Për pjesën dërrmuese të të rinjve, vetëstudimi po bëhet gjithnjë e më i largët nga jeta e tyre pas daljes nga shkolla.

Por në tregun e sotëm të punës, ekziston ende nevoja për vetëstudim. Qysh nga fillimi i vitit 2019, sallat e vetëstudimit me pagesë nisën të shfaqen ngadalë në disa qytete kineze. Të marrim për shembull Pekinin. Deri në fund të nëntorit të vjetshëm, kishte të paktën 65 salla vetëstudimi me pagesë.

Në këto salla që funksionojnë në bazë të tregut, përdoruesit mund të blejnë paketa me afate e vlera të ndryshme dhe mund të përdorin një hapësirë me tryeza katrore me çmim prej 2-10 juanë për orë ose 40-80 juanë në ditë. Në këto hapësira katrore, ata mund të studiojnë të qetë, pa ndërhyrje.

Babai 31-vjeçar dëshiron të ndryshojë punën nëpërmjet fitimit të një license profesionale, për të pasur më shumë kohë për të qenë me të birin.

Nëpunësja financiare 28-vjeçare studion këtu tërë natën, për të bërë përgatitje për shkollimin jashtë vendit.

24-vjeçari president i bordit drejtues të një kompanie familjare lufton këtu për provimin e masterit në administrim biznesi, që të vërtetojë potencialin e vet.

Një e re qëndron këtu për të kursyer paratë e hotelit, që të blejë një biletë për të parë idhullin e vet.

......

Babai që ka punuar 7 vjet: Do të ndryshoj punë për të qenë më shumë me fëmijën

Yang Fan, 31-vjeçar, punon në financa prej shtatë vjetësh. Ai ka ardhur në sallën e vetëstudimit për provimin e marrjes së licensës profesionale të letrave me vlerë, që të hedhë bazë për ndryshimin e punës në të ardhmen.

Yang-u është shumë i zënë në punë. Ai del nga shtëpia në orën 7 të mëngjesit e kthehet në orën 9 të mbrëmjes, dhe shpeshherë shkon me shërbim.

Një herë, ai ishte me shërbim për gjysmë muaji. Kur bëri videotelefonatë me anëtarët e familjes, i biri i vogël qau shumë kur e shikoi në ekran, sepse e kishte marrë shumë malli për të atin.

Ajo telefonatë e preku shumë Yang-un. Ai ndjeu se e shoqëronte shumë rrallë fëmijën e vet.

Edhe kolegët e Yang-ut janë të zënë ashtu si edhe ai e s'kanë kohë për të qëndruar me fëmijët e tyre. Yang-u thotë se nuk do që t'i mbetet peng dhe do të qëndrojë më shumë me të birin dhe të rritet së bashku me të.

Duke marrë parasysh se për të punuar në kompanitë e letrave me vlerë s'ka nevojë të qëndrosh në zyrë dhe koha e tregtimit zgjat deri në orën 3 pasdite, Yang-u mendon se do të ketë më shumë kohë të lirë.

Ai planifikon të marrë në radhë të parë licensën profesionale të letrave me vlerë, që të hedhë një bazë për ndryshimin e punës.

Për Yang-un, jeta e tanishme nuk është aq e lehtë. Kur ishte beqar, të ardhurat e tij nuk ishin të shumta, por i mjaftonin për veten. Por tani, ai duhet të mbajë tërë familjen dhe shpenzimet mujore janë zakonisht mbi 10 mijë juanë (afro 1 440 dollarë amerikanë).

Krahas presionit ekonomik, Yang Fan-i duhet të marrë parasysh edhe perspektivën e punësimit, edukimin e fëmijës dhe përkujdesjen për prindërit. Ai ndihet pak i lodhur.

Nënpunësja e financave: Studioj tërë natën, për të bërë përgatitje për shkollimin jashtë vendit

28-vjeçarja Jiujiu punon si nëpunëse financash prej katër vjetësh. Ajo studion në sallën e vetëstudimit për provimin e gjuhës angleze, që të bëjë përgatitje për studimet pasuniversitare jashtë vendit.

Për të shkuar nga shtëpia e Jiujiu-së te salla e vetëstudimit duhet gjysmë ore me makinë. Ajo mbërriti atje në orën nëntë fiks në mëngjes dhe qëndroi deri në orën dhjetë në mbrëmje.

"Megjithëse salla e vetëstudimit është pak larg nga shtëpia, efektiviteti është shumë i ulët në shtëpi. Këtu studimi është më efikas."

Kjo është hera e tretë që Jiujiu përgatitet për provimin e anglishtes. Ajo ka dështuar gjatë dy herëve të para.

Puna në sektorin financiar është me ritëm shumë të shpejtë dhe me presion të madh. "Kur kthehem në shtëpi, jam kaq e lodhur, sa të shembem përdhe. Megjithatë, duhet të shpenzoj dy orë për përgatitje për provim."

Gjatë dy herëve të para, ajo nuk u përqendrua plotësisht në përgatitjet për provimin dhe nuk pati sukses. Kësaj here, ajo ka marr leje nga kompania dhe po bën përgatitje me të gjitha forcat.

"Puna ime e tanishme është tepër intensive dhe truri nuk mund të pushojë aspak tërë ditën," i tha Jiujiu gazetarit. Ajo do të largohet përkohësisht nga mjedisi i punës me presion të madh dhe të studiojë jashtë vendit për një gradë "master".

Presioni kolosal i shkakton vajzës shpesh pagjumësi. Ajo e ndien veten sikur "ka humbur flokë më mënyrë të çmendur".

Gjatë dy vjetëve të kaluar, shumë miq përreth hoqën dorë nga studimi jashtë vendit për shkak të mossuksesit në provim. Por Jiujiu nuk pajtohet me realitetin. "Duhet të këmbëngul, pavarësisht nga procesi i gjatë e i vështirë."

24-vjeçari president i bordit drejtues: Do të vërtetoj potencialin e vetes

24-vjeçari David është diplomuar para dy vjetësh. Tani ai punon si president i bordit drejtues në kompaninë e film-televizionit të familjes së vet.

Qysh nga tetori, ai filloi të përgatitej për provimin IELTS në sallën e vetëstudimit.

Davidi mendon se posti i presidentit është vetëm një titull, ndërsa në kompani nuk ka shumë punë për t'u trajtuar nga ai vetë. Ndihmësi i tij është shumë i talentuar, duke e lehtësuar kështu shumë punën e tij si president.

Por kjo lehtësi nuk i ka sjellë Davidit kënaqësi. Ai nuk do të mbetet vetëm "një president në emër". Ai do ta vërtetojë potencialin e vet.

Davidi po përgatitet të studiojë për master në administrim biznesi (MBA) dhe pastaj të ngrejë një kompani ndërmjetësimi transaksionesh. Provimi IELTS është i domosdoshëm për t'u regjistruar për të studiuar për MBA.

Para dy vjetëve, David, që sapo ishte diplomuar, donte të punonte i pavarur në qytetin ku kishte studiuar. Por ky mendim u kundërshtua kategorisht nga prindërit.

Megjithatë, ai deshi ta provonte. Atë vjeshtë, David dërgoi CV të panumërta dhe u intervistua nga dhjetë kompani. Por në fund, ai mori vetëm një ofertë.

"Kjo përvojë ma goditi rëndë vetëbesimin," tregon ai. Më vonë, Davidi i respektoi prindërit, u kthye në Pekin dhe u bë president i bordit drejtues të kompanisë së familjes së vet.

Në kartëvizitën e tij, titulli i Davidit është "president i bordit drejtues". Por ai tha se, edhe në raste biznesi, ai nuk ua jep vetë i pari të tjerëve kartëvizitën:

"Nuk guxoj ta shikoj drejtpërdrejt atë titull. Më duket vetja budalla." Davidi thotë se, me përvojën dhe aftësitë e tij të tanishme, ai nuk përputhet fare me atë titull.

Gjatë procesit të përgatitjes për provim, Davidi nuk shkon në punë dhe qëndron çdo ditë në sallën e vetëstudimit. Ai bleu një paketë prej 400 juanësh me 100 juanë dhuratë, kështu që pagesa për një orë nuk shkon as 10 juanë (1.44 dollarë amerikanë). "Këtu është më ekonomike se në kafene, ku duhen 30 a 40 juanë për një filxhan kafe."

Pasi prindërit e tij e morën vesh këtë vendim, ata menduan se djali i tyre është marrosur dhe nuk e mirëkuptojnë. "Ata nuk dëshirojnë që të kem sukses në provim," shprehet Davidi.

Një e re: Qëndroj këtu për të kursyer paratë e hotelit, që të blej një biletë për të parë idhullin tim

19-vjeçarja Xiaoyu është studente e vitit të parë në universitetin Nankai të qytetit Tianjin.

Kjo është hera e parë që ajo përdor një sallë vetëstudimi. Ajo bleu në internet një paketë nate me 68 juanë, që të qëndronte atje tërë natën.

Ndryshe nga qëllimi i të tjerëve që studiojnë këtu, ajo erdhi nga Tianjin-i në Pekin dhe qëndroi në sallën e vetëstudimit, për të marrë pjesë në kohë në regjistrimin e një spektakli të nesërmen. Në atë spektakël, ajo mund të shikonte nga afër idhullin e vet Wang Junkai.

Biletën e spektaklit Xiaoyu e bleu ne tregun e zi me 750 juanë (108 dollarë amerikanë).

"Është shtrenjtë, por ia vlen," tha ajo. "Të rrish në vendxhirim është krejtësisht e ndryshme nga të shikosh video." Në vendin e xhirimit të spektaklit, ajo ndjeu se kishte realizuar një ëndërr.

Bileta e spektaklit nuk është një shpenzim i vogël për Xiaoyu-në, prandaj ajo vendosi të mos qëndronte në hotel.

Xiaoyu mori me vete edhe katër tekste mësimore për matematikën e përparuar, duke planifikuar që në sallën e vetëstudimit, të përgatitej edhe për provimin përfundimtar.