Qendrat e qyteteve të Shqipërisë, janë përfituesit më të mëdhenj të investimeve për transformimin urban. Nëse vizitohen qytetet e vogla apo qytete kryesore të vendit, turistët menjëherë do të dallojnë investimet e dukshme që janë bërë, të cilat ia kanë trasnformuar imazhin dhe përmirësuar perspektivën këtyre qyteteve.

Investimet që nuk janë thjesht çështje fasade, por edhe nxitëse të turizmit, kanë bërë që Sheshi Skënderbej në Tiranë, Bulevardi Shën Gjergji në Korçë dhe Lungomare në Vlorë, të kthehen në destinacione mjaft joshëse për turistët.

Rehabilimiti i tyre, jo vetëm që ka ruajtur trashëgiminë arkitekturore, por ka sjellë një zhvillim të madh të zonave, të cilat ofrojnë shumë më tepër për turistët.

Sot do të flasim pikërisht për këto tre qëndra, se çfarë kanë ruajtur dhe çfarë kanë përfituar nga rehabilitmi urban.

Sheshi Skenderbej në Tiranë

Sigurisht është sheshi më i njohur dhe i dashur për Shqiptarët. një shesh që ka faktuar mjaft ngjarje historike, monumente përreth tij dhe së fundmi edhe një rikonstruksion, i cili e ka bërë akoma më funksional, në shërbim të banorëve dhe turistëve.

Kilometri 0 i Tiranës është Sheshi “Skënderbej”. Hapësira u konceptua në formë rrethore nga arkitektët italianë të periudhës së Musolinit, Florestano de Fausto, Gherardo Bosio dhe Armando Brasini.

Sheshi e mori emrin e Heroit Kombëtar në vitin 1937. Ndërtesat që e rrethonin fillimisht janë ende aty por sot i gjithë ansambli i sheshit është modernizuar, duke u kthyer në hapësirë këmbësorësh e rrethuar me gjelbërom dhe e shtruar me gurë natyralë shumëngjyrësh të marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë.

Pllakat kulmojnë në mesin e sheshit si një piramide që ngrihet lehtë nga skajet rrethuese të tij, ku rrjedh uji i shatërvanëve freskuese gjatë verës.

Sheshi është një qendër muzeale e mirëfilltë sepse godinat që e rrethojnë kanë funksione të larta administrative, shtetërore dhe kulturore.

Sheshi përmban mjaft monumente të rëndësishme të cilat nuk mund t'i shpëtojnë syrit të turistëve.

Sheshi Skënderbej në Tiranë është ndër vendet më të fotografuara për Instagram, nga turistët e huaj por edhe vendas që vijnë për të vizituar Tiranën. Stolat e shumtë vendosur mbi cepat e sheshit, ftojnë gjatë ditëve me kohë të mirë, njerëz nga të gjitha moshat.

Nuk është aspak habi që të shohësh nuse që pozojnë në këtë shesh, apo njerëz që lexojnë në ishullin e tyre të qetësisë.

Gjatë ditëve festive, ky shesh kthehet në vend ku panaire të shumta ekspozojnë produktet e tyre, njerëzit konsumojnë pijet që dëshirojnë, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë luajnë me karoselët që pushtojnë sheshin.

Gjitashtu fëmijët vrapojnë, luajnë, nisin biçikletat apo patinat, ndërsa aktivitetet festive në këtë shesh kanë gjetur skenën më të mirë të mundshme për koncerte masive.

Bulevardi i Korçës

Bulevardi i Korçës është zemra e qytetit. Është vend takimi ku qyteti i vjetër takon të renë. Ky Bulevard, i dashur për korcarët, i gdhendur në vargjet e serenatave dhe në kujtesën e çdo vizitori, mbetet prezantimi më dinjitoz i qytetit, vendi ku banorët takohen për kafe apo thjesht për një shëtitje.

E veshur me pemë, shtëpi tradicionale, kafene dhe restorante moderne, pedonalja në Korçë është gjithçka që duhet të ketë një shëtitore. Një shëtitje përgjatë pedonales së famshme do t’ju njohë me jetën bashkëkohore të Korçës, si dhe me historinë e saj të rëndësishme.

Zonë e shkëlqyer shoqërore ku vendasit dhe turistët vijnë për të shëtitur, pirë dhe për të ngrënë. Vendndodhje miqësore familjare larg trafikut. Katedralja bën një sfond të bukur kur shikohet nga Kulla e Kuqe gjatë natës.

Investimet e bëra gjatë viteve të fundit, ia kanë shtuar hijeshinë qytetit, e cila mbetet një ndër qytetet më të vizituar pas Tiranës, nga vizitorët e huaj dhe vendas.

Ky Bulevard vetëm për këmbësorë është aq i bukur sa çdo bulevard tjetër në Evropën Lindore. Rreshtuar dendur me pemë dhe kafene, ky është një vend për një shëtitje të qetë dhe një ndalesë për kafe, birra, ose ushqime të shkëlqyera.

Askund më mirë se sa në Pedonalen e Korçës nuk mund të kuptohet përse ky qytet ka marrë namin e një qyteti romantik, plot stil dhe elegancë në mënyrën se si jeton përditshmërinë e vet. E veshur nga pemët përgjatë gjithë rrugës, me shtëpitë e ulëta, kafenetë dhe restorantet moderne, Pedonalja e Korçës është një magnet i vërtetë turistësh që as ju nuk duhet ta humbisni.

Pasi të vazhdoni shëtitjen tuaj përgjatë Pedonales, në anën tjetër të saj, në qendër të sheshit, do të gjeni Kullën Panoramike (ose të Kuqe) ku mund te shihen pamjet e qytetit të Korçës nga 33 m lartësi, duke e përjetuar kështu vizitën në Pedonale në lartësinë e duhur!

Padiskutim që rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër ishte projekt i shumëdëshiruar nga korçarët dhe i lidhur në mënyrë integrale me rehabilitimin e Bulevardit dhe disa monumenteve të rëndësishme të historisë e kulturës. Korcarët dinë jo vetëm të konservojnë të shkuarën, por të nxjerrin në pah vlera të reja, si pjesë e një qyteti të së ardhmes.

Lungomare në Vlorë

Shëtitorja buzë Jonit në qytetin e Vlorës e njohur me emrin e Lungomares, është një nga hapësirat urbane më cilësore për pushim, meditim, pedalim, sporte apo socializim. Ajo ka vetëm pak kohë që ka përfunduar dhe i ka dhënë një tjetër dimension utilitar dhe turistik qytetit.

Një vijë 5 km e gjatë me dalje në qytet dhe plazh është pjesa më moderne e qytetit. Rripi tokësor është dekoruar me palma dhe pisha tipike mesdhetare, dhe harmonia mes bimësisë dhe territorit përreth është gjëja e parë që të bie në sy.

Ndërsa lëvizja e automjeteve në të dy krahët e rrugës automobilistike nuk ndihet shumë, për shkak se është një vijë që lëviz dhe nuk qëndron kurrë në një vend.

Lungomare nis nga zona e quajtur “Skela” deri në afërsi të tunelit të “Ujit të Ftohtë”. Përgjatë gjithë gjurmës urbane prej disa kilometrash vizitorët, turistët, banorët lokalë e shumë të rinj zhurmojnë sheshet publike, hapësirat shlodhëse, kafenetë dhe restorantet e shumta përballë detit.

Në pjesën fundore të Lungomares do të shihni në orë të ndryshme të ditës, spektatorë të shumtë që ndjekin ndeshjet e vogla sportive në fushat e lojërave me dorë. Lungomare mbi të gjitha është një hap larg detit dhe kjo e bën këtë vepër urbane unike në Shqipëri.

Metrat e parë të shëtitores ekspozojnë mbi ujë një rreth të madh i cili duket ose zhduket në baticë dhe zbaticë. Përbri këtij disku qëndrojnë shkallët e një amfiteatri me fytyrë nga deti.

Ulur në këto shkallë, dita juaj do të ketë ngjyrat e diellit, qiellit dhe detit. Disa vepra arti, kryesisht në instalacione janë vendosur mbi shëtitore duke i dhënë cilësi të shtuar hapësirës bregdetare.

Në pjesën fundore të Lungomares, në lartësi mbi të, ngrihet ballkoni i qytetit. Kjo vepër e re urbane ofron pamje spektakolare të hapësirës së kaltër. Poshtë ballkonit qëndrojnë krah për krah fushat e vogla sportive, shtruar me tapete shumëngjyrëshe. Aty pranë gjeni edhe një pishinë për “dembelët” që duan thjesht të pluskojnë mbi ujë.

Përballë Lungomares shijohen kafenetë dhe restorantet e dekoruar në harmoni me pamjen mesdhetare të shëtitores.