Dita e Nënës është një festë për falënderimin e nënave, që ka lindur së pari në ShBA. Në vitin 1914, presidenti i atëhershëm amerikan Thomas Woodrow Wilson e përcaktoi të dielën e dytë të majit si Ditën e Nënës. Më pas, shumë vende të tjera filluan ta festojnë këtë ditë, data e së cilës është zakonisht e ndryshme në vende të ndryshme.

Në Kinë, Dita e Nënës është e diela e dytë e majit të çdo viti. Në fillim, kjo ditë festohej kryesisht në Hong-Kong, Makao e Tajvan dhe në vitet '80 të shekullit të kaluar, u përhap gradualisht në pjesën kontinentale të Kinës. Që nga viti 1988, në disa qytete në jug të Kinës si Guangzhou etj. u organizuan aktivitete të posaçme kremtuese me rastin e Ditës së Nënës, si për shembull zgjedhja e nënave më të mira etj.

Pas hyrjes në shekullin e 21-të, Dita e Nënës është përhapur në krahinat e ndryshme kineze dhe më shumë kinezë kanë filluar ta festojnë atë. Me rastin e kësaj dite, kinezët u dhurojnë nënave lule ose bëjnë kekë e gjellë të shijshme për nënat, për t'i falënderuar për rritjen e edukimin.

Devotshmëria ndaj nënës është tradita e kombit kinez dhe në zemrën e kinezëve nëna simbolizon dashurinë dhe zellin. Në historinë e lashtë të Kinës ka pasur shumë nëna të jashtëzakonshme, që rritën dhe përgatitën fëmijë të talentuar, me dashuri dhe virtyte të larta morale. Ndër to, nëna e filozofit të lashtë kinez Mencius është një përfaqësuese e shkëlqyeshme.

Sipas shënimeve, për të krijuar një mjedis të mirë për edukimin e djalit, nëna e Mencius-it e ndryshoi tre herë shtëpinë. Në fillim, shtëpia e tyre gjendej afër varrezës dhe Mencius-i i vogël luante shpesh atje. Nëna e Mencius-it mendoi se ky nuk është një vend i përshtatshëm për rritjen e djalit, prandaj ata u zhvendosën afër pazarit. Në shtëpinë e re, Mencius-i luante shpesh së bashku me tregtarët dhe nëna e tij mendoi se edhe ky vend nuk ishte i papërshtatshëm për banim, prandaj ata lëvizën përsëri. Këtë herë, ata u vendosën afër shkollës. Nëna e Mencius-it tha: "Këtu është vendi ku do të jetojë im bir." Me përgatitjen nga nëna, Mencius-i kur u rrit u bë më në fund filozofi i madh kinez.

Për mijëra vjet, nëna e Mencius-it ka qenë gjithmonë shembulli i të gjitha nënave kineze dhe ajo u zgjodh simboli i Ditës së Nënës të Kinës. (Fani)