Njohës i thellë i shqipes dhe i dhjetra gjuhëve të botës, përkthyes, studiues befasues, historian, kritik arti, antologjist, fotograf, Robert Elsie është një ndër studiuesit më të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ai mund të quhet një enciklopedi e botës shqiptare. Në 3 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e përkujtojmë albanologun e shquar me një bisedë në studio me gazetarin Ilir Kadia, ish korespondent i seksionit shqip të BBC, njëherësh shkrimtar.

CMG: Robert Elsie, falë punës së tij voluminoze në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe konsiderohet si një ndër albanologët më të mëdhenj. Besoj se për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, por dhe ata që thjesht kanë lexuar veprat e tij, është e lehtë të flasësh për të. Si jeni njohur me Robert Elsie-n?

Ilir Kadia: Unë vonë e kam mësuar që Robert Elsie ka qenë në Shqipëri në vitin 1978, edhe pse kur e kam parë pas viteve 90-të në mjediset shqiptare më është dukur i njohur. Para disa ditësh isha me një grup miqsh, mes tyre dhe bashkëjetuesja e Robertit, një zonjë holandeze me emrin Herga, e cila më tregoi një moment shumë interesant për jetën e tij. Ajo më tha se kur Roberti mësoi se vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe mjekët i kishin thënë se i kishin mbetur vetëm 6 muaj jetë, ai nisi me shumë zell dhe pasion kthimin e korespondencës me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, qoftë korespondencë shkencore, por edhe miqësore, veçanërisht me miqtë shqiptarë. Njeri nga miqtë e tij madje tregoi dhe për kohën e ardhjes së Robertit për herë të parë në Shqipëri. Ai kishte pasion për gjuhën shqipe, që kishte nisur ta mësonte hershëm, para ardhjes për vizitë në Shqipëri.

CMG: Media sociale është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Më bëri përshtypje që në 3 vjetorin e ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie, ju kishit publikuar në Facebook një foto me të. Kur është bërë ajo fotografi?

Ilir Kadia: Është bërë rreth vitit 2009-2010, në një nga panairet e librit në tetor në Tiranë. Robert Elsie ishte një pjesmarrës i përvitshëm i panaireve të librit sepse kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm me përkthime, me botime të mirëfillta të tij për artin dhe letërsinë shqipe, apo dhe për gjenezën e shqiptarëve. Duke lexuar këto ditë kontributin e tij vura re se Robert Elsie nuk ishte një studiues i thjeshtë, ai ishte një institucion. Ndonjëherë mendoj se si mundet që një institut albanologjie të jetë dëgjuar aq pak në krahasim me prodhimtarinë e një studiuesi si Robert Elsie.

CMG:Si është e mundur që një intelektual, që nuk është shqiptar autokton të ketë një prodhimtari kaq të madhe veprash në gjini si gjuha, letërsia, trashëgimia, historia, antropologjia, përkthimet e deri te fotografia?

Ilir Kadia: Gjithë ky përkushtim për shqipen mund të bëhet vetëm nga një njeri që e dashuronte shumë Shqipërinë, sepse vetëm në emër të dashurisë mund të bëhen gjëra kaq të mëdha. Për mua kontributi i tij i jashtëzakonshëm qëndron dhe te përkthimi që Elsie i bëri Gjergj Fishtës, veprës së tij “Lahuta e Malësisë” me atë pasuri të jashtëzakonshme të shqipes, që është e vështirë dhe për vetë ne, shqiptarët. Kurse Robert Elsie e ka përkthyer këtë vepër me ngjyrat e bukura të gegërishtes në anglisht.

CMG: Do të na duhej shumë kohë për të analizuar veprën e albanologut të shquar Robert Elsie, por nuk mund të mos ndalemi te amaneti i tij për tu prehur në gjirin e Alpeve shqiptare, në Theth. Prej 3 vjetësh ai prehet në një varr të thjeshtë në tokën shqiptare, në atë vend që i ka kushtuar veprën "Pasioni për Thethin, Parajsa e Epërme e Shqipërisë".

Ilir Kadia:Miqtë e afërt të Robert Elsie, mes të cilëve shkrimtarja Flutura Açka, bashkëshorti i saj holandez, por dhe miq të tjerë paten një dilemë lidhur me varrosjen e tij, përsa i përket vendit, që të tregonte lidhjen e tij të madhe me Shqipërinë. Po ku tjetër më mire se në Theth, mund të ishte vendi i prehjes së tij, që në fakt vetë ai e kishte për zemër dhe i kishte kushtuar një vepër të tij. Para disa ditësh me rastin e 3 vjetorit të ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie miqtë e tij shqiptarë e përkujtuan pikërisht në vendin ku ai prehet, në Theth.

Robert Elsie-Profil

Vepra e Robert Elsie është reference për çdo studiues shqiptar dhe të huaj. Ai la një trashëgimi të pasur veprash studimore voluminoze për gjuhën, kulturën, historinë dhe antropologjinë shqiptare.

Robert Elsie (29 qershor 1950 – 2 tetor 2017)

Dictionary of Albanian Literature (Fjalori i letërsisë shqiptare) 1986

History of Albanian Literature (Historia e letërsisë shqipe) 1995

Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), 1994

Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare) 2001

Studime të dialekteve të shqipes te arbëreshët e Italisë dhe Greqisë

Përkthim në gjermanisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit

Përkthime të veprave të Migjenit, Gjergj Fishtës, Ali Podrimja,Azem Shkreli etj

Anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

I nderuar nga presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes”


Eda Merepeza