Pamja e qyteteve shqiptare dhe jeta e qytetarë të tyre, do të ishte krejtësisht e panjohur për ne sot, nëse nuk do të ekzistonte trashëgimia e pasur e asaj që lanë pas fotografët më në zë të kohës, fotot e të cilëve ruhen në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër.

Njëri prej këtyre fotografëve ishte Dedë Jakova, përcjellës i veprimtarisë së Marubëve.

Një ekspozitë me 260 foto të shkrepura prej tij, gjatë periudhës së monarkisë, fashizmit dhe komunizmit, është hapur në Fototekën Marubi.

Kjo është një ekspozitë, mbase ndër më të rëndësishmet e kohëve të fundit, pasi eksploron një arkivë të njërit prej fotografëve të arkivit, i cili në arkivin e Fototekës Marubi disponon rreth 58 mijë imazhe.

Në fondin që mban emrin e Dedë Jakovës gjenden një larmi temash si histori, etnografi, urbanistikë, kulturë apo teatër.

Drejtori i Fototekës Marubi, Luciano Bedeni, tregon për rëndësinë e kësaj ekspozite.

"Ekspozita e Dedë Jakovës i përket një prej fotografëve elitarë, kryesisht të viteve '30-'70, me një krijimtari intensive. Eshtë e rëndësishme të kuptohet se realizimi i kësaj ekspozite vjen pas një kohe disa mujore hulumtimi të thelluar në arkivin e Muzeut Marubi. Kujtojmë këtu se në arkivin e Muzeut Marubi, ne nuk disponojmë vetëm imazhet e Dinastisë Marubi, por edhe një sërë fotografësh të tjera, përfshi këtu edhe koleksionin e fotografit Dedë Jakova, i cili njëherësh ka qenë edhe një ndër nxënësit e të famshmit Kel Marubi. Koleksioni i tij përbëhet prej rreth 58 mijë imazhesh. E veçanta e kësaj ekspozite vjen si pasojë e digjitalizimit dhe humlumtimit të thelluar në të gjithë këto 58 mijë imazhe. Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin rreth 260 imazhe në ekspozitë".

Jakova ekspozohet për herë të parë dhe në distancën e kohës, ai vjen si një emër shumë i dëgjuar, por si një vepër shumë pak e njohur, ose gati e panjohur.

Në fillim ishte e vështirë, pasi bëhej fjalë për një arkiv të madh të paeksploruar. Në të vërtetë, ishin bërë hulumtime, por të përcipta.

Ka pasur në fakt vetëm një numër të vogël fotosh të bëra publike, ndaj kuratorët u gjendën para një sasie impresionuese. Negativët e Dedë Jakovës përbëjnë më shumë se 1/10 e arkivit të Muzeut Marubi.

Kuratori Lekë Gjeloshi, flet për vështirësinë dhe bukurinë e kësaj pune kërkuese:

"Ishte një kërkim pa koordinata, pa referenca. Dhe në momentin kur ti nisesh pa koordinata dhe pa referenca, mundësia për t'u befasuar nga origjinaliteti dhe entuziazmi me të cilën Jakova e përjeton fotografinë si fotograf, por edhe si subjekt i saj, ne na ka hapur pista të reja kërkimi. ..

Në momentin kur kemi vënë re që ai është një fotograf shumë i mirë i studios, sepse ai krijon 20 mijë portrete, jemi fokusuar shumë tek portretet, por pastaj kemi parë se është edhe reporteri i ngjarjeve të rëndësishme të qytetit, pastaj kemi parë se është fotografi shumë i rëndësishëm i momenteve intime, shoqërore, ku ai bëhet subjekt. Pra Jakova sjell edhe risinë e një fotografi performer (performues -shënim i redaksisë), që e ngacmon fotografinë jo vetëm si autor i saj , por edhe si subjekt i brendshëm".

Po si spjegohet që një fotograf i tillë, me kaq punë voluminoze, ishte i dëgjuar, por i panjohur?

Kjo lidhet me faktin se autori ndeshet me mbylljen e studiove fotografike private, e cila kulmon nga vitet 1960 deri në vitet 1970. Në Në vitin 1970 i bashkohet fotografëve që ia dorëzuan shtetit fondin e tyre.

Arkiva e bollshme e fotografëve më në zë në Shkodër, që ruhet në këtë fototekë, ndër ta edhe Dedë Jakovës, po shpëtohet vetëm në sajë të procesit të digjitalizimit. E menjëherë pas këtij procesi, ka rëndësi katalogimi dhe ekspozimi....

Dedë Jakova lind në Shkodër, në vitin 1915, në një familje intelektualësh. Shkollohet në Kolegjin Saverian të qytetit. Mësimet e para mbi mjeshtrinë e fotografisë i merr pranë Kel Marubit dhe nga viti 1932 hap studion e vet, “Foto Jakova”.

Nikolin Jakova, biri i Dedë Jakovës, me profesion fotograf, ka jetuar shumë pak vite me të atin, pasi Deda u shua kur ishte ende i vogël. Megjithatë ai tregon jo pa krenari, historinë e "Studio Jakova", të cilën sot trashëgon.

"Zyrtarisht është e saktësuar viti 1932 kur hapi laboratorin baba.

Por sipas bashkëkohësve duhet të jetë diçka më përpara. Mësimet e para i mori tek Kel Kodheli, mbrapa u bë Marubi. Kështu mori mësimet e para dhe filloi zanatin e fotografit. Duhet të kemi parasysh, sikur ne sot po punojmë me mjetet më bashkëkohore, edhe atëherë kanë punuar me mjetet më bashkëkohore të kohës, si baba, si kolegët e babës, Pici, Marubi, Rrabosha. Kam pasur mundësi me i pasë në dorë ato paisje dhe kanë qenë më bashkëkohoret e kohës".

Me një pasion të jashtëzakonshëm për fotografinë, me pikëpamje të qarta estetike dhe në sinkron të plotë me teknikat më të përparuara të kohës, Dedë Jakova trashëgon profesionin e fotografit.

Në fundin e viteve ‘30 Dedë Marubi bëhet përfaqësues kombëtar i filmave fotografikë “Ferrania” e “Lomberg”, për të cilët kishte ekskluzivitetin. Realizon me botues të ndryshëm kartpostalet e kohës dhe ka primatin si shoqërues e fotograf i alpinistëve në majat ma të larta të vendit. Në kujtesën kolektive identifikohet si fotograf i rinisë, por e gjejmë shpesh edhe si fotoreporter të jetës social-politike të qytetit.

Ashtu si fotografët e tjerë të Shkodrës, Dedë Jakova, mjeshtrinë e fotografisë ia ka përcjellur trashëgimtarëve të tij.

Megjithatë hapja e kësaj ekspozite ka qenë surprizuese edhe për vetë të birin fotograf.

"Janë shumë fotografi, të paktën 90-95 % që unë nuk i kam parë ndonjëherë, sepse kur është dorëzuar fototeka unë kam qenë 10 vjeç, unë i mbaj mend ato negativë që janë dorëzuar në atë kohë, një tavolinë e mbushur grumbull, por më tepër nuk di, se këto nuk kanë qenë fotografia personale, që të ishin nëpër shtëpi të stampuara, por ishin fotografi që baba i ka zhvilluar me kohë dhe me vite".

Profesioni i dashur po trashëgohet nga djali i Dedë Jakovës, tek nipi i tij, si për të treguar se kjo familje, sikundër edhe familjet e tjera me emër në fushën e fotografisë, po e ruajnë dhe e zhvillojnë këtë profesion.

Për ta fotografia nuk është thjesht mjet jetese, është një pasion i trashëguar në breza.

Studio Foto Jakova vazhdon të jetë aktive në qytetin e Shkodrës së bashku me studiot e tjera të fotografëve më të njohur të këtij qyteti, ku u shkrep fotografia e parë në Shqipëri.