Pak ditë më parë përfunduan provimet e pranimit në universitet në Kinë. Në të njëjtën kohë, në një vend fqinj të Kinës, në Rusi, u zhvilluan gjithashtu provimet e përbashkëta kombëtare. Në provimet e këtij viti, 358 nxënës rusë morën pjesë në provimin e gjuhës kineze. Ata janë të mendimit se mësimi i gjuhës kineze u krijon atyre mundësi shumë për të ardhmen.

Provimet e përbashkëta kombëtare të Rusisë janë provimet e pranimit në universitet. Këtë vit, nën ndikimin e epidemisë së COVID-19, ato u shtynë për në korrik. Vitin e kaluar, gjuha kineze u pranua për herë të parë në provimet e përbashkëta kombëtare në Rusi dhe u bë gjuha e pestë e huaj që mund të zgjidhet nga ata që japin provim. Katër gjuhët e tjera janë përkatësisht anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja dhe spanjishtja.

Julia, nxënëse nga qyteti Nakhodka në Lindjen e Largët të Rusisë, që mori pjesë në provim, u shpreh se mësimi i gjuhës kineze është shumë premtues në Rusi. Në rajonin e Lindjes së Largët ka shkëmbime të shpeshta tregtare me Kinën dhe ka kërkesë të madhe për ata që njohin gjuhën kineze, kështu që familja e saj e përkrah shumë të mësojë gjuhën kineze.

Martini nga Shën-Peterburgu e ka nisur mësimin e gjuhës kineze para dy vjetësh dhe e zotëron në përgjithësi këtë gjuhë orientale. Tani ai mund të bëjë mësimdhënien e saj në nivel fillestar. Për Martinin, shkrimi në gjuhën kineze është më i vështirë. Ai thotë: “Mbajtja mend e hieroglifeve kineze është e vështirë dhe duhet ta ushtroj më tej shkrimin e tyre.”

Vjet, 289 nxënës rusë morën pjesë në provimin e gjuhës kineze në provimet e përbashkëta kombëtare të vendit. Rezultati mesatar i nxënësve ishte 62.5 pikë dhe një nxënës mori 100 pikë të plota. (Fani)