Më 1 shtator, Zhong Fangrong-u, një vajzë nga një fshat i provincës Hunan të Kinës Jugore, filloi studimet në Fakultetin e Arkeologjisë të Universitetit të Pekinit, një nga universitetet më prestigjioze në Kinë.

Universiteti i Pekinit


Pushimet verore që sapo kaloi ishin të jashtëzakonshme për 18-vjeçaren. Në fund të korrikut, ajo mori rezultatin e provimit kombëtar për hyrjen në shkollat e larta, ku kishte marrë 676 pikë, duke u radhitur në vendin e 4-t ndër 194 mijë studentët e arteve liberale të provincës Hunan. Me këtë rezultat shumë të mirë, vajza aplikoi për Fakultetin e Arkeologjisë të Universitetin e Pekinit, duke tërhequr vëmendjen e madhe të publikut dhe debate të shumta rreth kësaj vajze nga një familje e varfër fshatare.

Për zgjedhjen e Zhong Fangrong-ut, një pjesë e përdoruesve të internetit janë të mendimit se një fëmijë nga një familje e varfër duhet të zgjedhë një degë praktike, jo një shkencë si arkeologjia, me të cilën nuk është e lehtë të gjesh punë dhe të kesh të ardhura të larta. Por pjesa dërrmuese e përdoruesve të internetit e inkurajuan vajzën që të ngulë këmbë në degën e parapëlqyer, sepse çdo njeri, sipas tyre, gëzon lirinë e zgjedhjes së profesionit pa ndërhyrjen e të tjerëve.

Pse Zhong Fangrong-u zgjodhi arkeologjinë dhe ç’mendojnë për këtë nëna dhe babai i saj? Kohët e fundit, gazetarja e Grupit Mediatik të Kinës intervistoi Zhong Fangrong-un dhe prindërit e saj.

Zhong Fanrong


Ëndrra e vajzës dhe shpresa e nënës

Duke folur për zgjedhjen e arkeologjisë, Zhong Fangrong-u i tha gazetares: “Ky është krejtësisht parapëlqim personal, s’kam arsye tjetër. Më pëlqen historia dhe dëshiroj të studioj në degë të lidhura me të. Jam e urtë në karakter dhe dua të përqendrohem me gjithë shpirt në kërkimet shkencore. Arkeologjia integron shumë shkenca dhe mbështetet te hulumtimi e gërmimi në terren, duke qenë shumë interesante.”

Zgjedhja e Zhong-ut ka gjetur edhe përkrahjen e qarqeve arkeologjike kineze. Shumë muze, institucione të relikteve kulturore dhe institute i dërguan asaj urime dhe shprehën gatishmërinë për t’i dhënë materiale lidhur me arkeologjinë.

Prindërit e Zhong Fangrong-ut punojnë në provincën Guangdong. Kur morën vesh se vajza e tyre doli shumë mirë në provimin kombëtar për hyrjen në shkollat e larta, ata kërkuan leje nga pronari dhe u kthyen në vendlindje.

Kur gazetarja e pyeti për ndjenjat e saj pasi mori vesh rezultatin e vajzës, nënën e Zhong-ut tha: “U gëzova shumë, më dukej sikur isha në ëndërr.Vajza ime arriti sukses. Ajo mund ta ndryshojë fatin e vet.”

Kur gazetarja e pyeti ç’do të thotë “të ndryshosh fatin”, nëna u përgjigj: “Të kalojë një jetë të mirë, më të mirë se ne. Në internet vajza ime quhet ‘fëmija e mbetur në fshat’. Besoj se fëmijët e saj nuk do të jenë ‘fëmijë të mbetur në fshat’ dhe do të jetojnë të lumtur së bashku me prindërit.”

Nëna e Zhong Fangrong-ut


“Fëmijët e mbetur në fshat”

“Mbetja në fshat” është një temë e pashmangshme për Zhong Fangrong-un. Në vendlindjen e saj, fshatin Tongren, mungon toka e punueshme. Qysh nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar, punësimi në qytetet e mëdha ka qenë e vetmja rrugë e pasurimit për fshatarët atje.

I ati i Zhong Fangrong-ut, Zhong Yuanwei, e ndërpreu shkollën fillore në moshën 13-vjeçare. Dy vjet më vonë, ai shkoi në provincën Guangdong për të punuar. Në Guangdong, ai u martua me punëtoren Liu Xiaoyi. Në mars të vitit 2002 Liu lindi vajzë në vendlindje. Vetëm disa muaj më vonë, çifti u detyrua të largohej nga aty dhe të kërkonte punë përsëri në Guangdong.

Ashtu si shumë fshatarë që punojnë në qytet, prindërit e Zhong Fangrong-ut kthehen në vendlindje vetëm me rastin e Vitit të Ri Kinez dhe qëndrojnë në shtëpi vetëm gjysmë muaji. Zhong Fangrong-u dhe vëllai i saj i vogël u rritën nga gjyshi e gjyshja, duke u bërë kështu “fëmijë të mbetur në fshat”. Në zonat rurale të Kinës, një gjendje si ajo e familjes Zhong është shumë e zakonshme. Këta fëmijë të mbetur në fshat komunikojnë rrallë me prindërit e tyre.

Çifti Zhong Yuanwei dhe Liu Xiaoyi kanë ndjekur vetëm shkollën fillore. Për shkak të nivelit të ulët arsimor, ata hasën shumë vështirësi gjatë punësimit në qytet, prandaj dëshirojnë që fëmijët e tyre ta ndryshojnë fatin nëpërmjet shkollimit.

Pasi vajza e tyre përfundoi shkollën fillore, prindërit e çuan në një shkollë të mesme private cilësore, në qytetin Leiyang pranë vendlindjes. Në këtë shkollë, Zhong Fangrong-u kaloi gjashtë vjet. Në vitet e para, nëna e shoqëroi bijën, duke punuar në një fabrikë pranë shkollës dhe të dyja banuan në një apartament të marrë me qira. Ato vite së bashku me nënën ishin shumë të lumtura dhe të çmuara për vajzën. Më vonë, edhe i vëllai hyri në këtë shkollë. Shpenzimet e dy fëmijëve në shkollën private ishin të mëdha për këtë çift nga fshati. Kështu, nëna u detyrua të largohej përsëri nga vendlindja, për të kërkuar një punë me të ardhura më të larta në provincën Guangdong.

Kur gazetarja e pyeti Zhong Fangrong-un a i mirëkupton prindërit që nuk mund të qëndrojnë me të dhe të vëllanë në shtëpi, vajza iu përgjigj: “I mirëkuptoj krejtësisht. Në familjen time fshatare, vetëm nga puna në arë dhe nga puna e gjyshit dhe gjyshes, nuk mund kemi para të mjaftueshme për shkollimin tim dhe të vëllait. Puna në qytet u sjell prindërve më shumë të ardhura. Shkova në fabrikat ku punojnë ata dhe pashë se puna e tyre është shumë e lodhshme.”

Duke mos pasur prindërit pranë që fëmijë, Zhong Fangrong-u ka formuar një karakter të pavarur. Ndërsa prindërit e kanë mbështetur me mënyrën e tyre të veçantë, pavarësisht se nuk mund ta shoqërojnë atë çdo ditë dhe nuk mund ta ndihmojnë në mësime.

Zhong Fangrong-u tha se prindërit u kushtonin rëndësi të madhe notave të saj, por kur ajo nuk merrte notë të mirë, ata e inkurajonin dhe e ngushëllonin me fjalët: “Mjafton të përpiqesh brenda mundësive”. “Megjithëse janë fjalë të thjeshta, ato ma ulnin stresin,” shtoi Zhong.

Letër Pranimi i Zhong Fangrong-ut në Universitetin e Pekinit


Vendimi për studimin e arkeologjisë u mor brenda disa minutash

Duke folur për vendimin për të aplikuar në Fakultetin e Arkeologjisë të Universitetit të Pekinit, Zhong Fangrong-u tha se e mori këtë vendim brenda vetëm disa minutash.

Kur gazetarja e pyeti nëse do të këmbëngulte në ndjekjen e rrugës së arkeologjisë, vajza iu përgjigj në mënyrë të prerë: “Patjetër. Mund të ngul këmbë në një gjë edhe sikur të mos e pëlqej. Kurse për gjërat që i dua, ngul këmbë për një kohë më të gjatë.”

Ndërkohë, duke folur për zgjedhjen e bijës, e ëma tha: “Nuk e njohim arkeologjinë dhe as nuk dimë se cila degë sjell më shumë përfitime. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të respektojmë zgjedhjen e saj. Ajo ka të drejtë të zgjedhë atë që i pëlqen dhe të realizojë ëndrrën e vet. ”