Për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dea, ngjarje e rëndësishme artistike që prej 7 vitesh mbahet në Shqipëri, përgjigjia për të mbajtur shfaqje të drejtpërdrejta, apo anuluar plotësisht ngjarjen, ka anuar totalisht drejt zgjidhjes hibride: Filmat do të shfaqen në natyrë, sipas programit, por publiku do të jetë i kufizuar dhe juria do të gjykojë on line.

Dea Film Festival është një vitrinë me çmime të rëndësishme për filmat artistikë, me metrazh të shkurtër, dokumentar dhe filma studentorë.

Studiot prodhuese e përdorin atë për të reklamuar filmat e tyre drejt një publiku të panjohur, gazetarët marrin një vështrim për atë që kanë përpara dhe kineastët marrin dëshminë se si audienca shqiptare reagon ndaj një filmi.

Festivali i filmit Dea i cili zhvillohet nga data 11 -16 tetor, prezanton një gjeografi të zgjeruar vendesh pjesmarrëse. Drejtoresha artistike e Festivalit, Mirela Oktrova tregon për mikrofonin e Kult Mix detaje të programit:

“Ne kemi sivjet në program 68 filma, kemi 6 filma në programin e filmit të gjatë, kemi 22 filma në programin e filmit të shkurtër, 24 tek filmi studentor dhe 16 filma në programin e filmit dokumentar.

Për t’u shënuar sivjet është që për herë të parë kemi pasur një aplikim nga Republika Popullore e Kinës, nuk është përzgjedhur, por natyrisht ishte kënaqësi për ne, sepse aplikantët tanë vijnë nga 5 kontinentet , por nga Kina nuk kishim pasur. Kështu që kësaj here na gëzon kjo, sepse kemi të bëjmë me një treg të jashtëzakonshëm, të prodhimit kinematografik dhe të konsumit kinematografik, kështu jemi shumë të kënaqur që kësaj here e patëm prezent.”

Organizatorëve iu desh të merrnin vendime të vështira se si të zhvillohej festivali mes pasigurive të vazhdueshme, duke përfshirë kufizimet e udhëtimit.

Por fakti që puna seleksionuese për filmat kishte nisur që në janar, gjithsesi i ka dhënë një ndihmesë të mirë atyre.

Si çdo vit, edhe këtë vit në edicionin e 7 të, komisionet seleksionuese kishin mbaruar punë që në janar, të vitit 2019.

Si gjithmonë aplikohet në dy platforma on line, në film Free ëay dhe Fest home. Prurjet zakonisht, në edicionet përkatëse kanë shkuar nga 200 deri në 1000 për vit. Edhë këtë vit që ishte viti i pandemisë, situata nuk ndikoi në sasisë e aplikimeve. Edhe pse nuk kishte filluar ende pandemia për momentin”

Mirela Oktrova, e vetëdijshme për kohën e pazakontë në të cilën do të zhvillohet festivali, flet edhe për mënyrën me të cilin festivali do të operojë.

“Vlen të veçohet që me përjashtim të programit të filmit të gjatë, i cili për parapëlqim të autorëve nuk do të jetë on line, të gjitha programet e tjera do të jenë edhe on line.

Përveç kësaj on line, do të jenë në një pjesë të madhe edhe komunikimi i jurive, do të jetë në mënyrë virtuale dhe jo reale të themi, për arsye se kineastët e shumtë nga të gjitha vende t e botës që kanë qenë pjesë e festivalit në numra të konsiderueshëm po themi, 40-50 vetë, nuk do të jenë të pranishëm këtu, m e përjashtim të disave që nuk e linin dot festivalin, por do të na bashkohen në mënyra virtuale dhe do të jenë prezent në mbledhjet e jurive që gjithashtu do të zhvillohen on line”.

Drejtori i këtij festivali, Edmond Topi, njëherësh producent dhe regjizor flet për realizimin e këtij eventi, me përmasa ndërkombëtare, por edhe problematikën e vërtetë me të cilën haset sot filmi shqiptar:

Sa e ndryshon thelbin e festivalit fakti që zhvillohet on line?

“Së pari festivali nuk do të zhvillohet on line, do të zhvillohet live. Pandemia ndikon në faktin që ne nuk do ta mbushim dot sallën. Gjithçka tjetër do të jetë si më përpara me përjashtim të mungesës së autorëve të cilët zakonisht vijnë. Autorët zakonisht kanë qenë gjithmonë prezent, me të cilët zhvillohej të nesërmen një konferencë shtypi, apo një forum diskutimi për filmin. Kjo do t’i mungojë sivjet festivalit.

Dhe kjo është pjesa që ne do të mundohemi ta bëjmë on line”

Sa është evidente prezenca e filmit shqip në festivalin Dea sivjet?

“Për fat të mirë ne kemi një film, prodhim të Kosovës, përndryshe shqiptarët vazhdojnë me formulën e vjetër që punojnë për Oscar-in. Që do të thotë se nuk kanë punë me festivalet shqiptare. Për të sjellë një film duhet t’i lutesh shqiptarëve të cilët nuk shoh se kanë atë të drejtë që t’i lutesh për filmat e tyre”

Çfarë e bën të veçantë këtë festival në raport me festivalet e tjera?

“Nuk mund ta krahasoj dot me festivalet e tjera. Mund të them pikërendesat që kemi ne. Dy pikërëndesat më të lexueshme që kemi ne, janë programi. Dhe ajo çfarë besoj se e dallon nga të tjerët është kujdesi që bëjmë ne në audiencë. Pra, ne kujdesemi që filmat të shihen, filmat të shkojnë tek spektatori dhe jo të krijojmë ne një okeljo tonën për të thënë se kemi filma të mirë. ”

Mendoni se filmat do të shkojnë tek publiku?

“Unë mendoj se filmat nuk kanë lidhje me pandeminë. Publiku po deshi t’i shohë filmat, i sheh. Në rastin tonë pandemia nuk ndikon. Filmi është Open air, festivali ynë është Open air, kështu që pandemia luan shumë pak rol. Madje unë do të thosha se të gjithë këtë vakuum që kemi pasur, të aktiviteteve artistike, të aktiviteteve kulturore, spektatori duhet të jetë i malluar të shohë filma që i kanë munguar”

Mbrëmjen e së dielës, Festivali Ndërkombëtar i filmit Dea, ngriti siparin në Tiranë, me filmin nga Kosova “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës. Në këto kohë të vështira të pandemisë, ku festivaleve të filmit kudo në botë, si çdo gjëjë tjetër, ju është dashur të rishpikin veten, Dea Film Festival sjell për publikun mesazhin “The Show Must Go On” .

Neritana Kraja