Çaji është një nga tre pijet kryesore në botë dhe ka lindur në Kinë para 6 000 vjetëve. Në fillim çaji përdorej si blatim dhe në mesin e dinastisë Han Perëndimore të Kinës (rreth para 2100 vjetëve), filloi të përdorej si një lloj ilaçi. Më pas, në dinastinë Jin Perëndimore (para rreth 1 700 vjetëve), çaji u bë gradualisht një pije e përditshme e kinezëve.

Kina është një vend i madh i mbjelljes e i prodhimit të çajit në botë. Në vitin 2019, vëllimi i prodhimit vjetor të çajit kinez arriti 2.8 milionë tonë e produktet e tij eksportohen në mbarë botën. Si një pije e shëndetshme çaji pëlqehet nga popujt e vendeve të ndryshme.

Për kinezët, pirja e çajit është pjesë e jetës. Në krahinat e ndryshme kineze pinë çajra të ndryshme. Në Kinën Veriore, njerëzit pinë zakonisht çaj lulesh, në Kinën Jugore çaj të gjelbër ose çaj "Oolong", kurse në krahinat jugperëndimore pëlqehet çaji i zi. Me rastin e festës tradicionale kineze "Qingming", çaji "Mingqian" është shumë i parapëlqyer nga pirësit e çajit.

"Mingqian" do të thotë çaj i mbledhur dhe i përgatitur para festës "Qingming", dhe zakonisht parakupton çajin e gjelbër. Festa "Qingming" rastis zakonisht në fillim të prillit, që është pikërisht koha e mbirjes së shkurreve të çajit. Për shkak të temperaturës së ulët, sythat e nxjerra para festës "Qingming" janë të pakta, por më të njoma dhe çaji i bërë nga sythat në këtë stinë është më i freskët. Mund të thuhet se në një gotë çaji "Mingqian" mund të shijohet fryma e pranverës.

Për shkak të prodhimit të ulët dhe të cilësisë së lartë, çaji "Mingqian" pëlqehet shumë nga dashamirët e çajit dhe shitet me çmim të lartë në treg. Pas festës "Qingming", cilësia e çajit nuk është aq e lartë si e çajit "Mingqian" dhe çmimi është më i ulët. Deri tani çmimi më i lartë i çajit "Mingqian" arrin në 100 mijë juanë, ose rreth 14 mijë dollarë, për kilogram.

Çaji "Longjing" që rritet buzë liqenit Xihu të qytetit Hangzhou është çaji "Mingqian" më përfaqësues ndër çajrat kineze. Në pranverë, kur lulet janë të çelura, pirja e një gote çaji "Mingqian" buzë liqenit Xihu të bukur është një lumturi e madhe në jetë. (Fani)