Përshëndetje dëgjues të rubrikës së përjavshme Kult Mix. Në takimin e sotëm do të flasim për një ekspozitë të rrallë e cila prezanton libra dhe dorëshkrime të vjetra, të paekspozuara më parë, të një rëndësie të jashtëzakonshme, sa i takon vlerave arkivore dhe historike.

Ekspozita Verba Volant Scripta Manent

"Verba Volant Scripta Manent", shprehja e njohur latine që na tregon rëndësinë që ka gjuha e shkruar, përkthyer në shqip "fjala fluturon, e shkruara mbetet", ka prezantuar "Thesaret e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë" në eskpozitën e promovuar në ambientet e Kryeministrisë.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka nxjerrë nga arkiva 800 vepra të rralla dhe origjinale që ruhen prej një shekulli, ku shumë prej tyre prezantohen për herë të parë për publikun.

Fillohet me veprat e antikitetit greko-romak. Biblioteka disponon një koleksion të rëndësishëm të përbërë me disa prej botimeve më të hershme të autorëve të antikitetit në Evropë, si të Aristotelit, Strabonit, Demostenit, Plinit, Eskilit, Sofokliut, Ciceronit, etj.

Një vend të veçantë zë dhe koleksioni i autorëve bizantinë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë disponon një koleksion të jashtëzakonshëm të Korpusit Bizantin, d.m.th me vepra të autorëve kryesorë bizantinë, në edicione dy gjuhëshe (greqisht e latinisht).

Jo më pak me interes është dhe koleksioni i dorëshkrimeve orientale: arabisht, persisht dhe osmanisht, disa prej tyre me vlerë të madhe. Vlen të veçohet biblioteka e Bushatllinjëve të Shkodrës, me rreth 130 dorëshkrime.

Një vend të veçantë zënë botimet me natyrë fetare të tre besimeve fetare kryesore në vend, ku BKSH ka një koleksion mjaft të pasur me botime mjaft të rralla, mes të cilave një sërë Biblash e Kodikësh të 1500-ës, botime nga Papa Piu II e Shën Agostini të 1400-ës dhe 1500-ës.

E kështu mund të vazhdohet me pavijone të tjera, ku surprizues ngelet thesari ndërkombëtar.

Drejtori i Bibliotekes Kombetare Pirro Misha

Drejtori Pirro Misha e cilëson si ekspozitën më të madhe të organizuar ndonjëherë nga BKSH.

Mbi 800 libra e dorëshkrime, të cilat ekspozohen, përbëjnë disa prej vlerave më të rëndësishme të fondit të Bibliotekës Kombëtare.

"Pjesa më e madhe janë krejtësisht të panjohura, që publiku nuk e ka ditur që janë. Eshtë një thesar i vërtetë që meriton të njihet sepse është një pasuri e jonë.

Kemi nisur me trashëgiminë kombëtare, është i vetmi vend që ruan trashëgiminë e shkruar të popullit shqiptar, të historisë sonë, janë dy pavionet e para.

Por surpriza e kësaj ekspozite është thesari ndërkombëtar që ne kemi. Kemi një sërë veprash që janë me vlerë të jashtëzakonshme botërore, që janë këtu dhe janë të panjohura, që kanë filluar që nga trashëgimia greko romake, bizantine, veneciane, orientale, e rilindjes italiane, rilindjes europiane, të besimeve fetare..."

Libra te vjeter te ekspozuar ne nje nga pavionet

Ekspozita me libra antikuare, dokumente dhe dorëshkrime të Aristotelit, Strabonit, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Marin Barletit dhe shumë emrave të tjerë për Piro Mishën, ka një mision: kthimin e identitetit dhe vëmendjes tek Biblioteka Kombëtare që sot ruan pasuri të mëdha. Meritë kjo edhe e punës së pandërprerë të njerëzve që e krijuan këtë bibliotekë.

"Çudi që kemi kaq shumë gjëra dhe kjo është një respekt, një meritë për ato që kanë bërë të mundur këtë pasuri, që e kanë drejtuar bibliotekën, që e krijuan, duke filluar me Mati Logorecin, Karl Gurakuqin, Sotir Kolean, në mënyrë të veçantë Lumo Skëndon e kështu me radhë të gjithë të tjerët... Qoftë edhe atyre familjeve që iu sekuestruan librat që kanë ardhur këtu.

Eshtë edhe një histori e elitave tona që kanë pasur atë largpamësi. Që të kesh këtu përshembull kompletin e plotë me 39 volume të enicklopedisë së Dideroit, botimin e parë të Zhan Zhak Rusoit, të Volterit....Ka vepra që të surprizojnë, thua si ka mundësi që kanë ardhur në Shqipëri këto vepra"

Kjo ekspozite për drejtuesit e qendrës për komunikim dhe dialog në kryeministri, është e një rëndësie të veçantë.

Thesaret e Bibliotekes

Ekspozita që hapet në kuadrin e aktiviteteve me rastin 100 vjetorit të krijimit të Bibliotekës Kombëtare, është e vizitueshme në mënyrë virtuale, nëpërmjet ekspozitës 3D që gjendet në faqen e Qendrës për Komunikim, www.cod.al dhe do të qëndrojë e hapur deri me datën 3 nëntor. (Neritana Kraja/redaktor Fani)