Lumenjtë që rrjedhin nga Alpet po kthehen gjithnjë e më shumë në atraksionet më të preferuara për turistët vendas e të huaj. Një ndër tiparet e sezonit turistik të këtij viti, për shkak të pandemisë, ishte shtimi i vëmendjes nga ana e agjencive turistike, drejt turizmit vendas, ku si risi spikatën Turet e Veriut.

Ka shumë ture të tillë për t'u përmendur, por sot do të flasim për lumenjtë spektakolarë të veriut dhe turizmin që ato ofrojnë. Do të flasim për lumin Kiri, lumin Cem dhe lumin Shala si dhe aventurat turistike që fshehin ata. Të tre këta lumenj i bashkon një element: Alpet, që tërheqin shumë turistë me pasuritë e tyre të pafundme.

Të tre lumenjtë Kiri, Cemi dhe Shala burojnë prej Alpeve dhe përqafojnë Malësinë. Vetëm gjatë viteve të fundit ato janë shndërruar në atraksione turistike, por vetëm brenda një kohe shumë të shkurtër, ia kanë dalë që të bëhen pjesë e paketave turistike, të cilat sidomos gjatë këtij sezoni, janë kthyer në trend.

Kiri, ndër zbulimet e fundit turistike

Vetëm 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës, përgjatë rrugës që lidh këtë qytet me Alpet shqiptare, rrjedh lumi Kir. Një perlë e natyrës, e cila gjatë verës kthehet në një destinacion turistik.

Pushuesit ose vizitorët këtu janë ditorë. Kryesisht janë turistë nga veriu, emigrantë që rikthehen për pushime në vendlindje dhe nostalgjia i shpie në ujërat e lumit Kir, ose turistë të huaj, që ndërsa udhëtojnë drejt Apeve, ndeshen me këtë bukuri natyrore mahnitëse.

Relievi përgjatë Kirit është fantastik. Mbi këtë lumë qëndron Ura e Mesit, e ndërtuar gjatë sundimit osman, me një hark të lakuar, që të kujton atë të Urës të Mostarit, në Bosnje.

Turistët, që zakonisht janë familjarë apo grupe shoqërore, mund të hidhen nga shkëmbinjtë e të zhyten pa frikë në ujërat e kristaltë të Kirit, ndërsa marrin rreze dielli, mbi pllakat shkëmbore.

Për hije mund të përdorin brendësinë e shpellave natyrore, ndërsa mund të tentojnë të kapin troftë lumi të freskët, thjesht duke zhytur duart në lumë.

Por janë edhe një grup tjetër turistësh, që tërhiqen nga ky lumë: Turistët e aventurës, që pëlqejnë ecjen përgjatë kanionit të lumit si dhe lundrimin me kajak.

Kanioni gjendet në mes të maleve me formacione shkëmbore, kryesisht me ngjyrë shumë të bardhë.

Në ditët e nxehta të verës, është një prej destinacioneve më të preferuara, për shkak se uji është shumë i pastër, i ftohtë dhe pamja përgjatë kanionit është mahnitëse.

Uji i kristaltë, natyra e egër dhe e virgjër, afërsia me malet, por edhe mikpritja e banorëve të zonës, vlerësohet sidomos nga turistët e huaj, si një nga resurset më të veçanta të zonës veriore të vendit. Nuk ka luks, por dëshira për ta zbuluar këtë lumë nga aventurierët nuk mungon.

Restorantet e zonës janë të thjeshtë dhe ofrojnë çmime të përballueshme. Pushuesit këtu vlerësojnë: ajrin e pastër, ujin dhe natyrën e virgjër!

Plazh në lumin Cem, vizitë në Tamarë

Lumi Cem së bashku me kanionin e vet, me bukuritë e rralla fantastike dhe me ujin e pastër i takon grupit të lumenjve shumë atraktiv dhe më të bukur të Europës, lum ky që gjatë tërë vitit e posaçërisht gjatë verës, është shumë i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Cemi në këto vise paraqet një potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik.

Lumi buron në pjesën perëndimore të Bjeshkëve të Namuna, në Shqipëri, në kuotën 1650 m. Lumi formohet prej dy degëve kryesore: Cemi i Selcës dhe Cemi i Vuklit, të cilat pasi përshkojnë disa kilometra, bashkohen në fshatin Tamarë dhe formojnë lumin e Cemit.

Cemi derdhet në lumin Moraça, i cili furnizon me ujë Liqenin e Shkodrës.

Gjatë verës Cemi shndërrohet në një mjedis atraktiv e tërheqës për pushues të ndryshëm, që i preferojnë mrekullitë e këtij lumi. Një ndër ndalesat më interesante, të përfshira në guidat e agjencive turistike, është Turi i Tamarës, ku turistët mund të bëjnë plazh në lumin Cem.

Rrugës për atje, vizitorët u drejtohen maleve, përmes një rrugë gjarpëruese, e cila kulmon në majë, tek ballkoni panoramik, ku para syve të shfaqen Leqet e Hotit.

Tamara është një fshat në komunën Kelmend, në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë, një nga perlat e Alpeve shqiptare. Ajo po kthehet në burim të fuqishëm ekonomik për 2 mijë banorët e saj dhe një aset i çmuar i turizmit kombëtar.

Tamara ka një shëtitore të re, që shtrihet përgjatë lumit Cem, ka shtëpi të rikonstruktuara me fasada tradicionale dhe gjelbërim, ku gërshetohet peizazhi natyror me karakteristikat alpine të zonës.

Zakonisht turistët këtu vijnë të organizuar në ture ditore, ku vizitohet qendra e fshatit, shijohen ushqimet tradicionale si mishi i pjekur që vendasit e quajnë Ferlik, apo trofta e sapo zënë në lumin Cem. Por ekziston edhe mundësia për të fjetur në hotele, apo bujtinat që presin mysafirët.

Pas shëtitjes në qendrën e fshatit dhe blerjes së suvenireve, apo produkteve bio, të cilat shërbehen në dyqanet në qendër, një palë shkalla druri zbresin në plazh. Lumi është i ftohtë dhe i pastër. Aty, çdo vizitori i duket sikur nga momenti në moment, nga lumi do të dalin zanat e malit.

Në këtë plazh të vogël, por që shumë pushues e quajnë si perlë natyrore, turistët gjejnë rehati dhe relaks. Ata e vlerësojnë lumin Cem për ujin e kristaltë dhe për bukuritë përrallore që e rrethojnë.

Zhytje, hedhje nga shkëmbinjtë, peshkim, rafting, ecje përgjatë kanioneve, shëtitjet në pedonalen paralel me lumin, janë disa nga atraksionet kryesore për turistët që vizitojnë Tamarën dhe lumin Cem. E nëse ajri i pastër, ngacmon urinë, në restorantet aty pranë mund të shijohen gatimet tradicionale, në sfondin piktoresk të Alpeve.

Lumi i Shalës, aty ku takohen zanat e princërit

Ky destinacion është një nga më të vizituarit ndër turet e Veriut.

Eshtë një zonë e izoluar midis majave të maleve, me pikat e plazhit pranë lumit dhe e arritshme vetëm nëpërmjet një udhëtimi me varkë.

Për të gjithë aventurierët, është një udhëtim nga ato që na pëlqen ta quajmë “paketë e plotë”: mal, liqen, plazh dhe eksplorim.

Lumi i Shalës ka një gjatësi prej 37 km, buron nga maja e Radohinës e deri në Drin, sot liqeni i Komanit.

Lugina e lumit të Shalës, një zonë deri dje e virgjër, po tërheq vëmendjen e turistëve të natyrës dhe aventurës.

Rruga për të shkuar deri në këtë destinacion të mrekullueshëm është disi e gjatë, por jo e lodhshme, pasi është e larmishme.

Për të shkuar në atë që është kurorëzuar si “Tajlanda shqiptare”, duhet të ndjekësh rrugën drejt Vaut të Dejës dhe më pas, të marrësh varkën në Liqenin e Komanit. Shëtitja është e pamjaftueshme për të shuar kureshtjen e syve me atë çfarë ofron natyra, përmes një udhëtimi që zgjat për 1 orë e 30 minuta.

Uji është blu i kaltër dhe shumë i ftohtë. Edhe pse temperaturat mund të arrijnë gati 35 gradë Celsius gjatë verës, uji mbetet i ftohtë, pasi buron nga bora e shkrirë e Alpeve.

Vizitorët e parë në Lumin e Shalës vijnë në fillim të muajit Prill dhe të fundit largohen në fillim të muajit Nëntor, përgjatë kësaj periudhe turistë të shumtë vendas dhe të huaj, vijnë dhe kalojnë disa orë në këtë oaz qetësie.

Por të shumtë janë ata që zgjedhin të kalojnë natën aty, në një dhomë hoteli (vetë hoteli akomodon deri në 30 persona), në çadra individuale, apo shtëpi në pemë si ato të përrallave, të cilat akomodojnë dy familje me nga 5 persona.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bëhen banjo dielli. Të gjithë aventurën e plotësojnë më së miri, rrëfenjat për heronj, princër e zana që në këtë zonë nuk mungojnë.

Çfarë duhet të keni me vete nëse doni të eksploroni Kirin, Cemin dhe Shalën?

Veshje Sportive, Këpucë për Hiking ose Atlete, çantë shpine, rroba banjo dhe këpucë për zhytje në shkëmbinj. Nga 1 deri në 10, shkalla e vështirësisë është 1, pasi çdo person pa probleme shëndetësore, mund të bëhet pjesë e kësaj aventure.