Paraqitje e shkurtër
Festa e Varkës së Dragoit kremtohet më 5 maj sipas kalendarit bujqësor kinez. Sivjet kjo festë bie të enjten, më 25 qershor.
Kjo festë tradicionale kineze, që quhet edhe festa “Duanwu”, ka lindur në shenjë përkujtimi për poetin patriot të Kinës së lashtë, Qu Yuan (340-278 para erës sonë). Pra, ajo ka një histori mbi 2000-vjeçare.
Festa e Varkës së Dragoit e ka origjinën në krahinat jugore të Kinës dhe është më e përhapur në provincat Jiangsu, Zhejiang, Guangdong dhe Fujian.
Traditat kryesore të kësaj feste janë ngrënia e zongzi-ve, një gatesë me oriz veshtullor e me mbushje të ndryshme, dhe Gara e Varkës së Dragoit.
Burimi dhe historia
Pse kremtohet festa “Duanwu”? Në të kaluarën, kjo ishte një ditë e shëndetit, kur njerëzit përdornin bimë mjekësore për largimin e sëmundjeve dhe viruseve.
Lidhur me burimin e kësaj feste, versioni më i përhapur ka lidhje të ngushtë me Qu Yuan-in (340-278 para erës sonë), poetin e madh patriot të Periudhës së Mbretërive Ndërluftuese. Në shenjë përkujtimi të këtij poeti, që vdiq më 5 maj, njerëzit e kremtojnë këtë festë në mënyra të ndryshme.
Si një ministër i mbretërisë Chu, një nga shtatë Mbretëritë Ndërluftuese, Qu Yuan-i nuk e realizoi propozimin për reformë politike, u hoq nga posti dhe u dëbua. Më vonë, kur mori vesh se mbretëria Chu u mposht nga mbretëria Qin, poeti, shumë i dëshpëruar dhe i hidhëruar, u hodh në lumin Miluo më 5 maj.
Si një poet, Qu Yuan-i shkroi shumë vepra për të shprehur kujdesin dhe devotshmërinë për vendin e tij dhe vlerësohet si një nga poetët më të mëdhenj në historinë kineze. Vepra e tij përfaqësuese është poema “Lisao”. Kjo vepër poetike me 2 400 fjalë është më e gjata ndër poemat lirike në letërsinë klasike kineze.
Doket e zakonet
Gara e Varkës së Dragoit dhe ngrënia e zongzi-ve janë zakonet kryesore të kësaj feste. Në disa rajone kineze, njerëzit mbajnë edhe qeska aromatike, lidhin fije mëndafshi pesëngjyrëshe dhe varin në derë gjethe artemise ose kallami.
Shumë festa kineze janë të lidhura me një ushqim të veçantë e nga kjo nuk bën përjashtim as Festa e Varkës së Dragoit. Zongzi, në formë piramide, me oriz ngjitës të mbështjellë me gjethe kallami, është ushqimi i posaçëm në këtë festë.
Zongzi ka mbushje të ndryshme. Banorët në krahinat veriore të Kinës parapëlqejnë hidet, ndërsa ata jugorë pastën e ëmbël të fasules, mishin ose të verdhën e vezës.
Sot, zongzi është bërë një ushqim i zakonshëm dhe gjendet lehtësisht në supermarket. Por një pjesë e familjeve e kanë ruajtur traditën që t’i prodhojnë vetë zongzi-të në shtëpi.
Varka e Dragoit u emërtua sipas bashit dhe kiçit të barkës, që janë në formën tradicionale të dragoit kinez. Një ekip rremtarësh u jep shpejt lopatave, me qëllim që të arrijë në pikëmbërritje më përpara ekipeve të tjera. Një anëtar i ekipit ulet në pjesën e përparme të varkës, duke i rënë daulles, për të nxitur moralin dhe për të siguruar që të gjithë anëtarët të lëvizin lopatat me të njëjtin ritëm.
Thuhet se Gara e Varkës së Dragoit buroi nga përpjekjet e njerëzve të lashtë që të shpëtonin poetin Qu Yuan me varkë. Sot ajo është bërë një sport që është i përhapur jo vetëm në Kinë, por edhe në vendet e tjera aziatike dhe në ato perëndimore.
Qysh nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, pasi morën pjesë në garat e varkës së dragoit në Kinë, shumë amerikanë u njohën me këtë veprimtari dhe e çuan në ShBA. Tani Gara e Varkës së Dragoit është bërë një nga sportet dëfruese që janë përhapur më shpejt në këtë vend.
Në vitin 1989, Gara e Varkës së Dragoit u zhvillua për herë të parë në Gjermani. Dy vjet më vonë gara u shpërngul nga Hamburgu në Frankfurt, duke vijuar deri më sot.