Universiteti i Edinburgut, një universitet i famshëm britanik, njoftoi kohët e fundit se eksperti kinez i sëmundjeve të frymëmarrjes Zhong Nanshan u zgjodh me mbi 90% të votave si fituesi i parë i Çmimit të Ish-Studentit të Dalluar të Universitetit të Edinburgut ("Being Edinburgh Award").

Në uebsajtin e tij, Universiteti i Edinburgut publikoi më 2 prill rezultatin e votimit për çmimin dhe bëri një deklaratë se, si personalitet i rëndësishëm në luftën globale kundër pneumonisë së koronavirusit COVID-19, është shumë e përshtatshme që Zhong Nanshan-i të bëhet fituesi i parë i këtij çmimi.

Në deklaratën e universitetit thuhet se, nga mbi 100 kandidatë për çmimin e ish-studentëve të dalluar, u nominuan tre në fund. "Arritjet e Zhong Nanshan-it, si dhe përpjekjet e tij për përballimin e epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri në Kinë, rezonojnë me ne," thuhet në deklaratë.

Në deklaratë përmendet edhe kontributi i Zhong-ut gjatë luftës kundër SARS-it në Kinë në vitin 2003.

Një anëtar i jurisë së këtij çmimi vlerësoi: "Doktori Zhong i inkurajon studentët, punonjësit dhe ish-studentët e Universitetit dhe mishëron vlerat e rëndësishme të konceptit të Universitetit, si motivimi, pasioni dhe zelli. Ai e meriton këtë çmim. I urojmë fat në studimet për koronavirusin e ri."

Në e-mailin e tij për universitetin, akademiku kinez Zhong Nanshan u përgjigj se është një nder i madh për të që zgjidhet si fituesi i parë i Çmimit të Ish-Studentit të Dalluar dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në votim. Zhong-u paraqiti edhe aktivitetet e tij në vendet evropiane e amerikane për përballimin e epidemisë.

Zhong Nanshan-i ndoqi Shkollën e Mjekësisë pranë Universitetit të Edinburgut gjatë vitit 1979-1981 dhe u dekorua me titullin "Doktor Nderi" i këtij universiteti në vitin 2007.

Universiteti i Edinburgut është anëtar i "Grupit Russell", ligës së universiteteve më të famshme të Britanisë. Në renditjen e universiteteve të botës "QS" 2020, ky universitet radhitet në vendin e 20-të. Nga ky universitet kanë dalë 27 fitues të Çmimit "Nobel", 4 fitues të Çmimit "Turing", 4 kryeministra britanikë, si dhe shumë personalitete të njohura, si Adam Smith, Çarls Darvin, Konan Dojll etj.

Zhong Nanshan-i ka lindur në një familje mjekësh. Babai i tij ishte specialist i famshëm pediatrie, ndërsa nëna është një nga themeluesit e Spitalit Onkologjik të provincës Guangdong. Edhe daja dhe xhaxhai i tij ishin mjekë. Prandaj ai ëndërronte të bëhej mjek qysh fëmijë. Por pas diplomimit në Institutin e Mjekësisë të Pekinit, Zhong Nanshan-i nuk u bë mjek, as punonjës mjekësor, por punoi si bujk, punëtor dhe rektor. Ai u bë mjek dhe filloi eksperiencën e studimeve mjekësore qysh nga mosha 36-vjeçare, 11 vjet pas diplomimit.

Në vitin 1979, 43-vjeçari i atëhershëm Zhong Nanshan u dërgua në Britani për specializim në fushën e mjekësisë në Universitetin e Edinburgut, si pjesë e kontingjentit të parë të studentëve kinezë në Britani me bursë shtetërore pas Revolucionit të Madh Kulturor.

Pas mbarimit të kualifikimit, profesori i tij në Universitetin e Edinburgut i shkroi një letër ambasadës së Kinës në Britani: "Kam punuar me studiues të huaj shumë vjet me radhë, por nuk kam hasur një aq të zellshëm sa Zhong Nanshan-i, që bashkëpunoi shumë mirë me ne dhe arriti shumë rezultate. Shpreh urimet e mia të përzemërta për të."

Zhong Nanshan-i u zgjodh anëtar i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës në vitin 1996.

Qysh nga viti 2007, ai filloi të punojë si drejtor i Qendrës Kombëtare Kërkimore të Mjekësisë Klinike për Sëmundjet e Frymëmarrjes.

Në vitin 2003, gjatë luftës së Kinës kundër SARS-it, Zhong-u drejtoi punën e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në provincën Guangdong, epiqendrën e SARS-it, dhe u dekorua si "Hero" i provincës Guangdong në luftën kundër epidemisë së SARS-it.

Kësaj here, sapo u shfaq pneumonia e koronavirusit të ri në qytetin Wuhan, Zhong Nanshan-i priu përsëri luftën kundër epidemisë, në krye të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës. Në mes të janarit, Zhong-u shkoi në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit të ri. Ai ishte i pari që nxori përfundimin se "koronavirusi i ri kalon nga njeriu te njeriu". Me propozimin e grupit të ekspertëve të kryesuar nga Zhong Nanshan-i, qeveria qendrore kineze vendosi më 20 janar të bllokonte qytetin Wuhan. Bllokimi i një qyteti të madh me mbi dhjetë milionë banorë është masa më e rreptë parandaluese në historinë e njerëzimit.

Në një konferencë për shtyp më 27 shkurt në Guangzhou, Zhong Nanshan-i tha se ka besim që epidemia do të kontrollohet në fund të prillit.

Ai tha se në fillim të epidemisë së COVID-19, epidemiologë të huaj parashikuan në bazë të modelit me autoritet të provës se në fillim të shkurtit, numri i të prekurve prej koronavirusit të ri në Kinë do të arrinte 160 mijë. Zhong-u tha se ky model nuk merr parasysh aftësinë administruese të shtetit, as zgjatjen e pushimeve me rastin e Vitit të Ri Kinez. "Sipas modelit tonë të parashikimit, në mes a fund të shkurtit do të arrijmë kulmin e epidemisë me afro 60-70 mijë raste të konfirmuara. Por rezultati i studimit tonë u refuzua nga revista të huaja me autoritet, sepse parashikimi ynë ishte shumë më optimist se ai i huaj. Por në fakt, parashikimi ynë është më i afërt me realitetin."