Lezha është një qytet i ngritur në ajër, që mund të shihet nga të katër anët”, – shkruante në shekullin XII, Ana Komnena e Bizantit. “Si rrallë në ndonjë vend tjetër, – shkruan ajo, – brenda pak kilometrash, në Lezhë rrinë bashkë si syri pranë syrit, deti me rërën, mali me pyjet, Drini me lagunat dhe historia me kulturën.

Kalaja e Lezhës

Historia

I ndodhur në veriperëndim të Shqipërisë, qyteti i Lezhës gjendet afër detit Adriatik. I themeluar në vitin 385 para erës sonë nga Dionizi i Sirakuzës, Lezha është një ndër qytetet më të hershme të Shqipërisë. Në burimet historike të kohës së lashtë, qyteti përmendet me emrat Lis, Lissos, Lisson dhe historia njerëzore në këtë qytet gjallon që në periudhën historike, epokën e bronxit dhe të hekurit. Fillimisht qyteti përmendet kur përshkruhen kushtet e paqes që u vendosën ndërmjet mbretëreshës Teuta dhe dhe përfaqësuesve të Romës në vitin 229 para Krishtit, kur Lisi caktohet si kufiri më jugor i lundrimit të anijeve luftarake ilire në bregdetin lindor të Adriatikut. Emri i qytetit të Lezhës përmendet nga historianët grekë e latinë në kronikat veneciane. Rëndësi të veçantë, qyteti do të merrte në shekullin e XV. Gjatë kësaj periudhe Lezha quhej edhe “kryeqyteti diplomatik” i Arbërisë. Në vitin 1444, në këtë qytet u mblodh kuvendi i Princave shqiptarë dhe u themelua shteti i parë mbi bazën e principatave. Kuvendi i Lezhës bashkoi forcat e shqiptarëve dhe emëroi Skënderbeun si udhëheqës ushtarak të tyre. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje të vecantë është ndërtuar Obelisku në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, i cili është një ndër pikat më interesante dhe më të vizituara nga turistët vendas e të huaj. Është e një rëndësie të madhe dhe Kështjella Mesjetare e qytetit e ndërtuar me një stil të veçantë e në një pozicion tepër interesant. Gërmimet arkeologjike të kryera përreth kalasë si dhe brenda mureve ilire, dëshmojnë lashtësinë e këtij qyteti.

Laguna e Kune Vainit, Lezhë

Trashëgimia dhe kultura

Monumentet e kulturës, objektet e kultit, monedhat, gjetjet arkeologjike, dokumentat e shkruara, ngjarje e figura të shquara dhe një trashëgimi e madhe kulturore, folklorike, veshje e etnografike etj, janë dëshmi për të kaluarën e qytetit 2400 vjeçar.

Qyteti e rrethinat ruajnë vlera thuajse unikale siç janë: akropoli, qyteti antik, objekte kulti si kasha e xhami, kalaja mesjetare, mbishkrime e pllaka, vula e monedha të gjetura në këtë qytet e rrethinat e tij. Tradita në kulturën juridike është e hershme dhe unikale në këtë qytet. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe ai Skënderbeut, janë kushtetuta e shtetit etnokulturor vetëqeverisës. Ndërkohë Qarku i Lezhës është trualli i shkollave të para shqipe. Historia e vërtetë e arsimit fillimisht ka nisur në Kurbin, më vonë në Pllanë, Blinisht, Velë e Troshan që në shekullin e XVII-të. Është kjo arsyeja që një varg dijetarësh dhe personaitetesh të këtyre viseve vunë gurët e themelit të arsimit dhe kulturës kombëtare. Vlen të përmendim këtu, Fishtën, Bardhin, Zarishtin, Dacin, Kolecin etj.

Shpendet ne Lagunen e Kune Vainit

Lezha, e populluar nga mirditorë, zadrimorë e malësorë të Malësisë së Madhe përveç një pasuri gjuhësore, veshje etj, ka dhe një pasuri të madhe zakonore, dokesh, besimesh e bestytnish e rite të motmotit, të cilat lidhen jo vetëm me lashtësinë por edhe me një larmi besimesh e ritesh të fesë, të cilat vazhdojnë të ruhen deri në ditët tona, pasuri e cila është e domosdoshme të sillet në larminë por dhe në kushtet e zhvillimeve të reja. Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfetare janë dëshmi e një tradite kulturore të hershme dhe të pasur.

Pa harruar mjeshtëritë, zejet e zanatet e ndryshme ku Lezha paraqitet me një gamë të gjerë punimesh, ardhur nga përvoja e gjatë e shekujve. Nga gdhendjet në dru e punimi me dorë i furkave, lahutave e çiftelive, enëve të bulmetit, zbukurimet e të shtëpive, tavaneve etj. Punimet në gur, gdhendjet interesante e ornametet mahnitëse, punimet e latuara të kullave e frengjive, thurjet me punime kashte e endjet e pëlhurave sit ë Zadrimës etj .

Lezha prej vitesh organizon festivalin kombëtar të rapsodëve duke kontribuar për shpalosjen dhe ruajtjen e kulturës materiale e shpirtërore mjaft të pasur në këto vise.

Plazhi i Shengjinit në Lezhë

Turizëm

Me një pozitë të favorshme gjeografike, me burimet natyrore turistike dhe me numrin e madh të objekteve historike dhe arkeologjike, qyteti i Lezhës ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit historik e kulturor.

Vendvarrimi i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili ndodhet në qendër të qytetit mbetet një nga asetet më të rëndësishme për tu vizitur nga turistët vendas e të huaj. Objektet e shumta të kultit, përvec vlerave fetare kanë edhe vlera arkitektonike dhe historike. Ndërkohë të vizitosh Kalanë e qytetit, ku vec historisë të mundësohet të shijosh dhe një peisazh mahnitës që depërton thellë në det, por edhe duke soditur lumen, lagunat luginat, fushat, malet dhe gjithë qytetin. Ndërtimi i qytetit daton në shekullin e VIII, për të përfunduar në shekullin e XV. Për një kohë të gjatë qyteti njihej si Kështjellja e Elisonit .

Vendvarrimi i Skenderbeut ne Lezhë

Pastërtia ekologjike e mjedisit tokësor, ujor e ajror, prania floristike me pyje, lëndina e livadhe, fauna e shumëllojshme, klima e përshtatshme e të tjerë faktorë, tregojnë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për zhvillimin e një turizmi bashkëhor dhe të qëndrueshëm me të gjitha llojet e pasurive turistike :detare, lagunore e luginore e ndër të tjera turizëm malor. Lezha është vendi ideal ku mund t’i bësh të gjitha në një vend të vetëm. Për vetë pozitën gjeografike që ka, turizmi bregdetar është më kryesori me një vijë bregdetare prej 38 km katror, ku vlen të përmenden plazhet e mrekullueshme të Shëngjinit, Tales, Patokut, Godullit etj. Laguna e Kune- Vainit dhe ajo e Patokut, trashëgojnë vlera të papërsëritshme natyrore duke krijuar një peisazh piktoresk të rrallë. Këto laguna popullohen nga një numër i madh speciesh të florës dhe faunës ujore, duke dhenë një kontribut të veçantë në biodiversitetin ,burime ushqimore dhe vlerat estetike. Ndërkohë për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi të cilat shërbejnë për të ekploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë. Eksplorimi i këtyre dy lagunave është mjaft çlodhës dhe një kënaqësi më vete. Ndërsa udhëtimi me skaf drejt vendit të quajtur “Rana e Hedhur” është një eksperiecë ndryshe për tu shijuar dhe një prej më të bukurave të Shqipërisë. Kulinaria mbetet veçoria e Lezhës turistike, ku mund të gjesh një ndërthurje të kuzhinës tradicionale me atë italiane. Krahës prodhimeve të freskëta të detit, turistët mund të shijojnë zogjtë e fshatit apo byrekun me pulë, pa lënë mënjanë verën e njohur “Kallmet”. (Elida Lazi)