63-vjeçari gjerman Michael Hermann e vizitoi për herë të parë provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore në vitin 2005, si përfaqësues i Federatës së Shoqatave të Lëvizjes Ndërkombëtare “Humana People to People”. Gjatë 15 vjetëve, ai ka bërë përpjekje me të gjitha forcat për përmirësimin e arsimit parashkollor në zonat e varfra të provincës Yunnan, duke hapur kopshte fëmijësh, për t'i nxjerrë familjet në nevojë nga rrethi vicioz i varfërisë.

“Ndihma ndaj të varfërve nuk është dhuratë që bie nga qielli, por kërkon përpjekje të paepura njerëzore. Si një shoqatë e vogël, ne nuk mund të zgjidhim problemin e arsimit parashkollor të qindra mijë fëmijëve në Kinë, por mund të shërbejmë si shembull dhe të tërheqim më shumë forca shoqërore të marrin pjesë në të, që të përpiqemi bashkërisht për këtë çështje,” e shpjegon Hermann-i misionin e vet në Kinë.

Ai e quan veten një vullnetar ndërkombëtar, sepse ka punuar dhe jetuar në 45 vende të botës. Në vitin 2005, Hermann-i erdhi në Kinë në emër të Federatës së Shoqatave të Lëvizjes Ndërkombëtare “Humana People to People”, e cila ka 31 anëtarë dhe ka zhvilluar projekte në 42 vende.

Kur promovoi projektin e parë të zhvillimit rural në pjesën perëndimore të provincës Yunnan, Hermann-i zbuloi se fermerët vendës nuk kishin kohë të lirë për zhvillimin profesional, sepse duhej të kujdeseshin për fëmijët, ndërsa në këto fshatra të largëta, arsimi parashkollor kishte ende mangësi. Kështu, ai vendosi të krijonte sistemin e kujdesit ditor për fëmijët në këtë zonë.

“Një fjalë e urtë kineze thotë se në moshën tre vjeçe shihet fëmija, ndërsa në atë shtatëvjeçare shihet i rrituri.” Hermann-i është i mendimit se në fazën nga lindja deri në moshën 7 vjeçe rezervohet energjia për tërë jetën e njerëzve. Gjatë kësaj periudhe, fëmijët duhet të kultivojnë aftësinë e vëzhgimit, aftësinë e gjuhës, vetëbesimin, aftësinë krijuese dhe tolerancën. Të gjitha këto aftësi formohen në fëmijëri dhe e shoqërojnë një njeri tërë jetën. Fëmijët prej familjeve të varfra e kanë të vështirë t'i kultivojnë këto aftësi, prandaj këto familje bien gjithmonë në rrethin vicioz të varfërisë. “Theksi i punës sonë është kultivimi i këtyre aftësive te fshatarët,” theksoi Hermann-i.

“Në fillim zhvilluam kursin për prindërit. Por zbuluam se shumë prej tyre nuk mund të merrnin pjesë vazhdimisht në kursin tonë, për shkak se duhej të kujdeseshin për fëmijët në shtëpi. Njëkohësisht, pushteti vendor nuk kishte fonde të mjaftueshme për të ngritur kopshte fëmijësh në zonat e largëta e të varfra. Prandaj paraqitëm sugjerimin që pushteti vendor të organizonte klasa parashkollore dhe prindërit t'i zgjidhin nga radhët e veta edukatorët e edukatoret, të cilëve t'ua besonin fëmijët e tyre. Personat e përzgjedhur janë zakonisht vetëm me arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar, ndërsa grupi ynë i ekspertëve bën përgatitjen e tyre për 680 orë në tre vjet, që ata të kenë aftësitë e duhura për të punuar si edukatorë e edukatore kopshti,” shpjegon Hermann-i.

Për fëmijët e varfër, Michael Hermann-i ka rendur sa andej-këndej për të paraqitur kërkesa, për të tërhequr investime, për të mbikëqyrur ecurinë e projekteve, për të vizituar familjet e fermerëve... Përpjekjet e tij janë shpërblyer. Deri në fund të vitit 2019, në fshatrat që kanë marrë ndihmë, janë hapur 248 klasa parashkollore, të cilat u kanë ofruar shërbime përkujdesjeje dhe arsimimi 27 mijë fëmijëve të varfër.

“Nëse duam ta ndryshojmë botën dhe të mos kënaqemi me gjendjen e tanishme, duhet të përpiqemi çdo ditë në punë, derisa ta realizojmë objektivin,” tha Hermann-i.

Arsimi parashkollor është metoda themelore për ndërprerjen e trashëgimit të varfërisë ndër breza. Me shtimin e vëmendjes së qeverisë kineze në këtë drejtim, Hermann-i dhe stafi i tij e kanë zhvendosur pandërprerë theksin e punës së tyre: “Në të kaluarën hapnim kopshte fëmijësh në fshat, por tani përgatisim më shumë edukatorë e edukatore për kopshtet shtetërore të fëmijëve.”

“Kushtet materiale në Kinë janë përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe mbarë Kina do të arrijë fitoren e betejës për zhdukjen e varfërisë absolute.” Sipas Hermann-it, këto arritje janë të pandara nga tre “sekrete”: vendosmëria politike e qeverisë qendrore, projektimi i nivelit të lartë e zbatimi i saktë i tij, si dhe bashkërendimi në zhvendosjen e burimeve prej krahinave të zhvilluara në Lindje drejt atyre të pazhvilluara në Perëndim të vendit. “Pikërisht këto tre pika mungojnë në vende të tjera për realizimin e objektivave të OKB-së për zhvillimin e vazhdueshëm,” thekson Hermann-i. (Wang Lei)