"Cirku fluturues" është një film i ri shqiptar, që ka pasur një rrugë të gjatë, por që në fund kjo rrugë e ka çuar drejt vlerësimeve dhe çmimeve. I prodhuar në Kosovë me skenar dhe regji të Fatos Berishës, më në fund filmi pati premierën edhe në Tiranë, si film konkurrues në Festivali Ndërkombëtar të filmit Dea.

Në thelb ky film nis nga ëndrrat e disa djemve të ri në kohën e izolimit.

Ngjarja e filmit zhvillohet në vitet '90 për të përshkruar udhëtimin e katër aktorëve entuziastë naivë nga Kosova në një situatë të rrezikshme: për të arritur në festivalin e teatrit në Tiranë, ku ëndërronin të takonin idhullin e tyre, aktorin britanik Michael Palin, pjesë e një trupe surrealiste në Britani, që krijuan shfaqjen e famshme televizive "Cirku Fluturues i Monty Python", nga ku duket se ka gjetur frymëzimin për titullin regjisori Berisha.

U duhet të kalojnë mjaft peripeci, situata gati të pabesueshme, një rrugëtim sfidues. Duke menduar se po bëjnë një punë të madhe, vendosin të thyejnë kufinjtë tokësorë, për të mbërritur nga Kosova përmes Malit të Zi në Shqipëri.

Regjisori Fatos Berisha tregon se filmi është bazuar në një ngjarje.

"Një rrugëtim i katër personazheve, katër aktorëve, të cilët, bëjnë një udhëtim nga Pishtina në Tiranë, përmes Malit të Zi. Eshtë një story bazuar në një ngjarje të vërtetë ku kam qenë unë njëri prej atyre naivëve"....

Eshtë meritë e skenaristit dhe regjisorit që gjithë dramacitetin e ngjarjes, ai arrin ta shkriftërojë, duke e trajtuar ngjarjen si një komedi të zezë.

"Ne e kemi menduar filmin tonë si një komedi të zezë e në realitet është një film i luftës edhe pse në fakt lufta është si lajtmotiv dhe i rrethon këta personazhe gjatë gjithë kohës edhe pse lufta nuk shihet fare".

Ngjarja e vërtetë e kthyer në film është edhe një homazh për aktorin Vanxhush Furrxhi, i cili, realisht ishte personi që priti në Tiranë aktorët nga Kosova, u kujdes dhe i ndihmoi ata të largoheshin përmes Maqedonisë. E për ta ndarë ngjarjen nga Fiction-i, regjisori Berisha rrëfen se rolin e aktorit të ndjerë e interpreton në film Romir Zalla.

Për filmin janë angazhuar 4 aktorë protagonistë dhe rreth 30 aktorë me role më të vegjël.

Kasti kryesor i filmit i përbërë nga Kristian Halilaj, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj dhe Armend Smajli. Ndërkohë interpretojnë edhe një kast i gjërë aktorësh shumë të mirë që kanë role dytësore. Eshtë një miks i aktorëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Fatos Berisha, skenarist dhe regjisor i filmit, i ka dhënë shumë artit në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai është nga ato njerëz që zërin e këtyre dy vendeve e ka ngjitur në sallat më të rëndësishme kinematografike të botës.

Në Estoni, Itali, Francë, filmi ka konkurruar me dinjitet madje edhe është vlerësuar me çmime. Tani është radha e Tiranës të shprehë vlerësimin e saj.

"Eshtë dashur 9 vjet që nga shkrimi i skenarit deri tek përfundimi i filmit, pasi kaloi një kohë e gjatë. Pasi patën premierën botërore në festivalin e filmit në Talin në Estoni që është festival i kategorisë A, dhe ne ishim pjesë e kategorisë kryesore garuese. Pastaj ishim me fat, që menjëherë pas Talinit ky film e fitoi edhe një çmim ndërkombëtar në "Fabrique Du Cinema" në Romë, si filmi më i mirë ndërkombëtar i vitit.

Një festival ku morëm pjesë para disa ditëve ishte "War in screen" International Film Festival që në shqip është "Lufta në ekran", pra Festivali i Filmave të Luftës. Për më shumë fituam edhe çmimin e parë që ishte edhe një befasi e radhës, edhe një gëzim për ne. Kështu që po, jam i lumtur. Mendoj që mund të quhet sukses.

Sukses jo vetëm për mua, sukses për të gjithë ekipin, për Kosovën, për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut, të cilat janë shtete bashkëprodhuese të këtij projekti".

Pavarësisht suksesit të filmit, Berisha është koshient për vështirësitë me të cilat përballet filmi shqiptar sot. Financimi i filmave, sipas tij mbete problemi kryesor, pasi filmave me financime modeste, u duhet të përballen me filma ndërkomëbëtarë të cilët kushtojë deri në 10 milion euro.

"Natyrisht jetojmë nëpër vende të vogla dhe arti e kultura, aty hyn edhe filmi, pra nuk janë prioritete të shteteve tona dhe çdo gjë është e vështirë në këtë aspekt.

Fatmirësisht ka shumë njerëz kreativë, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pra janë qendrat kinematografike që financojnë projektet vetëm se unë i ftoj organet vendimarrëse që tju japin më shumë buxhet këtyre qendrave që ato pastaj ti distribuojnë kineastëve sepse janë buxhete jashtëzakonsiht të vogla dhe është shumë e vështirë të jemi kompaktibël me projektet europiane, gjithësisht me producentët europianë. Filmi jonë ka qenë në garë me filma 10 milion euro."

Filmi "Cirku Fluturues" vazhdon rrugëtimin ndërkombëtar duke u përzgjedhur në kategoritë garuese edhe për festivale të tjera ndërkombëtare. Një rrugë e merituar suksesi.