Djaloshi izraelit Ilya Chetemnikh ka hapur një qendër të shkëmbimeve kulturore në Pekin, e cila u mëson të huajve gjuhën kineze dhe zhvillon shkëmbime kulturore midis Kinës e vendeve të huaja. Në gjendjen e tanishme të epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, Chetemnikh-u e ka ndryshuar mënyrën e mësimdhënies ballë për ballë dhe ka filluar ta përdorë internetin për mësimdhënie. Tani numri i nxënësve të regjistruar në internet e ka kaluar parashikimin e tij.

Chetemnikh-u erdhi në Kinë në vitin 2008 për të punuar e jetuar. Atij i pëlqejnë kultura dhe ushqimet e shijshme kineze dhe mund të flasë lirisht kinezisht. Pas shpërthimit të epidemisë, Chetemnikh-u nuk e ka menduar asnjëherë që të largohet nga Kina. Si krijuesi i qendrës së shkëmbimeve kulturore, ai vendosi të ndryshojë mënyrën e mësimdhënies për të siguruar mosndërprerjen e kursit:

"Jam pronar i qendrës dhe nuk mund t'i braktis punonjësit. Tani ne kemi hapur kursin falas në internet dhe kështu të huajt mund të mësojnë gjuhën kineze në shtëpi."

Nxënësit e Chetemnikh-ut nuk e dinë shumë mirë gjuhën kineze dhe ata marrin njohuri lidhur me betejën kundër koronavirusit në Kinë kryesisht nga mediat e huaja. Lidhur me këtë, Chetemnikh-u krijoi posaçërisht kursin e ri me titull "Kinezishtja nëpërmjet medies", duke përzgjedhur materiale mësimore nga media zyrtare kineze për t'i ndihmuar nxënësit ta njohin gjendjen e fundit duke mësuar gjuhën kineze.

Chetemnikh-u u shpreh se tani numri i nxënësve të regjistruar në kursin në internet e ka kaluar parashikimin e tij:

"Tani më se 100 nxënës nga vende të ndryshme po mësojnë gjuhën kineze në internet."

Në fund, Chetemnikh-u shprehu urime për mjekët e infermieret në frontin e parë të betejës kundër virusit:

"Shpresoj se ju mund të mbroni mirë veten dhe të ribashkoheni sa më parë me të afërmit." (Fani)