Nga 24 deri më 27 qershor, Wu Guichun, një punëtor nga fshati në qytetin Dongguan të Kinës Jugore, kaloi tre ditët më të paharrueshme gjatë jetës së tij.

Në prag të largimit nga Dongguan-i, Wu la një mesazh lamtumire në bibliotekën e qytetit: “Duke i hedhur një vështrim jetës sime gjatë këtyre vjetëve, vendi që më ka pëlqyer më shumë ka qenë biblioteka...” Kjo ndjenjë e madhe u përhap shumë shpejt nga Dongguan-i në mbarë vendin dhe pas 72 orëve, një histori e nisur me trishtim, u mbyll me ngrohtësi.


Në orën 1 pasdite të 24 qershorit, në katin e parë të bibliotekës së qytetit Dongguan, një burrë shkoi tek punonjësja e sportelit Wang Yanjun dhe i tha se do të kthente kartën e lexuesit. Por ai e mbante fort kartën në dorë dhe dukej se nuk donte ta dorëzonte.

“A mund t’ju ndihmoj?” e pyeti Wang.

“Nuk dua të ndahem nga biblioteka!” Burri, duke shikuar kartën që mbante në dorë, dukej se kishte shumë për të thënë.

Ky lexues ishte Wu Guichun.

3 orë para kësaj, 54-vjeçari Wu Guichun u kthye nga vendlindja në Dongguan, qytetin ku kishte punuar e jetuar për 17 vjet me radhë.

Punishtja e vogël këpucësh ku punonte Wu Guichun


Pas Festës së Pranverës (Vitit të Ri Kinez) të vitit 2003, Wu Guichun-i, atëherë në moshën 37-vjeçare, shkoi për herë të parë në Dongguan për të kërkuar punë. Qyteti Dongguan, që ndodhet në provincën Guangdong të Kinës Jugore, është port i rëndësishëm i tregtisë së jashtme të Kinës dhe quhet “Fabrika e botës”. Për shkak të moshës relativisht të madhe, ai e kishte të vështirë të gjente punë në fabrikat e mëdha, prandaj zgjodhi një punishte të vogël këpucësh. Para disa vjetëve, kur punishtja ishte në gjendje më të mirë, Wu e kishte pagën mujore 5-6 mijë juanë (afro 700-860 dollarë amerikanë), kurse vitet e fundit të ardhurat mujore të tij qenë 3-4 mijë juanë (afro 430-570 dollarë amerikanë). Me këto të ardhura, ai ndihmoi të birin e vetëm për të përfunduar studimet pasuniversitare.


Në kohë të lirë, Wu Guichun-it i pëlqen leximi. Në fillim të jetës në Dongguan, ai bleu libra të lirë në tezgat përgjatë rrugës. Wu ka kryer vetëm shkollën fillore, prandaj duhej të shikonte fjalorin gjatë leximit.

Në qershor të vitit 2008, pesë vjet pas ardhjes në këtë qytet, një shok punëtor e pyeti pse nuk shkonte në bibliotekë, ku ka shumë libra dhe mund të lexonte falas në një mjedis të rehatshëm. Kështu, Wu hyri për herë të parë në bibliotekën e qytetit Dongguan dhe përpara syve iu hap një botë e re. Qysh nga ajo kohë, sa herë ishte i lirë, Wu shkonte në bibliotekë. Librat që i pëlqenin më shumë ishin ato nga letërsia klasike dhe historia.


Sivjet, si pasojë e epidemisë së COVID-19, Wu Guichun-i nuk mund të kthehej në Dongguan për të vazhduar punën. Për të ruajtur dhomën në qytet, në shkurt ai pagoi njëherësh qiranë për pesë muaj. Në fund të qershorit, erdhi përsëri koha e pagimit të qirasë, por Wu ndodhej ende në vendlindje. Ai ishte gati që të largohej nga Dongguan-i dhe të kërkonte një punë në vendlindje. Por para kësaj, ai shkoi përsëri në Dongguan për të marrë gjërat e veta të mbetura në dhomën me qira, si edhe të kthente librin e marrë në bibliotekë “Lufta e Opiumit” dhe kartën e lexuesit, për të marrë siguracionin prej 100 juanësh (afro 14 dollarë amerikanë).

Në sportelin e bibliotekës, kur ktheu kartën e leximit, Wu ishte i dëshpëruar dhe pak i trishtuar. Bibliotekarja Wang Yanjun e vuri re vuajtjen e tij dhe e këshilloi të shkruante diçka në librin e komenteve. Kështu Wu shkroi: “Jetova në Dongguan për 17 vjet me radhë dhe kam lexuar në bibliotekë për 12 vjet. Librat na mësojnë të jemi të arsyeshëm dhe janë shumë të dobishëm për njërëzit. Duke i hedhur një vështrim jetës sime gjatë këtyre vjetëve, vendi që më ka pëlqyer më shumë ka qenë biblioteka. Nuk do të të harroj kurrë, bibliotekë e Dongguan-it...”

“Ai shkroi shumë seriozisht dhe shumë ngadalë. Ndjeva dashurinë e tij të madhe për bibliotekën, veçanërisht nga ajo fjalia ‘Nuk do të të harroj kurrë, bibliotekë e Dongguan-it’, Më preku thellësisht,” tha Wang Yanjun-i.


Biblioteka e Dongguan-it


Në orën 1 e gjysmë të pasdites së 24 qershorit, Wan Yanjun e dërgoi fotografinë e mesazhit të Wu Guichun-it në grupin e “Wechat”-it të bibliotekës. Qysh nga ai çast, fjalët e Wu-së filluan të përhapeshin në internet. Por për këtë, Wu vetë nuk dinte asgjë.

Historia e Wu-së tërhoqi vëmendjen edhe të sektorëve qeveritarë të qytetit Dongguan. Pasditen e 25 qershorit, punonjësi i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe të Sigurimeve Shoqërore u lidh me Wu-në dhe i tha se do ta ndihmonte të kërkonte punë në Dongguan, që ai të vazhdonte të lexonte në bibliotekë.

Më 27 qershor, Wu kaloi me sukses intervistën në një kompani të menaxhimit të pronave të paluajtshme dhe gjeti punë si kopshtar në një lagje banimi afër bibliotekës së Dongguan-it. Kështu Wu do të vazhdojë të punojë në këtë qytet dhe mund të lexojë përsëri në bibliotekën e tij.


Fatmirësia e Wu Guichun-it duket si një gjë e rastit. Nëse Wan Yanjun-i nuk do të shërbente në sportelin e bibliotekës atë ditë, nëse ajo nuk do të zbulonte dhimbjen e një lexuesi të thjeshtë në kohën e dorëzimit të kartës, nëse ajo nuk do ta ftonte Wu Guichun-in të shkruante diçka në librin e komenteve, nëse ajo nuk do të publikonte ato fjalë në internet, kjo histori nuk do të vijonte më tej.

Megjithatë, duke vlerësuar ndodhinë e Wu Guichun-it, ekspertët në fushën e bibliotekës janë të mendimit se “secili që e njeh bibliotekën e Dongguan-it, nuk beson se kjo është gjë e rastit.”

Li Donglai, Drejtori i bibliotekës së Dongguan-it


Në vitin 2002, 39-vjeçari Li Donglai u çua në Dongguan si talent i nivelit të lartë dhe filloi punën si drejtori i bibliotekës së këtij qyteti. Li shpalli se objektivi i bibliotekës së Dongguan-it do të ishte “dëfrim, ndërveprim dhe marrje njohurish”.

Në fillim, shumë punonjës nuk e mirëkuptuan këtë ide. Li, i diplomuar në Fakultetin e Bibliotekografisë të Universitetit të Pekinit, shpjegon se në Dongguan 80 % e banorëve janë punëtorë të ardhur nga krahina të tjera dhe nuk kanë arsimin e lartë. Biblioteka dëshiron t’u ofrojë atyre shërbime gjithëpërfshirëse, të barabarta dhe falas. Edhe sikur ata të mos lexojnë libra në bibliotekë, është një gjë e mirë që ata hyjnë brenda, pa shqetësuar lexuesit e tjerë. Leximi pason hyrjen brenda.

Në vitin 2005, biblioteka e Dongguan-it u bë e para në Kinë e hapur 24 orë me vetëshërbim.

Në vitin 2008, ajo fitoi çmimin ndërkombëtar të novacionit nga Shoqata e Bibliotekave e ShBA-së.

Biblioteka e Dongguan-it


Biblioteka publike moderne lindi në mes të shekullit të 19-të në Britani për t’u shërbyer punëtorëve, si rezultat i idesë së thjeshtë e të drejtë se çdo njeri duhet të marrë njohuri në mënyrë të barabartë.

Sot, shënimi i Wu Guichun-it për bibliotekën e Dongguan-it e vuri përsëri në fokus bibliotekën publike.


Për historinë e Wu Guichun-it, drejtori i bibliotekës së Dongguan-it, Li Donglai, tha: “Fjalët e këtij miku lexues me arsim vetëm fillor për bibliotekën: ‘Nuk do të të harroj kurrë’, duket sikur janë për të dashurën dhe kanë prekur zemrën e qindra mijë njerëzve. Si një anëtar i thjeshtë i shoqërisë, ai, me fjalët më të thjeshta, paraqiti aspiratën për bibliotekën. Fjalët e tij na bëjnë të kuptojmë vlerën dhe rolin e bibliotikës për kultivimin e besimit kulturor të një kombi.”