Fshati Fishtë është i njohur si vendlindja e poetit të madh Gjergj Fishta. Ky fshat dikur i varfër, sot është shndërruar në atraksion turistik.

I pari që i ktheu lavdinë fshatit Fishtë, ishte një agriturizëm i vogël, që u hap pikërisht këtu nga ëndrra e një emigranti të ktheyr në vendlindje, e që me emrin që i vuri restorantit, evokoi të kaluarën historike të fshatit.

Në pak vite, ky restorant u kthye në restorantin më të njohur në vend dhe jo vetëm, hyri në vlerësimet e enteve të specializuara botërore, në guidat më të njohura të turizmit dhe u kthye në trend.

Fama që mori fshati nga ky agriturizëm, sigurisht që dha një ndihmesë të jashtëzakonshme, që njerëzit të kthenin kokën nga historia e tyre. Pasi pikërisht në këtë fshat të varfër dhe të harruar, kishte lindur një ndër poetët misionarë të shqipes, një klerik i zgjuar, i kulturuar dhe patriot i rrallë: Gjergj Fishta.

Sot shtëpia e tij, është rikonstruktuar tërësisht dhe është shndërruar në një atraksion të bukur turistik.

Pikërisht ne do të ndalojmë tek shtëpia e poetit, tek restoranti "Mrizi i Zanave" dhe në vreshtat e Zadrimës, ku kultivohet një nga varietete që prodhon verën më të mirë në vend.

Na ndiqni në udhëtimin tonë!

Shtepia e Gjergj Fishtes

Shtëpia e Gjergj Fishtës

Falë investimit prej 5.5 milionë lekësh nga ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë, është shndërruar në një muze që tërheq më shumë vizitorë në të gjithë zonën.

Rindërtimi i kullës dy katëshe vjen në përvjetorin e lindjes së poetit.

Punimet restauruese i janë përmbajtur konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë e çati.

Ndërsa në dhomat e saj janë ekspozuar edhe veprat e Fishtës.

Punimet për rindërtimin e shtëpisë së Fishtës nisën në 17 qershor të këtij viti dhe tashmë kulla me pamjen mahnitëse pritet të jetë një atraksion turistik që do t’ia shtojë vlerën zonës.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë.

Rindërtimi i shtëpisë është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij.

Rindërtimi i shtëpisë së Fishtës, në fshatin Fishtë e kthen atë në një destinacion të preferuar turistik.

Mrizi i Zanave

Mrizi i Zanave

"Mrizi i Zanave” është restorant e qendër agroturizmi në Fishtë, pranë Lezhës. Një vend ku rendin turistë e qytetarë nga e gjithë Shqipëria, madje edhe plot turistë të huaj dhe diplomat. Një vend i mahnitshëm, por mbi të gjitha me gatime nga më të mirat, me një kulturë shërbimi jashtëzakonisht cilësore.

Restoranti dhe bujtina e saj e kanë kaluar famën e Shqipërisë dhe janë ndërtuar si pjesë e një tradite familjare, ndërsa vazhdimisht suprizon mysafirët e tij.

"Mrizi i Zanave" është një vend ku do të ndieni veten si në parajsë. Ajër i pastër, kodra përreth, qielli blu dhe disa nga ushqimet më të shijshme që keni provuar ndonjëherë.

E vendosur në fshatin Fishtë, në rajonin e Zadrimës, "Mrizi i Zanave" sigurisht që përputhet me emrin e tij - Bota e përrallave. (Emri është huazuar nga vepra e Gjergj Fishtës me të njëjtën titull).

Ferma ndodhet në mes të ultësirës. Ndërtesat përreth restorantit dhe bujtinës janë shtëpia e patave të zhurmshme, e bagëtive dhive dhe kafshëve të tjera.

Miriz i Zanave Bujtina

Rrugës duke u afruar për tek Mrizi i Zanave do të shoqëroheni nga vreshtat, ullinjtë që rritin prodhime të freskëta dhe sezonale. Një dyqan i vogël dhuratash ndodhet para hyrjes dhe shet liker vendas, sapun të mbushur me sherebelë, mjaltë dhe reçelra autentikë.

Jashtë dyerve të saj, kunguj, qepë dhe kallinj misri varen pezull nga tavani.

Pasi të ngjitni një sërë shkallësh të pjerrëta, ose mund të shkoni djathtas dhe të admironi pamjen nga një platformë me një dysheme transparente, ose të shkoni në restorant për të provuar shije të mrekullueshme.

Kur hyni në zonën e ngrënies, ju përshëndesin me tingullin e një violine që luan një përzierje të këngëve tradicionale dhe hiteve moderne me një kthesë klasike.

Mishi i kuruar, djathrat dhe kavanoza të panjohura të reshtuar nëpër rafte dhe një dritare e vogël, ju jep një vështrim të shkurtër në kuzhinën ku ndodh magjia.

Zona e madhe e ngrënies është e ndriçuar me dritë natyrore që vërshon nga dritaret e mëdha, të kompletuara me korniza që janë pikturuar me dorë me modele etnografike shqiptare. Tavolina të rënda prej druri janë të mbuluara me pëlhura të buta pambuku dhe karriget prej druri kanë vargje nga poezia e Fishtës të gdhendura në pjesën e pasme.

Kur vjen momenti që duhet të porosisni në restorant, e vetmja gjë që duhet të zgjidhni, është mishi. Pasi antipastat që vijnë në tavolinën tuaj, janë të njëjta për të gjithë:

Janë pjata të vogla që përmbajnë turshi, djathë me boronicë, proshutë dhe sallam të kuruar, ullinj në vaj ulliri, lakror me një shumëllojshmëri mbushjesh, fasule të marinuara, oriz dhe kos dhe një lloj buke integrale.

Restoranti Mrizi i Zanave

Djathrat janë të shijshëm dhe ofrojnë një përzierje interesante të ëmblës, të nxehtës dhe të kripurës dhe shoqërohen në mënyrë të përsosur me mishrat e tymosur.

Viçi, mishi i derrit, pula, rosa dhe keci janë opsionet për pjatën kryesore dhe cilindo prej tyre të zgjidhni, ju po hani një nga vaktet më të mira të jetës suaj.

Ato shërbehen me perime të freskëta sezonale, duke përfshirë misër në kalli, speca jeshilë, patëllxhanë dhe kunguj.

Emblësirat që vijnë në fund të vaktit, janë ndër më të veçantat dhe të papriturat që ke ngrënë ndonjëherë.

Prapa restorantit, në majë të kodrës ndodhet blloku i akomodimit. Një ndërtesë me të vërtetë e mrekullueshme, ajo është vendosur duke ofruar pamje të mrekullueshme të maleve dhe ultësirave që e rrethojnë atë.

Një pjesë e ndërtesës u shkatërrua dhe në vend që ta rindërtonin me gurë, ata e mbuluan boshllëkun me xham, duke ofruar një përvojë vërtet unike për ata që akomodohen aty brenda.

Mbledhja bashkë e nostalgjikëve të fshatit në një strehë qetësie, larg zhurmës urbane, rezultoi një histori e vërtetë suksesi.

Duhet të vini në Fishtë për ta provuar këtë!

Vreshtat me varietetin e Kallmetit

Kallmeti, mbreti i vreshtarisë dhe i verës

Nëse shtëisni kodrave të Zadrimës, është e pamundur të mos ju kapin sytë vreshtat me rrush Kallmet. Ky rrush prodhon verën më të mirë në vend. Dhe kaq e njohur është zona në kultivimin e rrushit Kallmet, sa një fshat i Zadrimës ka të njëjtin emër: fshati

Kallmet.

Një shtëtitje turistike këtyre fshatrave, do të ishte elementi i duhur për të përmbyllur vizitën tuaj në zonën e Zadrimës, ku prodhohet vera më e mirë, e kuqe, në ngjyrë Rubini.

Restorantet e zonës, agriturizmi "Mrizi i Zanave" dhe mjaft restorante të veriut kryesisht, përdorin vetëm verën që prodhohet në zonë. Ndonëse zona ka kapacitete të mjaftueshme për të furnizuar edhe prodhues të tjerë të verës me varietetin e saj të vyer: kallmet!

Kjo zonë është e njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimin e verës.

Ky varietet u shpërnda nga romakët në vendet e Europës Qendrore. Verërat e këtij varieteti janë me ngjyrë rubini, kanë karakter dhe një shije që të mbetet lehtë në kujtesë.

Kultivimi i këtij varieteti rrushi dhe vera e prodhuar prej tij janë trashëguar falë famullive dhe familjeve verëprodhuese të zonës së Zadrimës, të cilat, e kanë bërë të famshëm këtë variEet në të gjitha epokat historike.

Madje vera “Kallmet” pëlqehej dhe nga vetë Papa.

Vrietetet Kallmet

Fakti që në lashtësi kallmeti kultivohej në këtë zonë, madje deri në Shkodër, bëri që romakët kur e kultivuan edhe në Hungari, Serbi dhe Bullgari, e quajtën me emrin "Kadarka", "Skadarka" (që vjen nga emri i qytetit Shkodër).

Po ashtu, në Mesjetë, kur ky rajon nuk ishte nën sundimin e plotë osman, ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore "Kallmet". Madje historiani i vjetër Frang Bardhi e përmend në relacionet e tij që "të dhjetat" që i dërgoheshin Vatikanit, i dërgoheshin me verë "Kallmet".

Rajoni kodrinor i Zadrimës është nga rajonet më të përshtatshme për prodhimin e rrushit dhe Kallmeti bëhet vetëm në kët zonë. Madje para viteve '90 ky kultivar (Kallmeti) ishte i vetmi i çertifikuar në Francë dhe vazhdon të ngelet kultivari i vetëm i çertifikuar në Shqipëri.

Mjafton të shkoni në këtë zonë të bukur për të mësuar më shumë për historinë dhe cilësinë e verës.

Fshtarët e njohin mire dhe janë krenar për trashëgiminë e tyre.

Mjafton të ndaloni në kantinat që e prodhojnë verën, për të degustuar. Ata do ju mësojnë më mirë se si testohet vera e mirë.

E për t'i dhënë një fund të lumtur vizitës suaj, ndaloni për të ngrënë ose tek "Miriz i Zanave", për të cilin folëm pak më lart, ose në cilindo restorant ku nuk do të mungojë vera e mirë Kallmet! (Neritana Kraja/ Redaktorja Wang Lei)