Provimi shtetëror për pranimin në shkollat e larta për vitin 2020, që nisi të martën në mbarë Kinën, ka tërhequr vëmendjen e gjithë globit. “Kjo është veprimtaria më masive në gjendjen epidemike në Kinë”, njoftoi BBC-ja.
“Në katër ditët qysh nga 7 korriku, mbi 10 milionë nxënës kinezë të shkollave të mesme do të ulen në mbi 7 mijë qendra për të marrë pjesë në provimin më të rëndësishëm në jetën e tyre. Ky është provimi me përmasën më të madhe në botë për hyrjen në shkollën e lartë,” njoftoi Televizioni Gjerman i Lajmeve.
“Nxënësit pjesëmarrës në provimin e sivjetshëm do të hyjnë në histori, pasi për shkak të epidemisë së COVID-19, ky provim u shty për një muaj, nga 7 qershori në 7 korrik. Por fatmirësisht, Kina ndodhet në situatën më të mirë gjatë gjysmëvitit pas shpërthimit të epidemisë,” vëren gazeta singaporase “Lianhe Zaobao”. Në fillim të korrikut, numri i rasteve të konfirmuara në Pekin nuk i kaloi dy për gjashtë ditë me radhë. Ndërkohë, si erëtregues i besimit popullor, bursat e Shangait dhe Shenzhenit shënuan rritjen më të madhe ditore gjatë pesë vjetëve.
Ralph, mësuesi i një shkolle të mesme gjermane, që ka qenë në Kinë për aktivitete shkëmbimi, i tha gazetarit të gazetës kineze “The Global Times” se zhvillimi i një provimi aq masiv pasqyron vetëbesimin e plotë të Kinës për kontrollin e epidemisë.
Më 6 korrik, disa nxënës në provincën Hunan duke i dhënë forca vetes me maska të kuqe me urime.
Në njoftimin e gazetës së Koresë së Jugut “Chosun Daily” thuhet se në çdo auditor ku zhvillohet provimi janë vendosur pajisje për matjen e temperaturës. Nëse temperatura e ndonjë nxënësi pjesëmarrës është më e lartë se 37.3 gradë, ai do ta zhvillojë provimin në një auditor të izoluar. Mësohet se për çdo dhjetë auditorë normalë të provimit do të ketë një auditor izolimi. Ndërkohë, pas hapjes së kondicionerit në auditor, do të hapen njëkohësisht edhe dritaret. Në provincën Henan, në çdo qendër provimi ka një ambulancë, si dhe një profesionist.
Në Shkollën e Mesme “Zhongguancun”, qendrën më e madhe të provimit në Pekin, nxënësit hyjnë me rregull në oborr.
Sipas njoftimit të BBC-së, të gjithë nxënësit pjesëmarrës, si dhe punonjësit e mbikëqyrjes së provimit, kanë kaluar kontrollin e shëndetit dhe të temperaturës gjatë 14 ditëve para provimit. Të gjithë auditorët e qendrave të provimit janë dezinfektuar dhe janë bërë gati.
Për nxënësit kinezë, provimi kombëtar për hyrjen në shkollat e larta jo vetëm nënkupton hyrjen në universitet, por edhe mundësitë e ardhme të karrierës. Megjithëse ky provim përbën një presion kolosal për nxënësit, pjesa dërrmuese e qytetarëve mendojnë se kjo është mënyra më e barabartë për përzgjedhjen e talenteve, komenton Televizioni Gjerman i Lajmeve.
Ndërsa në uebsajtin rus EKD thuhet: “Provimi kombëtar për hyrjen në shkollat e larta është një provë e vështirë dhe e rëndësishme për nxënësit kinezë. Veçanërisht për nxënësit nga zonat e varfra rurale, nota e lartë nënkupton rastin për ndryshimin rrënjësor të fatit të tyre, si dhe jetës së tërë familjes. Por ky provim kritikohet shpesh, për shkak se mund të zhvlerësojë aftësitë krijuese dhe personalitetin e nxënësve. Në përgjigje të pakënaqësive, qeveria kineze e ka reformuar vazhdimisht provimin dhe përpiqet të shmangë pabarazinë në pranimin në universitet.”
Porta e një qendre provimi në Pekin
Gazeta franceze “The Europe Times” njoftoi se provimi i sivjetshëm është një provë serioze për parandalimin e kontrollin e përditshëm të epidemisë në Kinë. Njëkohësisht, epidemia e qartëson objektivin e jetës të një pjesë të rinjsh. Zhou Mingyang, nxënëse e vitit të tretë në një shkollë të mesme në qytetin Wuhan, dëshiron të studiojë mjekësi në universitet. “Gjatë epidemisë, shumë mjekë erdhën në Wuhan për të ndihmuar, pa kursyer sigurinë e vet. Nga veprimet e tyre kuptova se profesioni i mjekut është madhështor dhe mund të shpëtojë të sëmurë në frontin e parë, prandaj dëshiroj të bëhem mjeke që të ndihmoj njerëzit pranë meje.”
Ding Jiashun është mësues i gjuhës kineze në vitin e tretë të një shkolle të mesme në qytetin Shashi të provincës Hubei. Ai thotë: “Epidemia ka ushtruar një ndikim të madh mbi nxënësit. Nga shkrimet e tyre shihen ndërgjegjshmëria për shoqërinë, aktualitetin, vendin, si edhe përgjegjësia e mirënjohja. Duket se ata u poqën menjëherë.”