E pozicionuar pothuajse në pjesën qëndrore të vendit, sot Tirana është qëndra kryesore e jetës politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë, dhe qyteti më imadh i vendit, me rreth një milion banorë. Tirana është shembulli tipik i një strukture mikse midis detit, malit dhe një trashëgimie kulturore ilire, romake e bizantine si dhe një atmosferë orientale mes elementëve ballkanikë dhe modeleve urbane .

Historia e Tiranës

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana ka një histori shumë të vjetër që daton që nga epoka paleolitike,10 000 deri 30 000 vjet më parë. Vendbanimet më të vjetra janë gjetur në afërsi të malit të Dajtit dhe shpellës së Pëllumbasit. Tirana dhe rrethinat e saj janë të mbushura me toponime ilire. Ilirët e quajtën vendbanimin “Tërna”. Ndërkohë për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Por vet qyteti është i ri , më shumë se 400 vjecar. Tirana u themelua në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, një feudal i asaj kohe nga ky rajon. Edhe pse një qytet i ri dhe kryeqytet modern, origjina e Tiranës si një qendër e banuar, shoqërohet me disa teori dhe mite që shoqërojnë emrin e saj aktual me versionet e lashta. Një version është se emri i saj rrjedh nga fjala “Theranda” në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin “Tëranat”, e përdorur nga banorët , që do të thotë “rënë material”. Një tjetër teori është se ajo vjen nga fjala “Trikan”, emër që përdoret nga historiani i shek .VI, bizantin Prokop për t’iu referuar një kështjelle, e ndërtuar për herë të parë në shekullin e parë p.e.s . Disa thonë se ajo vjen nga fjala “Tyros”, fjalë e vjetër greke bulmet . Qyteti filloi të rritej në fillim të shek XVIII, por vazhdoi të ishte një qytet i parëndësishëm derisa u shpall kryeqytet më 8 shkurt të vitit 1920, në mbledhjen e Kongresit të Lushnjes. Sot në 100 vjetorin e saj si kryeqytet, Tirana është shndërruar në qytetin që nuk fle kurrë dhe që rritet dhe ndryshon çdo ditë.

Trashëgimia kulturore

Trashëgimia kulturore e Tiranës është shumë e larmishme. Mjafton të përmendim zbulimet arkeologjike, për të kuptuar vlerat kulturore të kryeqytetit. Copa enësh prej balte, eshtra njerëzish, vegla pune etj të gjetura në shpellën e Pëllumbasit, në rrëzë të malit të Dajtit, vërtetojnë epokën prehistorike të këtij rajoni. Për periudhat kohore deri në mesjetë, zbulimet e tjera si dëshmi të lashta të kësaj treve, që fillojnë prej mozaikëve të një dyshemeje e deri tek ato të kohëve të sotme, siç janë zbulimet te kalaja e Tiranës, janë vlersuar si ndërtime të shek 2-3 të erës sonë, çka do të thotë se i përkasin periudhës Romake. Kalaja e Tiranës u shpall zonë arkeologjike e tipit “A” në vitin 2009. Ajo përbën një stacion të vjetër të rrugës Egnantia. Brenda saj ndodhen disa shtëpi tradicionale që në vetvete janë momumente kulture si banesa e Toptanëve, Sarajet e Toptanëve, Akademia e Shkencave, Galeria e Arteve etj. Në këto shtëpi jetonin sundimtarët e qytetit gjatë shek. 19. Muret e larta të kalasë që shohim sot mendohet se janë ndërtuar nga Ahmet Beri. Në shekullin e 18, kalaja shërbeu si mbrojtje për qytetarët e Tiranës gjatë luftërave ndërfeudale, por kjo kala nuk u pushtua. Gjatë shek të 20, kalaja u dëmtua mjaft nga ndërhyjet të cilat mbuluan rrënojat e saj, që cilat dhe sot gjenden të varrosura.

Trashëgimia artistike është ndoshta një nga pjesët më të konservuara të traditës tiranase. Muzika popullore e Tiranës nuk ka një histori të mirëfilltë, por folklori burimor dhe ai i përpunuar arritën t’i rezistojnë më tepër kohës, pasi u mbartën në radhë të parë nga njerëzit. Vitet ’30 janë vitet e konsolidimit të plotë të muzikës së Tiranës. Mendohet se kjo është dhe muzika më e pandikuar në Shqipëri në pikpamje të muzikës orientale. Kompozitorët popullor tiranas si Muharrem Gurra, Enver Shëngjergji apo mjeshtrat e koreografisë si Gëzim Kaceli e Ramazan Bogdani, që krahas të qenit prej figurave më të njohura të artit shqiptar janë edhe pinjollë të familjeve të vjetra tiranase, kanë dhënë ndihmesën e tyre në ruajtjen e traditës kulturore. Gjatë punës së tyre u evidentuan dhe talente, si Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi etj. Në këto momente këngët popullore të Tiranës u bënë fenomen zyrtar. Mbi motivet popullore kanë krijuar vepra të mëdha skenike dhe orkestrale Nikolla Zoraqi, Pëllumb Vorpsi etj.

Tirana është qyteti tradicional i vlerave të gjithanshme, por sidomos atyre shpirtërore dhe shoqërore. Ndërkohë Tirana ka ruajtur edhe traditën e bashkëjetesës fetare, ndërsa metropoli i Shqipërisë është vendi ku është ndërtuar Xhamia e Namasgjasë, ndërsa janë edhe selitë e Kishës Katolike dhe Ortodokse, si dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane .

Turizëm

Pazari i Ri është një prej atraksioneve më të reja të Tiranës për t’u vizituar. Pazari, i cili u rinovua në vitin 2017, ndodhet në sheshin “Avni Rustemi”, më pak se 10 minuta ecje nga qendra në pjesën më të vjetër të qytetit. Pazari i Ri ka sjellë një stil të ri jetese, me fasada shumëngjyrëshe, shumë restorante dhe kafene që rrethojnë qendrën moderne të tregut. Sheshi Skëndërbej, ku gjendet dhe statuja prej bronxi e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, është një tjetër atraksion turistik për tu vizituar, pasi është sheshi më i madh dhe gjendet në qendër të Tiranës, i rrethuar nga shumë pika interesante. Nga ana tjetër në kryeqytetin e Shqipërisë janë të hapur për vizitorët Muzeun Historik Kombëtar, ku një vizitë në ambjentet e tij, të njeh me historinë e Shqipërisë, Muzeu Arkeologjik. Ndërkohë Bunk ‘art dhe Bunk’art 2, janë dy prej bunkerëve të mbetur nga koha e komunzmit, të konvertuar sot në muze të historisë dhe të artit.

Në Tiranë monumentet e kulturës bashkëjetojnë me ndërtesat e arkitekturës moderne, si dëshmitare të kohës që u ngritën. Kryeqyteti i Shqipërisë ka një mori monumentesh kulturore të karakterit historik që mbrohen nga shteti, por ato që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorëve pothuajse janë të vendosura në qendër të Tiranës dhe përreth saj, si Kalaja e Tiranës, Ura e Tabakëve, Monumenti i Kapllan Pashës, Xhamia e Et’hem Beut e periudhës osmane, Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës të periudhës së komunizmit, por dhe ndërtesat e ministrive të kohës së Mbretit Zog. Kulla e Sahatit është një Monument Kulturor që tregon orën e Tiranës, që nga viti 1822. Është ndërtuar nga i njëjti person që ndërtoi dhe xhaminë e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit është simboli i emblemës së Bashkisë së Tiranës. Ngjitja në majën e kullës nëpërmjet 90 shkallëve të brendshme të jep mundësinë të shijosh një pamje të mrekullueshme të sheshit Skëndërbej. Ndërkohë që Mozaiku i Tiranës, i shpallur monument kulture që në vitin 1973 vazhdon të mbetet siti arkeologjik më i vizituar i qytetit.

Përvec një metropoli të mbushur me atraksione turistike për shkak të objekteve të trashëgimisë kulturore, nga ana tjetër Parku imadh i Liqenit Artificial, Mali i Dajtit afër qytetit, përvec atraksioneve për turizmin e natyrës, ofrojnë për të gjitha moshat, ambiente për argëtim.

E njohur si zona e ish-Bllokut, e cila gjatë kohës së komunizmit ishte e rezervuar për elitat qeveritare, sot është kthyer në qendrën e jetës së natës në Tiranë. Kjo zonë sot është e mbushur me bare e restorante si dhe dyqane elegante. Një tjetër vend interesant në kryeqytet që tërheq vëmendjen e shumë turistëve të huaj .

Tirana është një vend interesant për sa i përket kulinarisë. Ka restorante që ofrojnë gatime tradicionale dhe një kuzhinë të pasur tradicionale. Sigurisht që të huajt janë të interesuar të provojnë kulinarinë tradicionale dhe janë gjithmonë në kërkim të gatimeve autentike shqiptare. Gatimi i njohur i Tiranës është fërgesa, e cila tashmë ka dhe një ditë që i kushtohet këtij gatimi të shijshëm. Fërgesa me mish është ajo që banorët autoktonë të Tiranës e gatuajnë në shtëpitë e tyre, por që e gjen edhe në lokalet e shumta tradicionale.

Elida Lazi