriut. Eshtë shkruar me shije dhe bën pjesë në thesarin e trashëgimisë të operas shqiptare. Firmosur nga Avni Mula.

Përpos veprave operistike Avni Mula dha një kontribut të madh në muzikën e lehtë shqiptare, duke qenë pjesë e festivalit të këngës që nga edicioni i parë deri në vitet '90. Ai futet në "legjendat e festivaleve jo vetëm se ka kënduar "Këndoj"në festivalin e parë në vitin 1962, por është kompozitori që ka krijuar këngën ikonë "Valsi i lumturisë”.

Eshtë ndër këngëtarët më popullor të muzikës shqiptare.

Në krijimet e Avni Mulës përmendim këngë të arta të repertorit të festivaleve, si "Trëndelinë dhe këngë", " Shqipëri, o vendi im", "Nënë moj do pres gërshetin", "Natë feste", "Kur vallëzojmë tok", "Tek ajo dritare", " Një djep në barrikada", etj.

Titujt e shumtë dëshmojnë jo vetëm për trashëgimi muzikore, por edhe dashurinë për vendin, për atdheun të cilit i këndoi. Avni Mula është artisti i dashur për të gjitha brezat. Fëmijët e sotëm, pa e ditur i këndojnë akoma këngët e kompozuara prej tij në vite: “Kur këndoj për ty, moj nënë”, “I ëmbël zëri i gjyshes”, "Gabimi i Mirelës", e shumë të tjera jo vetëm janë shpërblyer me çmime në festivalet e fëmijëve, por si diamantë të çmuar bëjnë pjesë në arkivin e artë të muzikës për fëmijë.

Rrallë të vijnë në jetë artistë të përmasave të tilla, shumë dimensionale, me një talent të jashtëzakonshëm, përkushtim dhe dashuri për artin, me kontribute që kalojnë planin personal dhe shkojnë drejt një dimensioni më të gjërë, duke dhënë edhe kontribut familjar në muzikën kombëtare e jo vetëm. Bija e tij, sopranoja e njohur me famë botërore Inva Mula, e dëshmon këtë.

Vepra e kompozitorit Avni Mula do të jetë udhërrëfyesi më i mirë i brezave të artistëve dhe artëdashësve që e deshën, e duartrokitën dhe do ta ruajnë të shenjtë kujtimin e tij të përjetshëm.

Sepse njerëzit që krijojnë vepra të mëdha, nuk vdesin, edhe kur largohen nga kjo jetë. Vepra e tyre jeton !

Neritana Kraja