Duke pritur që dritat e skenës të ndizen sërish, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nuk ia ka lënë gjërat rastësisë.

Pas një pauze të gjatë 7 mujore për shkak të pandemisë, në javën e parë të tetorit, artistët u ngjitën në skenë duke shpalosur më së miri repertorin e përzgjedhur nga tabani muzikor i Shqipërisë së mesme.

Mbrëmja e titulluar "Në gjurmët e të parëve tanë", u mbajt në hollin e jashtëm të Muzeut Historik Kombëtar, ndonësë dëshira e artistëve ishte mjaft e madhe, që të ktheheshin në skenën e re të rikonstruktuar. Por kushtet që nuk lejonin diçka të tillë, nuk penguan artistët dhe publikun të takoheshin.

Koncerti solli emocionet e munguara prej kohësh. Bashkë me publikun, ndonëse më të kufizuar, festa mori jetë.

Ky koncert hapi siparin e sezonit artistik 2020/2021 për Ansamblin dhe solli repertorin e këngëve dhe valleve më të bukura të Shqipërisë së Mesme.

Gerti Druga drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore tregon eksperiencën e tij për dëgjuesit e rubrikës Kult Mix:

"Pikërisht është konceptuar si koncert i Shqipërisë së Mesme për arsyen se meqënëse jemi edhe në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, ky ishte edhe qëllimi pse vendosëm të ishte vetëm program për Tiranën.

Ndërkohë është edhe një faktor tjetër që duhet përmendur: meqënëse jemi në Javën e Trashëgimisë Kulturore, ne, Teatri i Operas Kombëtare bashkë me Ansamblin vendosëm të hapnim siparin pas gjithë kësaj kohe të munguar të artistëve, qoftë edhe të trupës së plotë të artistëve të Taetrit të Operas dhe Baletit, por edhe të Ansamblit. Më në fund vendosëm dy koncerte. Dje ishte koncerti i parë, koncert barok edhe sot jemi me Ansamblin për të festuar të gjithë sëbashku me muzikën e Shqipërisë së mesme, specifike të Tiranës.

Eshtë e gjithë trupa e përfshirë, është grupi koral me solistët, është trupa e valleve dhe orkestra e këngëve dhe valleve. Do të jetë një program 50 minuta deri në 1 orë, të cilin e kemi menduar qëllimisht të jetë i shkurtër për shkak të situatës së kovidit, duke u munduar të jemi sa më të kujdeshëm ".

Por, si është për artistët ky rikthim në skenë pas një pauze të gjatë. Drejtori i ansamblit tregon për emocionet e protagonistëve të skenës në një dalje të hapur për publikun, ndryshe nga shfaqjet on line gjatë kohës së izolimit nga pandemia.

"Për artistët të mos kenë publikun është...., gati gati në mënyrë metaforike, është një lloj ushqimi shumë i fortë shpirtëror, kështu që me siguri janë shumë të emocionuar. sot për të dhënë shfaqje.

Guxuam që të realizonim ndoshta diçka që nuk ishte menduar që mund të realizohej, të bashkohej një këngë polifonike me 4 zëra e me gjashtë zëra të veçantë në shtëpitë e tyre dhe t'i bashkonim në një material të vetëm. E nga ky material pastaj u bashkua e gjithë orkestra, e pastaj u bashkua i gjithë grupi, kori dhe bëmë një koncert. Nga një koncert u zhvendos në disa koncerte dhe ne përfunduam me një kalendar.

Ky ishte një event i jashtëzakonshëm, në kufijtë e cfilitjes, por edhe të kënaqësisë sepse gjithçka u ndërtua nëpër shtëpitë personale, pastaj u bashkua nga një staf i vogël të cilët realizuan të gjithë pjesën tjetër. Por ishte një sfidë e bukur, një sfidë e vështirë".

Artistët e Ansamblit kanë pritur me padurim të takojnë sërish publikun, që i ka mbështetur me duartrokitje në çdo koncert.

Tenori Aranit Hoxha, njëkohësisht edhe solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, tregon emocionet e tij para shfaqjes:

"Të them të drejtën unë jam shumë i lumtur bashkë me kolegët e mi, sepse sot ne rikthehemi pas 6 muajve pushim. Sot jemi shumë të lumtur sepse do të dalim të performojmë siç kemi përformuar gjithë jetën tonë. Në këtë moment që shikoj njerëzit që po afrohen dhe po mbushet sheshi, jam shumë i lumtur. Besoj jam i lumtur unë, shokët e mi dhe në sytë tanë ka një gëzim të veçantë,që në këto kohë na ka munguar".

Të njëjtën ndjeshmëri për publikun, skenën, muzikën tradicionale, ka edhe solistja Iris Bega, e cila në këtë koncert u prezantua me tre këngë tiranase, të cilat i ka interpretuar me një emocion të shumëfishtë:

"Abolutisht që do të ketë muzikë tiranase, sepse sikundër përkon me hapjen e sezonit gjithashtu përkon edhe me 100 vjetorin e Tiranës. Kjo është shfaqja e parë që bëjmë në hapësirë, përveç atyre që kemi bërë gjithë kohës online, kemi qenë gjatë gjithë kohës pranë publikut. Kjo është e para që bëjmë në hapësirë, me publik, sigurisht brenda të gjitha rregullave dhe masave".

Ndërsa instrumentisti Flogert Shatraj, pjesë e trupës së Ansamblit, thotë se publiku u kishte dhënë një dashuri shumë të madhe, që vetëm në salla të hapura mund ta marrësh:

"Edhe pse nuk ishte publik shumë i madh, ne na dhanë një dashuri shumë të madhe sepse na kishin munguar jashtë mase, pavarësisht se ne kemi punuar gjatë gjithë kohës me koncertet on line që kemi zhvilluar, gjatë pandemisë. Por efekti i publikut është, vetëm kur i sheh ato, është komplet gjë tjetër.

Duke pasur parasysh se sa veta na takuan, edhe pse është kjo koha e pandemisë. Përderisa na u afruan, ata na deshën dhe ne do t'i duam gjithmonë".

Neritana Kraja