"Përshëndetje! Jam Takeuçi Rio, një japonez që banon në Nankin. Gjatë dy javëve të kaluara, u vetizolova në shtëpi. Bashkia e Nankinit ka zbatuar masa të rrepta të karantinës dhe deri më sot, 1 mars, në këtë qytet nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar i COVID-19 për 11 ditë me radhë. Le të shohim së bashku si janë masat parandaluese këtu."

Kjo është hyrja e një dokumentari të shkurtër, të xhiruar nga regjisori japonez Takeuçi Rio. Më 1 mars, ky dokumentar prej 10 minutash, me titull "Arena e përballimit të epidemisë në Nankin", u shfaq në faqen kryesore të uebsajtit "Yahoo" në gjuhën japoneze dhe tërhoqi menjëherë vëmendje të madhe prej përdoruesve të internetit në Japoni.

Regjisori japonez Takeuçi Rio

Regjisori i këtij dokumentari, japonezi Takeuçi Rio, banon në qytetin Nankin të Kinës Lindore. Duke kaluar nga afër betejën kundër epidemisë së pneumonisë së COVID-19 në Kinë, Rio dëshiron t'ia transmetojë mbarë botës përvojën dhe masat e Kinës nëpërmjet thjerrave të objektivit.

Rio ka një numër të madh ndjekësish brenda e jashtë Kinës, në saje të shumë dokumentarëve të shkurtër të tij lidhur me Kinën. Por atij nuk i shkonte ndër mend se ky dokumentar për përballimin nga kinezët të epidemisë, do të gjente jehonë aq të madhe.

"Banoj në Nankin, prandaj kam xhiruar shumë fragmente për masat parandaluese në jetën e përditshme, si për shembull në lagje, metro, restorante etj. Është befasi për mua që dokumentari është aq i mirëpritur në internet," vëren regjisori.

Termometër pa kontakt

Me përhapjen e epidemisë së pneumonisë së COVID-19 në mbarë botën, Rio ka ndjekur me vëmendje edhe gjendjen në Japoni, duke menduar për të bërë diçka për atdheun. "Kam ndjekur çdo ditë njoftimet nga Japonia dhe numri i të prekurve është shtuar dita-ditës. Por shumë japonezë mendojnë se vdekshmëria është vetëm rreth 2 %, nuk është ndonjë gjë e madhe. Në fakt, kjo përqindje u realizua me përpjekjet e mundimshme të shumë punonjësve mjekësorë, të cilët shkuan në Wuhan për të shpëtuar dhjetra mijëra të prekur, pa përfillur sigurinë e jetës së vet. Gjithashtu, ajo u arrit me sakrificën e banorëve të thjeshtë kinezë në jetën dhe punën e tyre. Japonezët nuk i dinë këto sakrifica, por shikojnë vetëm shifrat. Isha shumë i shqetësuar dhe kështu xhirova këtë dokumentar. Dëshiroj t'u tregoj japonezëve çfarë do të thotë 2 për qind dhe sa përpjekje të mëdha kanë bërë kinezët," shprehet ai.

Rio thotë se për një dokumentar duhen zakonisht tre javë për xhirimin dhe montimin, por kësaj here, ai shpenzoi vetëm tre ditë.

Në taksi, shoferi ndahet nga pasagjerët me një fletë plastike

Në fillim të marsit, pothuajse të gjitha televizionet japoneze e transmetuan këtë dokumentar. Rio vuri re reagimin e shikuesve japonezë: "Reagimi i shikuesve është pothuajse i njëjtë: habiten dhe thonë se nuk u shkonte ndër mend. Ata e dinë se gjendja epidemike në Kinë ka filluar të zbutet dhe është pakësuar gradualisht numri i rasteve të reja të infektimit, por ata nuk e dinë fare historinë prapa shifrave. Pikërisht me masat aq të rrepta parandaluese, epidemia u kontrollua në Kinë."

Dokumetari "Arena e përballimit të epidemisë në Nankin" është përkthyer tashmë në 11 gjuhë dhe Takeuçi Rio ka dhënë intervista për mediet italiane, ruse, britanike etj.

Reklama e shërbimit publik gjatë rrugës së Nankinit, e bërë nga yjet me maskë

Krahas këtij dokumentari, Rio prodhoi edhe dokumentarin "Ditët tona gjatë epidemisë". "Nëpërmjet këtij dokumentari, dua t'i tregoj mbarë botës se pikërisht me përpjekjet e çdo kinezi, Kina po e fiton këtë luftë. Gjatë montimit, u preka nga çdo fragment. Më la përshtypje më të thellë thënia e një vajze në Hubei në fund të programit. Ajo tha: 'Nuk dua që ata të vuajnë prapë vështirësitë që kemi kaluar'," tregon regjisori japonez Takeuçi Rio. (Wang Lei)

Takeuçi Rio me të shoqen e fëmijët