Shkodra, qyteti që të ofron kulturë, traditë, bukuri të natyrës dhe turizëm. Shkodra është kryeqendra e veriut të Shqipërisë, ku gjenden të gërshetuara kultura ilire,romake dhe veneciane e deri në ditët tona.

Histori

E banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj. Shkodra është themeluar diku nga shek. IV p.e.s në kodrat perreth Kalasë së saj si qendër e fisit ilir të Labeateve dhe gjatë sundimit te Gentit (181-168 p.e.s) u bë kryeqendra e shtetit ilir. U pushtua nga romakët në 168 p.e.s në 1040, nga serbët dhe gjatë shek. XIV dhe u bë qendër e rëndësishme, komunë autonome me institucione të zhvilluara dhe më pas qendër e feudalëve Balshaj. Në vitin 1396 u pushtua nga venedikasit, ndërsa i bëri ballë dy rrethimeve osmane, derisa ra në duart e tyre pas një mbrojteje heroike që pati jehonë ndërkombëtare në vitin 1479. Pas pushtimit popullsia u shpërngul dhe qyteti u rrënua për t’u rimëkëmbur në shek. XVII.

Zhvillim të madh ekonomik ,Shkodra arriti nga mesi i shek. XIX, ndërkohë që ishte një nyje e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor. Që në vitin 1718 në Shkodër funksiononin agjensi konsullore të disa vendeve të huaja.Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Shkodra ishte vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Mendohet që origjina e emrit të qytetit vjen nga fjala “Skodrinon”, e cila ka kuptim si “ vendi ku shkon Drini”. Perandoria Osmane e quajti “ Iskodra”, duke pandehur se bijtë e këtij qyteti ishin bijtë e Aleksandrit të Madh.

Kultura dhe trashigimia

Në Shkodër, arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet. Shkodra është cilësuar nga përsonalitete si ‘’djepi i kulturës shqiptare’’. Që në shek. XI u përdor alfabeti latin dhe me këto gërma Pal Engjulli nga Drishti i Shkodrës shkroi dokumentin e parë në gjuhën shqipe ‘’Formulën e Pagëzimit’’. Me 1858 në Shkodër, dhe për herë të parë në Shqipëri, ushtrohej arti i fotografimit. Fotografët Marubi i dhanë qytetit një fototekë unikale në Shqipëri. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore. Piktura në Shkodër identifikohet me artistin Kol Idromeno. Formimi i tij u shënua nga një traditë familjare dhe nga mësimet e para të marra nga Pjetër Marubi. Ai ishte artisti që mori pjesë aktivisht në jetën e qytetit duke projektuar si arkitekt, fasada shtëpish si dhe duke u projektuar filma për herë të parë në Shqipëri, bashkëqytetarëve të tij.

Më 1870 u krijua shtypshkronja e parë nga etërit jezuitë. Ndërkohë që fund të shek. XIX jezuitët, krijuan bandën e parë muzikore. Kënga qytetare shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Ajo është e njohur në të gjithë hapsirën shqiptare për muzikalitetin e saj. Përmendim këtu këngë të tilla origjinale si “Margjelo”, “Synin si qershija”,” Lule bore”, “Kaçurrelat e tua”, “Lule t’bukra sjell pranvera”, “Ky marak” etj...Krahs muzikës popullore në Shkodër është krijuar dhe opera e parë “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova. Ndërkohë vlen të përmendet kompozitori i shquar ,Palok Kurti, i cili me muzikën e tij zuri fill dhe muzika e re e popullit shqiptar.Muzika shkodrane është e lidhur edhe me hapjen e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, e cila pati një rol të rëndësishëm në përhapjen e artit muzikor në përgjithësi. Ndërsa folklori muzikor në malësitë e Shkodrës është një dëshmi me vlera të mëdha etnokulturore, sepse ruan vlera autentike dhe është dëshmi e identitetit tonë kombëtar.

Shkodra është qyteti ku kanë lindur, jetuar, punuar e krijuar më shumë shkrimtarë nga çdo qytet tjetër mesjetar nga Mesjeta deri në mesin e shek XX. Libri i parë i historisë së letërsisë shqipe është ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ (1504) dhe ‘’Historia e Skënderbeut’’ (1508-1510) të Marin Barletit. Pas errësirës pesë shekullore turke, ndër të parët do të jetë Pashko Vasa që me këngën hymn ‘’O moj Shqypni’’, përcolli mesazhet e Rilindjes Kombëtare. Në vitet 20-30 të shek. XX, letërsia njohu figura madhore si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni dhe Ernest Koliqi të cilat me veprat e tyre arritën nivele bashkëkohore në letërsinë ballkanike dhe atë evropiane.

Ndërkohë teatri profesionist që sot mban emrin “Migjeni”, u krijua në 1949 mbi bazën e teatrit amator. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë. Veç trupës së teatrit funksionon edhe ajo e estradës, e cila me humorin e hollë, është bërë e dashur për vendasit. Ajo qëndron pranë humorit tradicional të tavolinave shkodrane, të bejteve e karnavaleve që i kanë dhënë emrin “Qyteti i humorit”.

Shkodra njihet si “qyteti i biëikletave” dhe përdorimi i tyre për shkodranët është kthyer në një traditë të trashëguar në dekada. Nga studimet rezulton se biçikleta e parë në këtë qytet ka mbërritur në vitin 1907 nga konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër.

Turizmi

Qyteti i Shkodrës shtrihet mes një diversiteti të jashtëzakonshëm natyror, çka e bën atë tërheqës për për turistët gjatë gjithë vitit, pasi ofron turizëm kulturor, historik, bregdetar, liqenor, lumor e malor, por dhe turizmin e aventurës, që nga Velipoja në Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, Sarda në Vaun e Dejës e deri në Razëm, Theth e Vermosh.

Kalaja e Rozafës dhe historia e saj është një atraksion turistik, jo vetëm për qytetarët shkodranë , por edhe për turistët vendas dhe të huaj. E rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini dhe Kiri, kalaja ndodhet në hyrjen jugore të qytetit. Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë.Brenda mureve antike të kalasë ka edhe një muze, kushtuar historisë dhe legjendës së saj.

Kalaja e Rozafës mbart gjurmët e periudhës klasike, të mesjetës e deri në shekullin e kaluar.

Muzeu Historik i qytetit ndodhet në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka.

Shkodra është një qytet unikal në Shqipëri për pozicionin gjeografik: i shtrirë mes tre lumenjve (Kir, Drin, Bunë) dhe Liqenit të vet. Qyteti ndodhet vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, e po ashtu, pak orë larg nga zemra e Alpeve Shqiptare, Thethi.

Pranë qytetit ndodhet Liqeni Shkodrës me dy pikat turistike,atë të Shirokës dhe Zogajt, që janë një potencial i fuqishëm turistik.

Kulinaria shqiptare është e pasur me receta të gatimi me shije fantastike. Menuja shkodrane ka në krye “Tavën e Krapit”, një recetë tipike e qytetit, që daton me krijimin e Pazarit të Shkodrës, ku filloi dhe përpunimi i peshkut,vecanarisht i krapit.

Qytet i Shkodrës, ndodhet rreth 99 km larg Tiranës dhe lidhet me Kosovën nëpërmjet autostradës së Kukësit, 170 km, me Malin e Zi nëpërmjet rrugës veriore Shkodër-Hani i Hotit - 40 km, por dhe me Portin e Durrësit me rrugë automobilistike, 131 km, me portin e Shëngjinit - 55 km dhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit - 95 km.

Elida Lazi