Në orën 11 të së mërkurës, 8 alpinistë kinezë u ngjitën me sukses në malin më të lartë të botës, Xhomolangma (Everest), për rilevim dhe mbledhjen e të dhënave meteorologjike.

 Në majën më të lartë të botës, valëvitet flamuri i kuq me pesë yje

Alpinistët qëndruan për 150 minuta në majë, duke shënuar rekord për kohën e qëndrimit atje.

Kjo është hera e parë gjatë 15 vjetëve që një grup kinez rilevimi ngjitet në majën kryesore të vargmalit të Himalajeve. Kësaj here, alpinistët kinezë instaluan antenën e sistemit të pozicionimit global satelitor "Beidou" (GNSS), për të matur më saktësisht lartësinë e majës.

Xhomolangma ndodhet në brezin e takimit midis pllakës kontinentale indiane dhe asaj euroaziatike, ku lëvizjet tektonike të Tokës janë aktive.

"Rilevimi i saktë i lartësisë së majës Xhomolangma do të jetë në ndihmë të ndryshimit të lartësisë së vargmaleve të Himalajave dhe të rrafshnaltës Qinghai-Tibet," tha Gao Dengyi, studiuesi i Institutit të Kërkimeve të Fizikës Atmosferike pranë Akademisë së Shkencave të Kinës.

"Çdo ndryshim i dukshëm i majës Xhomolangma ka domethënie të madhe për kërkimet gjeoshkencore e ekologjike të globit dhe ushtron ndikim për jetën e veprimtarinë prodhuese të njerëzve," tha Chen Gang, zv.kryeinxhinieri i grupit të parë të rilevimit pranë Ministrisë së Burimeve Natyrore, në kampin bazë në Xhomolangma.

Asnjë mal në botë nuk është më i lartë se njeriu. "Çatia e botës" vërteton përsëri kërkimet e paepura dhe vendosmërinë e kinezëve.

Para mbi 300 vjetëve, në dinastinë Qing, kinezët rilevuan për herë të parë Xhomolangmën dhe e emërtuan si "Xhomolangma-Alin". "Xhomolangma" ka kuptimin "perëndesha e tretë" në gjuhën tibetiane, ndërsa "Alin" do të thotë mal sipas gjuhës mançure.

Ky ishte rilevimi i parë nga njerëzimi i malit Xhomolangma, por nuk mbeti asnjë e dhënë për lartësinë e tij.

Në vitet '40 - '50 të shekullit të 19-të, Drejtoria e Rilevimit e Indisë, që asokohe ishte nën sundimin e Britanisë, bëri disa matje në largësi dhe publikoi lartësinë e majës si 8840 metra. Kështu Xhomolangma u përcaktua si maja më e lartë e botës.

Në vitin 1955, Kina dhe Nepali filluan të përcaktonin vijën kufitare ndërmjet tyre. Kina e propozoi vendosjen e kufirit përmes majës Xhomolangma, d.m.th., shpati jugor t'i përkiste Nepalit, ndërsa shpati verior Kinës. Por Nepali u orvat të zinte tërë majën Xhomolangma, me pretekstin që "Kina nuk është ngjitur në majë nga shpati i veriut."

Më 25 maj të vitit 1960, në orën 4 e 20 minuta, tre alpinistë kinezë Wang Fuzhou, Kunbu (tibetian) dhe Qu Yinhua u ngjitën në Xhomolangma nga shpati i veriut, për herë të parë në historinë e njerëzimit, duke ngritur flamurin kombëtar të Kinës në majë.

Më 27 maj 1975, nëntë anëtarë të ekipit kombëtar të alpinizmit të Kinës u ngjitën me sukses në majën Xhomolangma, ndërkohë, Pando u bë e para alpiniste femër që arriti me sukses në kulmin e majës nga shpati i veriut.

Alpinistët kinezë ngritën shtyllën për matjen e lartësisë në majën e Tokës dhe kësaj here, lartësia e saktë e majës u përcaktua si 8848.13 metra.

Më 27 maj 1999, anëtarët e ekipit të alpinizmit të Tibetit, çifti Ringna dhe Kyigi, u ngjitën së bashku në majën Xhomolangma dhe ndezën zjarrin e shenjtë të Lojërave të 6-ta Tradicionale të Pakicave Kombëtare të Kinës. Ata u bënë i pari çift kinez që u ngjitën së bashku në majën më të lartë të Tokës.

Në vitin 2005, Kina rilevoi përsëri majën Xhomolangma dhe e përcaktoi lartësinë e saj si 8844.43 metra.

Më 8 maj 2008, alpinistët kinezë çuan me sukses zjarrin e shenjtë të Lojërave Olimpike të Pekinit në majën Xhomolangma. Në kulmin e Tokës, alpinistët shpalosën flamurin kinez, flamurin olimpik, si dhe flamurin e Lojërave Olimpike të Pekinit.

Gjatë 60 vjetëve të eksplorimit të alpinistëve kinezë në majën Xhomolangma, historia më e prekshme i përket veteranit Xia Boyu.

Në vitin 1975, si anëtar i ekipit kombëtar të alpinizimit, Xia u ngjit për herë të parë në Xhomolangma, por nuk arriti dot deri në majë, sepse gjatë procesit të ngjitjes, ai ia la thesin-dyshek një anëtari tibetian, kurse vetë humbi dy këmbët si pasojë e morthit. Në vitin 1993, ai u diagnostikua me kancer, megjithatë, nuk hoqi dorë nga ëndrra e ngjitjes në majën Xhomolangma.

Më vonë ai u përpoq të ngjitej në Xhomolangma përkatësisht në vitin 2013, 2015 dhe 2016, por dështoi për shkak të motit të keq.

Më 14 maj 2018, pas 43 vjetëve, ai realizoi më në fund ëndrrën e vet që dukej një sfidë e pakapërcyeshme.