10 Shtatori është Dita e Mësuesve e Kinës. Kjo ditë u vendos në vitin 1985 për të nderuar kontributin e mësuesve për çështjen arsimore, duke nxitur respektin e shoqërisë ndaj tyre.

Respektimi i mësuesve është një traditë në kulturën tradicionale kineze dhe Konfuci konsiderohet si paraardhësi i arsimtarëve kinezë. Në vitin 1939, qeveria e Partisë Kuomintang e përcaktoi ditëlindjen e Konfucit, 27 gushtin, si Ditën e Mësuesve, por kjo ditë nuk u përhap në mbarë vendin.

Pas themelimit të Kinës së Re, data e Ditës së Mësuesve ndryshoi disa herë: 1 maji, 5 maji dhe 6 qershori u përcaktuan përkatësisht si Dita e Mësuesve, por nuk u kremtuan në mënyrë të vijueshme. Në janar të vitit 1985, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës e miratoi propozimin e paraqitur nga disa profesorë të Universitetit Pedagogjik të Pekinit dhe e përcaktoi 10 shtatorin si Ditën e Mësuesve. U caktua kjo datë, sepse 1 shtatori është data e fillimit të vitit të ri mësimor dhe 10 shtatori është datë e përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive në respekt të mësuesve.

Shpallja e Ditës së Mësuesve e ka forcuar shumë vetëdijen e tërë shoqërisë për respektimin e punonjësve të arsimit në mbarë vendin. Me rastin e kësaj dite, krahinat e ndryshme kineze organizojnë veprimtari të ndryshme. Qeveria nderon mësuesit e dalluar dhe u jep medalje e shpërblime. Nxënësit u dhurojnë zakonisht mësuesve lule ose kartolina urimi për t’u shprehur urime me rastin e Ditës së Mësuesve. Këtë vit, shkollat kineze sapo u rihapën, nën ndikimin e epidemisë së koronavirusit të ri. Me rastin e Ditës së Mësuesve, nxënësit do t'u shprehin urime mësuesve të tyre në një periudhë disi të jashtëzakonshme.

Vendet e ndryshme kanë ditën e tyre të mësuesve. Për shembull, në Shqipëri, Dita e Mësuesit është 7 Marsi.

Mësuesit janë të rëndësishëm në jetën e çdo njeriu. Ata na japin njohuri dhe na edukojnë me moral shoqëror, prandaj duhet t’i respektojmë dhe t'i nderojmë nga thellësia e zemrës këta "prindër të dytë". (Fani)