E diela e kësaj jave (21 qershor) do të jetë Dita e Babait e Kinës. Ashtu si Dita e Nënës, edhe Dita e Babait lindi në fillim të shekullit të 20-të në ShBA. Sot kjo ditë festohet gjerësisht në vende të ndryshme të botës dhe data është zakonisht e ndryshme në vende të ndryshme.
Dita e Babait nuk është një festë zyrtare në Kinë, por shumë kinezë e kremtojnë këtë ditë për të shprehur dashurinë për babain. Dita e Babait në Kinë bie të dielën e tretë të qershorit, ashtu si në shumicën e vendeve që e festojnë atë. Sot 52 vende e rajone të botës e festojnë Ditën e Babait në këtë datë. Në rajonin e Tajvanit të Kinës, Dita e Babait është 8 gushti, sepse në gjuhën kineze “8 gusht” shqiptohet “ba ba”, njësoj si fjala për babain.

Historia e festimit të Ditës së Babait në Kinë filloi në vitin 1945. Atë vit më 8 gusht, disa politikanë dhe personalitete në qytetin Shangai paraqitën propozimin për festimin e Ditës së Babait, gjë që u mirëprit prej qytetarëve. Atë kohë ishte pikërisht fundi i periudhës së Luftës së Popullit Kinez kundër Agresorëve Japonezë dhe qeveria japoneze nuk ishte dorëzuar ende. Në fakt, propozimi për festimin e Ditës së Babait simbolizonte arritjen e fitores përfundimtare të luftës, sepse shumë etër luftonin në front kundër agresorëve. Pas kësaj, kinezët filluan të festojnë Ditën e Babait.
Me rastin e Ditës së Babait, zakonisht kinezë i dhurojnë babait dhurata të ndryshme dhe shumë familje zhvillojnë një banket familjar. Në Ditën e Babait të vitit 2012, vajza pekinase Zhao Mengmeng publikoi në internet 30 fotografi të saj së bashku me babain, të cilat regjistruan shoqërimin 30-vjeçar të babait me atë nga mosha 1 deri në 30 vjeçe. Ajo festoi Ditën e Babait në këtë mënyrë të veçantë. Pas publikimit, fotografitë ngjalli jehonë të madhe në internet, shumë përdorues të internetit shkruan se këto fotografi i prekën shumë, ata gjetën ndjenjat e thella mes vajzës e babait të pasqyruara nga fotografitë. (Fani)