"Nuk jam e përsosur,” Charli D’Amelio, një vajzë amerikane 16-vjeçare nga shteti i Konektikatit, i tha drejtuesit të emisionit televiziv “The Tonight Show” Jimmy Fallon me një buzëqeshje plot vetëbesim në mars të këtij viti, “por e pranoj veten.”

Vetëbesimi i saj vjen nga qenia “mbretëreshë vallëzimi” në aplikacionin e videove të shkurtra “TikTok” me 75 milionë ndjekës. Për të ndihmuar ndjekësit e saj të përballojnë pandeminë e COVID-19, ajo postoi video vallëzimi në shtëpi së bashku me motrën e saj Dixie, duke marrë miliarda pëlqime. Motrat tani punojnë me UNICEF-in në një lëvizje kundër dhunës kibernetike. Përvoja e saj, pikërisht siç vuri në dukje Jimmy në emision, “është e përkryer për këtë aplikacion”.

Në listën e të ardhurave të shtatë personave të famshëm në “TikTok”, të publikuar më 7 gusht nga “Forbes”-i, Charli D’Amelio u radhit në vendin e dytë, me të ardhura vjetore prej 4 milionë dollarësh amerikanë, ndërsa motra e saj Dixie D’Amelio në vendin e tretë me 2.9 milionë dollarë amerikanë.

Në Shtetet e Bashkuara, afro 45 % e të rinjve të moshës nga 13 deri në 16 vjeç e kanë shkarkuar “TikTok”-un në celularët e tyre. 80 milionë amerikanë të “Brezit Z” (të lindur pas vitit 1995), që janë rritur në kulturën e mediave sociale, kanë siguruar të qeshura, brohoritje dhe kënaqësi nga ky aplikacion.

Pse “TikTok”-u është aq i përhapur? Ja përgjigjja. Në artikullin e vet në gazetën “The New York Times”, Kevin Roose e përshkroi këtë aplikacion kështu: “Afro një orë pas shkarkimit të ‘TikTok’-ut, aplikacionit popullor të ndarjes së videove, pata një ndjenjë të çuditshme, një ndjesi që nuk e kisha në internet për një kohë të gjatë. Gunga në gjoks m’u zhduk, truri sikur m’u mbush me helium dhe në cepat e gojës m’u ravijëzua një buzëqeshje.”

Deri në maj të këtij viti, “TikTok”-u u shkarkua mbi 2 miliardë herë në mbarë botën, kurse numri i shkarkimeve në ShBA-në arriti në 165 milionë, 8.2 % e numrit të përgjithshëm të globit. Në qershor, “TikTok”-u u radhit në vendin e parë në dyqanet e aplikacioneve “Apple Store” dhe “Google Play”, duke lënë prapa katër gjigantët tradicionalë të mediave sociale në ShBA: “WhatsApp”, “Facebook”, “Youtube” dhe “Instagram”.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se “TikTok”-u duhet të vendosë midis dy zgjedhjeve, ose të ndalohet plotësisht në ShBA, ose të shitet me detyrim brenda 90 ditëve. Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar në mënyrë të vagullt “TikTok”-un për kërcënimin e privatësisë së përdoruesve amerikanë dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së, pavarësisht nga fakti që të dhënat e përdoruesve të “TikTok”-ut ruhen në ShBA.

Ndër paditësit kundër “TikTok”-ut është kryeekzekutivi i “Facebook”-ut Mark Zuckerberg. I shqetësuar për popullaritetin gjithnjë e më të madh të “TikTok”-ut ndër të rinjtë amerikanë dhe për humbjen e pjesës së tregut të “Facebook”-ut, Zuckerberg-u deklaroi në një seancë dëgjimi në Kongres se ai beson se Kina e ka vjedhur absolutisht teknologjinë nga firmat amerikane. Dëshmia e tij ishte në dallim me fjalët e kryeekzekutivëve të “Google”-it, “Apple”-it dhe “Amazon”-it, të cilët thanë se vetëm kanë lexuar për të ashtuquajturën “vjedhje të teknologjisë nga Kina”. Sulmi i Zuckerberg-ut ndaj “TikTok”-ut dhe kompanive të tjera teknologjike kineze ndoshta shkaktohet nga fakti se “Facebook”-u është orvatur të imitojë suksesin e “TikTok”-ut, por ka dështuar. Qoftë “Lasso”, “Reels” apo aplikacione të tjera të tilla nuk kanë tërhequr ndjekës të rinj.

Ndoshta, për disa politikanë amerikanë, vetëm fakti i të qenit një kompani kineze mjafton për të vulosur fatin e “TikTok”-ut në ShBA. Ata po shtojnë sulmimin e çdo gjëje kineze ose, më gjerësisht, përpjekjen për shkëputjen e ekonomisë kineze nga ShBA-ja. Me kërcënimin e ndalimit të “TikTok”-ut, ShBA-ja e ka vënë famën e vet tregtare dhe larminë kulturore në rrezik. Shoqëria amerikane, që krenohet për diversitetin kulturor, pse nuk toleron tani një aplikacion që ka prekur zemrat e të rinjve amerikanë?

Ditët e fundit, shumë persona të famshëm të “TikTok”-ut kanë postuar video lamtumire, duke përshirë ankime indinjate e vallëzime duke lotuar, dhe duke bërë shaka që “të shpërngulen bashkërisht në Kanada”. Ndërsa në videon e tyre, motrat Charli dhe Dixie shfaqen vetëm me një vështrim të zbrazët në heshtje. Këta blogerë në “TikTok”, si dhe miliona ndjekës të tyre, po presin përfundimin e kësaj ngjarjeje.

Qeveria amerikane do të humbë nga e gjithë kjo histori jo vetëm prestigjin tregtar, ndikimin ndërkombëtar dhe forcën tërheqëse, por edhe bazën e ruajtjes së gjallërisë kulturore të shoqërisë, “shpirtin amerikan”, si dhe besimin e të rinjve amerikanë për qeverinë e tyre.